e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Kampionati eshte i hapur, stadiumi prishet ne vere'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Kampionati eshte i hapur, stadiumi prishet ne vere'
Sekretari i përgjithshëm i FSHFsë, Ilir Shulku shpreson dhe beson se do të ketë garë deri në fund të kampionatit. Numri dy i federatës në një intervistë për “Shekulli”-n, flet për problemet e futbollit këtë fillim sezoni. Nga kampionati,lufta për kreun dhe fundi, e deri tek Kombëtarja, duke mos anashkaluar edhe probleme të tjera si stadiumi apo idenë e skuadrave kosovare për të luajtur në Shqipëri.

Futbolli sot nis me ndeshjen e kupës, Laçi-Flamurtari. Si e shikoni vitin 2013 në futbollin shqiptar?

Pa diskutim që do të jetë një sezon pozitiv. Më 2 shkurt filloi Kupa e Shqipërisë në dy grupet A dhe B. Janë dy grupe shumë të forta dhe të ekuilibruara dhe ndeshjet në vazhdim do të tregojnë dhe përcaktojnë katër skuadrat që do të kualifikohen për më tej. Ndeshja Laçi-Flamurtari nis vitin 2013. Një ndeshje shumë e fortë. Shpresojmë që ky sezon të jetë sa më konkurues në të gjithë kohështrirjen e tij derisa të luhet ekipi finalist.

Nuk është se ka ndonjë ndryshim të madh nga 2012-ta ky vit?

Sigurisht që gjëra të reja nuk është se ka. Ato janë të parashikuara që në fillim të aktivitetit me kalendarët e Kupës dhe kampionatit. E reja që shpresoj të ketë këtë sezon është që të ketë të paktën garë deri në fund ose garë të ndershme. Gjithçka të ndahet drejt dhe pa iu ngrënë haku as skuadrave të kreut që kërkojnë titullin dhe Evropën dhe as skuadrave që do të luftojnë për t’i shpëtuar rënies nga kategoria.

Për kreun, Skënderbeu duket se është kampion që pa nisur faza e dytë?

Të them të vërtetën unë mendoj se për kreun gjërat nuk është se janë ndarë. Ekipi i Skënderbeut është disi i shkëputur dhe kjo e favorizon për titullin. Kësaj nuk i dihet. Janë edhe tre ekipet që do të marrin pjesë në Kupat e Evropës. Po kështu edhe fundi është intrigues. Nga Kategoria Superiore këtë vit bien katër ekipe. Është e padiskutueshme që do të jetë një luftë shumë e fortë sportive që ne do ta menaxhojmë sa më mirë.

Një ditë pasi komiteti vendosi të ndëshkojë lojtarët që braktisin Shqipërinë, një futbollist i kthen shpinën Shqipërisë...

Ka qenë një pikë e zjarrtë dhe një diskutim shumë i gjatë në komitet kjo pikë. Ka pasur mendime të ndryshme për këtë çështje, që lidhet me lojtarët që do të refuzojnë ardhjen në ekipin kombëtar, të cilët nuk do të jenë pjesë e kombëtares shqiptare. Në këtë “lëmi” përfshihet edhe Brahimi që sapo refuzoi.

Veç vendimit të komitetit, ka federata një strategji të re për të ardhmen që të mos ketë më lojtarë që refuzojnë?

Pikërisht për këtë çështje pata një takim me disa nga punonjësit që merren me ekipet kombëtare. Do të hartojmë një strategji të qartë. Por të gjithë duhet ta dinë se ekipi kombëtar i shërben lojtarëve, ashtu siç i shërbejnë lojtarët ekipit kombëtar. Në këtë prizëm ata duhet të vlerësojnë kombëtaren dhe bluzën e ekipit kombëtar. Nëse nuk e vlerësojnë sa më mirë ekipin kombëtar, atëherë nuk ka përse të jenë pjesë e Shqipërisë së futbollit.

Stadiumi. Çdo të ndodhë? Dimë që pas 8 javësh mund të ketë lëvizje...

Pas tetë javësh ose më herët mund të ketë lëvizje për projektin e stadiumit. Ka ardhur kompania franceze që menaxhon tashmë projektin dhe do të zgjedhë edhe kompaninë që do të ndërtojë këtë projekt. Kanë një program të detajuar. Shpresojmë që hap pas hapi sipas parashikimeve të kemi të reja që këtë verë, që do të thotë nisja e prishjes së stadiumit.

Nga klubet kosovare ka ardhur kërkesa për t’u regjistruar në kampionatin shqiptar. Mund të luajnë që në shtator në Kategorinë e Tretë?

Në këtë moment që flasim nuk ka ende ndonjë kërkesë të klubeve kosovare. Sipas rregullave skuadrat që pretendojnë një gjë të tillë, duhet të ç’regjistrohen në Kosovë dhe të regjistrohen në Shqipëri si shoqatë ose shoqëri. Hapi i dytë është që të regjistrohen sipas rregullores në kategorinë përkatëse, pra atë të tretë. Kjo edhe nëse regjistrohen si anëtarë të anëtarëve të FSHF-së.