Kaçi: Fiton Skënderbeu 2-0, Salihi nuk ndalet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ka qenë një nga ikonat e Skënderbeut dhe Partizanit, por pa dyshim edhe i Kombëtares shqiptare të futbollit. Tani, në rolin e trajnerit të të rinjve të Skënderbeut, Jani Kaçi komenton përballjen e sotme mes dy ekipeve që kryesojnë kampionatin.
Ish-portieri i ka bërë një "skaner" të plotë të dy ekipeve duke parashikuar një ndeshje të fortë, por mbi të gjitha të bukur. Pas elozheve për Partizanin, për të cilin ka një konsideratë të veçantë, Kaçi ka zgjedhur fitoren e Skënderbeut në këtë takim kaq të rëndësishëm të këtij sezoni, me fitoren 0-2 dhe gola të Salihit.
Profesor Kaçi, Partizani-Skënderbeu luhet në Tiranë. Si e shikoni këtë takim?
Është një ndeshje e fortë, një përballje mes dy ekipeve më të mira të kampionatit, të cilat po tregojnë forcën e tyre. Partizani ka në krahun e tij grintën dhe forcën e grupit, ndërsa Skënderbeu ka eksperiencën e ndeshjeve kaq të rëndësishme dhe inteligjencën e zgjidhjes së këtyre situatave. Normalisht që do të jetë një ndeshje e bukur, por që nuk do të jetë vendimtare për titull.
Cilat janë pikat e forta të ekipeve respektive?
Unë po e filloj nga Skënderbeu. Skënderbeu e fiton duelin që nga porta, për vetë faktin se ka një portier si Shehi, i cili është një garanci për mbrojtësit si në tokë edhe në ajër, por edhe një organizator i mirë i ekipit, pasi edhe sulmet shpesh nisin menjëherë nga këmbët e tij. Ndërsa pjesa tjetër e ekipit qëndron solide, Salihi është lojtari që bën diferencën në këtë ekip. Jam i mendimit se të kesh në ekip një sulmues si Salihi është një superioritet i madh. Ndërsa Partizani bazohet më shumë te grupi dhe agresiviteti i tyre. Mbrojtja është pika e tyre e fortë, pasi janë një ekip që luajnë fizikisht dhe mbrohen mirë.
Po pikat e dobëta?
Te Skënderbeu nuk shoh të tilla, por edhe nëse ka, është shumë e vështirë t'i evidentosh. Ndërsa te Partizani mendoj se sulmi është pika më e zbehtë e ekipit. Nuk mund të them e dobët, por nuk janë aq shumë të lirshëm në sulm dhe kjo shkakton ngadalësim të daljes së tyre përpara.
Kush është më i favorizuar në këtë përballje?
Unë kam konsideratë të madhe për të dy ekipet. Skënderbeu më ka nxjerrë si futbollist, por Partizani më bëri me emër dhe më dha famë, prandaj edhe Partizani ka një vend të veçantë në zemrën time. Natyrisht, rilindja dhe ringritja e Partizanit na ka rilindur edhe ne ish-futbollistëve të tij, pasi pa Partizanin, edhe ne do të kishim vdekur. Ndërsa Skënderbeu është qyteti im, ekipi im i parë ku u formova dhe aktualisht vendi im i punës. Prandaj, dua të falënderoj dy presidentët për atë që po u japin këtyre dy ekipeve.
Kush e fiton këtë ndeshje sipas jush?
Besoj se takimin e fiton Skënderbeu, në bazë të asaj analize që i bëra dy ekipeve në pyetjet e mësipërme.
Ju zgjodhët Skënderbeun, po rezultatin a mund ta përcaktoni?
Nuk jam i dhënë pas bixhozit dhe nuk e luaj atë, por ka një histori të veçantë. Me mikun tim Hysni Zela po komentonim ndeshjen derbi dhe i thashë që fiton Partizani 2-0 dhe se takimi vendoset që në minutat e para. Ai u çudit që e gjeta të saktë dhe më mori sërish. Sot zgjedh fitoren e Skënderbeut me rezultatin 0-2 dhe jam i mendimit se Salihi nuk qëndron në kuotën e 21 golave.