e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

KAS-i i jep Shqiperise tri piket e Beogradit, fajtore serbet dhe UEFA

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
KAS-i i jep Shqiperise tri piket e Beogradit, fajtore serbet dhe UEFA

Drejtësia bëri drejtësi këtë herë. E premtja e 10 korrikut do të mbahet mend gjatë në futbollin shqiptar. Shqipëria merr tri pikët nga Kas Lozana dhe tani është shumë pranë Euro 2016-ës. Festa le të nisë dhe shampanja le të derdhet lumë derisa të shkojmë në Europian. Në rrjetet sociale deklaratat janë pa masë. Më në fund të gjithë mund të marrin frymë lirisht. Shqipëria arrin të marrë 3 pikët e anatemuara nga UEFA, falë drejtësisë së KAS Lozanës dhe askush nuk mund të na i heqë më këto pikë të marra me gjak brenda dhe jashtë fushe.

Pas gati nëntë muajsh, kuqezinjtë ia dalin të marrin të drejtën, atë që u takonte dhe që u ishte mohuar padrejtësisht prej UEFA-s, nga nata e errët e 14 tetorit në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Pas 41 minutash në fushë, tri ndeshjesh në tavolinë, përballjesh mes kryeministrave të dy shteteve “mike” dhe paqëruajtëses Merkel që shuan situatën, është Shqipëria ajo që buzëqesh. Merr tre pikët e Serbi-Shqipëri, regjistron ndeshjen 0-3 në tavolinë dhe është e dyta në grupin I. Serbët janë fajtorët dhe u ndëshkuan, ndërkohë që Shqipëria festoi. Mëngjesi i të premtes së 10 korrikut ka qenë i gjithi me sytë nga Lozana. Të gjithë prisnin të pamundurën.

Por e papritura, ajo që shpresonin të gjithë shqiptarët, erdhi. KAS Lozana vendosi që Shqipëria të fitojë ndeshjen e 14 tetorit, duke ndëshkuar Serbinë dhe UEFA-n për vendimet e tyre të çmendura të natës së largët të tetorit. Në fakt KAS Lozana mori më shumë se 70 ditë kohë për vendimin, duke e shtyrë dy herë të vërtetën që pritej nga palët, madje duke luajtur me ndjenjat e shqiptarëve, por në fund dha drejtësinë e pritur nga kuqezinjtë dhe të kontestuar nga serbët. Pak rëndësi ka se çfarë mendojnë ata(serbët), pasi si zakonisht vazhdojnë me “provokacija”-t e tyre. E rëndësishme është, se Shqipëria mori tri pikët, për një ndeshje që nuk mbaroi asnjëherë dhe ku u dhunuan lojtarët shqiptarë, ku vetëm futboll nuk pati gjatë gjithë “jetës” së saj, pikërisht nën syrin e shtetarëve më të mëdhenj të Serbisë.

Vendimi i djeshëm, ishte drejtësi për atë që iu mohua Shqipërisë në ndeshje, në tavolinë nga Disiplina e Apeli i UEFA-s. Dhënia e 3 pikëve në tavolinë nga KASi, pas akteve të dhunshme dhe raciste të tifozëve serbë, që provokuan ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, tashmë i ka ngjitur kuqezinjtë e Shqipërisë në vendin e dytë në Grupin I me 10 pikët e grumbulluara, po aq sa edhe Danimarka. Pretendimet e të dyja palëve, përmes avokatëve të tyre, ekspertëve dhe dëshmitarëve, u dëgjuan në dy seanca të ndryshme të mbajtura më 16 dhe 17 prill në Lozanë të Zvicrës nga trupi gjykues i KAS-it.

Trupa e Arbitrazhit ka mbështetur pjesërisht ankesën e paraqitur nga Federata Shqiptare e Futbollit, kundër vendimit të organit të Apelit të UEFA-s marrë më 2 dhjetor 2014, në të cilën u konfirmua vendimi i marrë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s. Drejtësia e munguar, vonoi por nuk harroi. Shqipëria mori në Lozanë, atë që meritonte të merret që më 14 tetor në Beograd, ku dhuna dhe koret raciste të tifozerisë serbe kishin bërë të pamundur zhvillimin e një ndeshjeje, e cila duhej të ishte thjesht një sfidë futbolli. Gjithsesi, tani gjithçka ka mbaruar. Tani Shqipëria “e madhe” mund të marrë frymë lirisht. Morëm atë që na takonte. Serbinë e mundëm si brenda dhe jashtë fushe, por nuk do të harrojmë ta mundim edhe në Shkodër....

