Kabashi hiqej sikur nuk dinte shqip para Hysajt
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ndoshta shumë pak e dinë, por fillimet e Elseid Hysajt në Itali kanë qenë shumë të vështira, sepse problemi kryesor ishte gjuha italiane. Me të mbërritur tek Empoli, ai u mundua që të ambientohej duke qëndruar pranë Elvis Kabashit, pseudotalentit kuqezi nga Durrësi, që refuzoi Shqipërinë për Italinë dhe sot endet mes huazimeve dhe mundësive të dyta, ku sërish ka dështuar…
Por, përgjigja e Kabashit ishte kjo: “Nuk di shqip mirë, sepse jam rritur këtu!”. Kjo ishte thika e parë pas shpine për Hysajn, që pikërisht nga një shqiptar u tradhtua dhe pa t’i ktheheshin krahët në këtë mënyrë të turpshme. Edhe pse e dinte se Kabashi ishte shqiptar dhe fliste shqip. Hysaj vuri përpara karakterin e tij të fortë dhe personalitetin, duke e nisur nga e para dhe me vetëm ndihmën e familjes së tij. U desh 1 vit që ai të ambientohej dhe të mësonte mirë italisht.
“Një ditë, m’u afrua Elvisi dhe më foli shqip dhe madje shumë mirë… Dhe menjëherë iu ktheva: po t’i sikur nuk dije shqip?”. Nga ai moment s’kemi qëndruar më bashkë”, - do të rrëfente për “Sport Ekspres” shkodrani.
Një histori që pa Kabashin të largohej me petkun e “talentit” tek Juventusi, që i dha mundësi të shpërthente tek të rinjtë. Por, Kabashi mendoi se preku “qiellin” shumë shpejt. E ndërsa Hysaj qëndroi aty, “në fshat” (Empoli), Kabashi shkoi në “qytet”. Shprehja “më mirë i pari i fshatit se i fundit në qytet” gjen këtu mbështetjen më të madhe.
E ndodhi që sot Kabashi është një pseudotalent i mbetur përgjysmë, mes huazimeve dhe shanseve të shumta të djegura, teksa Hysaj ndër më të kërkuarit. Shpesh, duhet të mësosh edhe thjeshtësinë, ajo që të bën të ecësh përpara.