e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Kam zili Lalen, por une do te kthehem ne kombetare

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kam zili Lalen, por une do te kthehem ne kombetare
Nëse prisni që ai të varë “këpucët në gozhdë”, sikundër një prej kolegëve të tij më të mirë në Kombëtare, si Altin Lala, harrojeni. Klodian Duro beson ende se mund t’i japë futbollit jo vetëm te Tirana, por edhe ekipit përfaqësues. Madje një rikthim në Kombëtare ai e sheh si një bast personal, si për të treguar se është ende ai lojtari, ku varej edhe loja e skuadrës sonë në mesfushë.

Kjo Tiranë më shumë sesa te mbyllja e kampionatit e ka mendjen te kupa, apo jo?

Sigurisht, dhe jo pa qëllim si ndeshja e javës së shkuar me Laçin dhe kjo e kësaj jave me Kamzën do të jetë në funksion të përballjes në finalen e Kupës me Skënderbeun. Ne e kemi marrë shumë seriozisht këtë takim kjo, edhe për të sjellë një tjetër atmosferë në grupin e lojtarëve dhe për të shkuar në përballjen me Skënderbeun sa më të karikuar.

Sakaq, para pak ditësh trajneri Rubio, ndoshta edhe i mërzitur nga rezultatet e skuadrës, pati deklaruar se Tirana e tij nuk është gati për ta fituar kupën, ju si mendoni?

Nëse trajneri është shprehur në këtë mënyrë normalisht që ka parë mangësi në lojën e skuadrës, në takimet e fundit me Dinamon dhe Shkumbinin, por unë gjykoj se pikërisht për të treguar të kundërtën, ne si ekip duhet të futemi në fushën e lojës me një tjetër mentalitet dhe jo vetëm të fitojmë kupën, por edhe të tregojmë se kemi qenë të denjë edhe për titullin kampion, paçka gabimeve që bëmë në disa ndeshje. Unë personalisht jam i bindur se kjo skuadër nuk e ka luksin që të dalë pa trofe nga ky sezon.

Ju thoni se e mundni Skënderbeun, por fakt është ama se në kampionat kjo skuadër fitoi ndaj jush si me lojë dhe me rezultat, çfarë mendoni se mund të ndryshojë Tirana në finalen e kupës për të mundur korçarët?

Shikoni, unë nuk jam shumë dakord me ju se Skënderbeu na mundi me lojë. Po, ata fituan ndeshje, morën tri pikët, por ne bëmë një takim dinjitoz në fushën e tyre dhe madje në pjesën e parë të lojës rrezikuam shumë herë më shumë sesa ata. Më pas futbolli i tillë është që po nuk shënove do pësosh, ndaj edhe ata shfrytëzuan dy-tri raste dhe na ndëshkuan. Këtë gjë ne do mundohemi ta evitojmë në ndeshjen e kupës. Unë kam një kohë të gjatë që luaj me Tiranën. E kam nisur pak a shumë karrierën time këtu. Kam fituar kupa dhe kampionate, ndërsa e njoh mjaft mirë mentalitetin e kësaj skuadre. Ndaj kur them se ne nuk dalim pa trofe këtë sezon bindem në atë që shikoj te grupi që ka trajneri në dispozicion, duke filluar që nga unë e deri te lojtari më i ri.

Pas ndeshjes me Skënderbeun, trajneri Rubio e kritikoi ashpër ekipin duke pohuar se me taktikat e tij asnjë skuadër nuk e mund dot me kundërsulm. Si e shpjegoni atëherë atë 90 minutësh?

Nuk marr përsipër të bëj një analizë të lojës nga jashtë dhe ca më pak në rolin e trajnerit. Unë mendoj se skuadra luajti mirë në atë takim, pavarësisht se në fund fitoja u buzëqeshi korçarëve. Pastaj, gjykoj se do të ishte më mirë që tanimë të mendonim për finalen tjetër me Skënderbeun sesa për atë që ka kaluar.

Duke hamendësuar, nëse Tirana nuk do kishte lënë 5 pikë në ndeshjen me Dinamon dhe Shkumbinin, sot do ishte në vend të parë a mund të themi se ju si lojtarë nuk besuat shumë te titulli?