Vendimi: Ja arsyet pse iu dhanë pikët Shqipërisë

“Gjykata e Arbitrazhit për Sport (KAS) jep vendimin për dy procedurat apeluese të ardhura nga Grupi I i ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Evropian, për ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e luajtur në Beograd, më 14 tetor 2014. Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata Serbe e Futbollit kanë paraqitur ankesat në KAS kundër vendimeve të lëshuara nga organi i Apelit të UEFA-s, në të cilën të dy shoqatat janë dënuar për incidentet që kanë ndodhur gjatë ndeshjes. Çështja u dëgjua në seancat që u zhvilluan në Lozanë, Zvicër, më 16 dhe 17 prill 2015.

Palët, mbrojtësit e tyre ligjorë, ekspertët dhe dëshmitarët u dëgjuan nga Paneli i gjyqtarëve të KAS-it. Arbitrazhi ka mbështetur, pjesërisht ankesën e paraqitur nga FSHF-ja kundër vendimit të Trupit të Apelit të UEFA-s marrë më 2 dhjetor 2014, në të cilin u konfirmua vendimi i marrë nga Komisioni i Etikës së UEFA-s më 23 tetor 2014. Sipas vendimit të UEFA- s, vendimi për humbje kundër FSHFsë u bazua në refuzimin e supozuar të ekipit shqiptar për të rifilluar ndeshjen, pasi u ndërpre nga arbitri në minutën e 41-të, kur një numër fishekzjarrësh u hodhën në fushë nga tifozët serbë.

Gjatë kësaj ndërprerjeje, disa incidente kanë ndodhur dhe në mënyrë të veçantë rreth 15 tifozë serbë pushtuan fushën dhe sulmuan dhunshëm lojtarët shqiptarë. Megjithatë, Paneli i KAS-it nuk gjeti provat që tregojnë se FSHF-ja ka refuzuar të luajë pas një urdhri të nxjerrë nga arbitri. Paneli i KASit nuk ishte në gjendje për të konstatuar se arbitri ka lëshuar një urdhër të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar ndaj lojtarëve për të rifilluar ndeshjen në bazë të një vendimi të caktuar se siguria ishte e sigurt.

Paneli konstatoi se ndërprerja e ndeshjes dhe braktisja eventuale e ndeshjes janë shkaktuar nga gabime të sigurisë së organizatorëve dhe aktet e dhunës ushtruar mbi lojtarët shqiptarë nga ana e tifozëve serbë. Si i tillë, Paneli konsideron se Federata e Futbollit e Serbisë (FAS) dhe jo FSHF-ja duhet të konsiderohet si përgjegjëse që ndeshja nuk u luajt në mënyrë të plotë, në shkelje të nenit 27.01 të Rregullores së Kampionatit Europian të Futbollit, Euro 2016 . Në dritën e këtij konstatimi, Paneli i KAS-it ka vendosur, se ndeshja kualifikuese e Grupit I mes Serbisë dhe Shqipërisë të konsiderohet si e humbur nga Federata Serbe me rezultat 0- 3.

KAS-i vazhdoi për të gjetur, në përputhje me UEFA-n, se FSHF-ja ka qenë përgjegjëse për një dron të hedhur gjatë ndeshjes, që mbante një flamur me simbole nacionaliste dhe patriotike shqiptare, si dhe konfirmoi gjobën prej 100.000 eurosh ndaj FSHF- së. Për më tepër, në lidhje me ankesën e paraqitur nga Federata Serbe, KAS-i e ka hedhur poshtë ankesën dhe ka konfirmuar vendimin e marrë nga organi i Apelit i UEFA- s, më 2 dhjetor 2014. Prandaj, sanksionet urdhëruar nga UEFA në vendimin e saj të datës 23 tetor 2014 janë konfirmuar, përkatësisht: (1) Federatës serbe i janë zbritur tri pikë për ndeshjet kualifikuese të Kampionatin Evropian (2) Serbia do të luajë dy ndeshje pa tifozë (iii) Federata serbe gjobitet me 100.000 euro”.

