Kalaja: Te Peskara nëse ngjitet në Serinë A
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Arlind Kalaja, mes fushori me tipare sulmuese i Vllaznisë ka folur për të ardhmen e tij. Para pak ditëve, ai ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me kompaninë e menaxhimit të futbollistëve, "MARAT".
Një kontratë, e cila i jep të drejtën kësaj kompanie që për dy sezone, 2016-2018 të ketë në menaxhimin e vet edhe mesfushorin shkodran Arlind Kalaja.
Vetë futbollisti është shprehur i kënaqur që ka nënshkruar një kontratë të tillë, e cila pavarësisht se do ta mbajë të kufizuar në përzgjedhjet e tij, sërish do të bëjë të mundur që shkodrani të lëvizë në drejtim të klubeve italiane.
"Normalisht që jam i kënaqur që kam arritur të nënshkruaj një kontratë me një kompani menaxhimi. Kompania në fjalë është shumë serioze dhe fakti që edhe dy shqiptarë të tjerë si Hysaj e Memushaj janë pjesë e saj, më ngroh.
Normalisht që unë nuk do të kem mundësi të lëviz sipas dëshirës sime, por ndoshta disi i kufizuar edhe nga menaxherët e kompanisë, por gjithsesi një gjë është e sigurt, që sezonin e ri do të jem pjesë e futbollit italian.
Çështja e kalimit tim te Peskara ka të bëjë deri diku edhe me faktin nëse kjo skuadër do të arrijë që të ngjitet në Serinë A. Nëse një gjë e tillë realizohet, atëherë mund të them se nisur nga kontaktet që kam me menaxherët e kompanisë, do të jem menjëherë pjesë e saj.
Megjithatë, kjo mbetet për t'u parë, pasi menaxherët po shikojnë edhe mundësi të tjera lëvizjeje. Çdo lojtar kërkon që të shkojë me ekipe sa më cilësore dhe të mira. Për këtë kam nënshkruar edhe me këtë kompani", ka thënë Kalaja.
Kontrata Pavarësisht se në reagimin e vet klubi shkodran bëri të ditur se lojtari ka kontratë me të deri në 2017-ën, vetë futbollisti ka sqaruar se kontrata me kuqeblutë përfundon në fund të këtij sezoni. Kjo mund të sjellë që lojtari, pavarësisht një transferimi të tij, mund të mos sjellë shumë të ardhura për klubin Vllaznia.
Megjithatë, të ardhurat që mund të përfitojë klubi vijnë si përfitime si ekip mëmë. "Kontrata ime me klubin përfundon në fund të këtij sezoni dhe atëherë unë jam një lojtar i lirë. Nuk di çfarë të them për atë që mund të përfitojë klubi në rastin tim, pasi kjo nuk më përket mua. Gjithashtu, e thashë që unë faktikisht nuk kam një kontratë me klubin e Peskarës, por me kompaninë 'MARAT'", shton Kalaja.
Vllaznia Autori i golit të tretë për kuqeblutë në përballjen me Tiranën është shprehur tepër optimist se ecuria e Vllaznisë në këtë sezon nuk do ta jetë kurrsesi ajo e fillimit. "Çdo gol të jep sadisfaksionin e vet. Të shënosh kundër Tiranës është edhe më bukur, pasi është një ekip me shumë emër. Fitorja e fundit ka bërë që të ndihemi më mirë në të gjithë aspektet. Unë kam besimin se kjo Vllazni me këtë shpirt që po paraqet nuk do të vuajë deri në fund për qëndrimin në Superiore", ka përfunduar Kalaja.