Sigurisht që me ato pikë sot do të ishim në krye, por duhet të bëni llogari edhe faktin se jemi në një ambient ku flitet shumë jashtë fushës dhe këto gjëra ndikojnë në atmosferën brenda në skuadër.

Pra nuk besuat se mund të luftonit për titull?

Unë personalisht e kam besuar gjithnjë por, siç e thashë, në skuadër ndikuan sipas meje shumë fjalë dhe llogari që në fund të fundit nuk duheshin bërë, pasi ne duhet të besonim deri në fund për titullin dhe të luftonin ndaj çdo kundërshtari njëlloj.

Ndërrojmë disi temë, para pak ditësh Altin Lala i dha fund futbollit që vlen me një lamtumirë madhështore, Klod Duro kur e mendon tërheqjen?

Në radhë të parë dua të them se më erdhi shumë mirë që pashë gjithë atë respekt për një nga shokët dhe miqtë e mi më të mirë si Altini. Besoni, ai e meriton atë dhe ndoshta edhe më shumë për gjithçka që i ka dhënë futbollit dhe Hanoverit në veçanti. Gatigati e pata pak zili, por në sensin e mirë të fjalës.

Pse mendoni pse Lala u nderua në atë lloj mënyre?

Ndoshta për besnikërinë që ka treguar për 14 vjet? Edhe për këtë, por duhet të kuptoni se në futbollin e sotëm është shumë e vështirë që të rrish besnik dhe konstant te një skuadër, pasi janë shumë faktorë që të bëjnë të shikosh përpara duke menduar gjithnjë për një karrierë më të mirë.

Ju ndiheni tani fajtor me veten që nuk keni qëndruar te një skuadër për shumë kohë dhe më pas të merrnit aty edhe rolin e një lideri?

Shikoni, karrierat e çdo futbollisti ndryshojnë nga njëra-tjetra. Unë personalisht jam krenar për karrierën time dhe kudo ku kam shkuar e kam bërë me një vetëdije dhe duke menduar gjerë e gjatë për çdo lëvizje, ndaj nuk mund te them sot se jam bërë pishman për ndonjë gjë. Sigurisht, për Lalën ky diskutim nuk vlen, pasi ai ka parë më të mirën për veten e vet, qëndrimin tek e njëjta skuadër dhe kjo i ka dhënë edhe rezultatin që ne pamë. Por jo për çdo lojtar kjo gjë vlen ama, se mund të rrish gjithë jetën te një skuadër dhe të mos arrish të dallohesh për lojën që bën.

Cili ka qenë momenti juaj më i keq në karrierë?

Realisht mund të kem pasur vështirësi, por nga momenti që më pas i kam zgjidhur si mos më mirë nuk i kam kujtuar më, kështu që e shikoj edhe tani çdo gjë me pozitivizëm.

Po momenti më i mirë?

Kombëtarja, dhe vetëm kombëtarja. Aty jam ndjerë krenar për fanellën dhe, për faktin, se më kanë mbështetur tifozët. Asnjë klub tjetër nuk ta jep, të paktën për mua si Klodian, atë kënaqësi si Kombëtarja.

Por, ama nuk jeni më pjesë e kësaj kombëtareje?

Unë nuk kam thënë ndonjëherë se jam larguar, ndaj nuk e shikoj me vend këtë konstatim tuajin. Puna ime si futbollist është që të bëj gjithnjë më të mirën në fushë dhe ta detyroj trajnerin e kombëtares, cilido qoftë ai, që të më grumbullojë në skuadër. Sigurisht, unë nuk dua të kthehem në Kombëtare sepse kam luajtur shumë me atë skuadër, por vetëm nëse e meritoj dhe në këtë pikë do bëj të pamundurën që ta vë vështirësi trajnerin për të më grumbulluar.

Ka një plan Duro se kur mund t’i thotë mjaft futbollit?

Akoma jo. Unë kam një kontratë me Tiranë edhe për sezonin tjetër dhe do mundohem që të jem gjithnjë në kondicionin më të mirë për ta ndihmuar ekipin. Nëse do të jem mirë fizikisht, atëherë do vazhdoj edhe më tej.