Historia e 14 tetorit dhe ato që ndodhën më pas...

Çfarë ndodhi në Beograd? Serbi-Shqipëri nisi me tensionin para ndeshjes, me mohimin e tifozëve dhe më pas me skandalin. Kombëtarja kuqezi ka qenë në një presion shumë të madh në 72-orëshin e Beogradit. Të blinduar, por pa asnjë përkrahës kuqezinjtë kanë zbritur në një stadium kafshësh. Janë ofenduar, kërcënuar e me radhë çdo lloj sharje racizmi e ofendimi dhe vërshëllyer pa fund në momentin e himnit dhe më pas nis çmenduria. Serbët durojnë vetëm 20 minuta teksa ishin në avantazh të lojës.

Më pas fillon epërsia shqiptare. Nisin rastet dhe huliganët serbë nuk përmbahen dhe nisin tymueset dhe fishekzjarrët në kokën e lojtarëve tanë. Kukelit i thyhet hunda në sytë e Atkinsonit, por është vetëm shtyrje e skandalit. Situata tensionohet edhe më shumë, teksa hedhja e fishekzjarrëve dhe tymuese bën që Aktinson të ndalë lojën. Asnjë nuk e ka mendjen, por në krahun tjetër ndodh çmenduria që thonë serbët. Një dron valëvit në mes të stadiumit një baner të Shqipërisë etnike me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin në çdo cep. Dikush e drejton nga larg. Një situatë që çmend stadiumin e Beogradit me shkrimin “28 nëntor 1912 Autochthonous”.

Është një shfaqje e çmendur që “sfidon” serbët që nuk kanë ç’të bëjnë veçse ta sodisin gjithë urrejtje “sfidën”.... Por nuk ka nisur ende tmerri. Mitroviç është ai që gjithë dhunë kërkon të ulë dronin dhe banerin e mbarëshqiptarisë. Xhaka dhe Lila i hidhen Markoviçit. Këtu nis kaosi. Serbët sulmojnë shqiptarët, ndërsa Balaj vrapon për të mbrojtur flamurin. Nga tribuna zbresin huliganët dhe njëri prej tyre shkon në mes të fushës dhe godet me karrige Balajn që nuk i bën syri “tërr”. Fillon lufta e grushteve mes lojtarëve të kombëtares, huliganëve, tifozëve serbë dhe lojtarëve të stolit. Nga tribuna zbret çdo gjë, që nga karriget, gurët dhe gozhdët.

Cana grushton huliganin, por në këtë moment fillon një rrahje masive. të paguar për ta mbajtur rendin e qetësinë në stadium, një person me veshje të sigurimit të stadiumit e sulmoi me grushte kapitenin e Shqipërisë, Lorik Canën. Shqiptarët nuk gjunjëzohen dhe “luftojnë” nën sytë e policisë që nuk bën asgjë. Edhe sigurimi privat i stadiumit ka sulmuar tifozët shqiptarë. Gjithsesi, pas minutash tensioni në fushë zbret edhe i famshmi Bogdanoviç, që në Xhenova dogji flamurin shqiptar. Është kaos total. Pas rrahjes masive mes lojtarëve shqiptarë dhe tifozëve serbë, kuqezinjtë vrapojnë tek dhomat e zhveshjes. Edhe atje të dhunuar nga tifozët e policia... Atkinson, pas shumë këshillimesh, vendos që të pezullohet ndeshja, që më pas është edhe hilja e madhe ku do ta pësojmë.

Të gjithë brenda në dhomat e zhveshjes. Policia futet e gjitha në fushë. Janë 2000 policë. Bëhet e pamundura që ndeshja të nisë, por shqiptarët janë të pamundur. Janë sulmuar, por kanë qëndruar heroikë, duke mundur këta plehra që nuk dinë të të presin si mik. Në dhomat e zhveshjes, shqiptarët e kanë të pamundur të zbresin në fushën e lojës. Më pas gjithçka ngatërrohet edhe më shumë, sepse gjyqtari deklaron se Shqipëria nuk pranoi të kthehej në fushë. Shqiptarët nuk e pranojnë një gjë të tillë dhe refuzojnë pretendimet e serbëve dhe UEFA- s. Luftë sportive dhe diplomatike për gati 10 ditë dhe më shumë derisa, vjen vendimi. Por UEFA nuk e çau kokën për drejtësi dhe vendosi që Shqipëria të jetë fajtore, duke çuar dy shtete në praglufte për një ndeshje futbolli.

Kur ofenduam UEFA-n dhe tifozët...

Vendimi i UEFA-s më 24 tetor 2014 dhe ai i Apelit më 2 dhjetor kanë qenë më skandalozët për UEFA-n dhe organet e saj. U dënuam, sepse ofenduam tifozët në stadium. Për të luajtur kanë qenë dakord arbitri dhe ne refuzuam ndeshjen. Ishim fajtorë për dronin dhe kaosin, për drurin, asnjë fjalë. Por si ka qenë e vërteta. Komisioni i disiplinës kishte një të vërtetë dhe zyrtarët e tjerë, veç gjyqtarit Atkinson, një tjetër. Delegati e shefi i sigurisë kishin një version të tyrin.

Të gjithë këta zyrtarë kanë detajuar me minuta atë çka ndodhi në fushë, duke filluar nga hedhja e fishekzjarrëve, dronit me banderolë, zaptimi i fushës nga tifozët serbë, goditja e Balës me karrige nga një tifoz vendas i futur në fushë e deri te hedhja e sendeve të forta gjatë hyrjes së lojtarëve shqiptarë në dhomat e zhveshjes. Në raportet e tyre, gjyqtari Atkinson dhe shefi i gjyqtarëve Frohlisch kanë shkruar se kapiteni i Shqipërisë Lorik Cana u ka argumentuar se lojtarët kuqezi e kanë të pamundur të rifillojnë ndeshjen për shkak të gjendjes së tyre fizike dhe psikologjike pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit.

Por çuditërisht, të dy këta zyrtarë pas këtij citimi të Canës kanë shtuar në raport, se skuadra shqiptare refuzoi kthimin në fushë. I vetmi që nuk i ka marrë si refuzim deklaratat e Canës ka qenë delegati i ndeshjes, holandezi Harry Been, i cili në asnjë moment nuk ka shkruar se shqiptarët kanë refuzuar të rifuten në fushë. Ajo që e bënte edhe më kontradiktor vendimin e UEFA-s është deklarata e oficerit të sigurisë, Vincent Egbers, të cilin UEFA e kishte dërguar në Beograd për ndeshjen e 14 tetorit.

Raporti i tij ngel në klasë autoritetet serbe sa i përket sigurisë në stadium. Duke ilustruar edhe me foto raportin e tij, oficeri Egbers, ka shkruar se siguria në stadium ishte shumë e dobët, policia dhe forcat e sigurisë u treguan shumë pasive për të mos lejuar futjen e tifozëve në fushë dhe më pas për të kapur ata që dhunuan futbollistët e Shqipërisë. Gjithsesi, disiplina na dënoi me humbjen e tri pikëve në tavolinë dhe 100 mijë eurove gjobë dhe këtë qëndrim mbajti edhe Apeli i UEFA-s më 2 dhjetor. Pas dy vendimeve disiplinore, Shqipëria vendosi të ankohej në KAS Lozanë, ku mori drejtësinë...

Kombinimet për të shkuar direkt në "EURO 2016"

Një tri pikësh i artë për Shqipërinë. Aktualisht ne jemi në vendin e dytë të grupit I me 10 pikë, katër ndeshje dhe me golaverazh 7-2 dhe jemi të kualifikuar. Matematikisht janë në lojë edhe 12 pikë për ne. Luajmë me Danimarkën, Portugalinë, Serbinë dhe Armeninë. Nëse dalim të marrim pikë në Danimarkë dhe fitojmë të paktën me Armeninë është e sigurt që ne jemi të dytët, pasi danezët duhet të luajnë një ndeshje me Portugalinë, në mos njëra, tjetra mund arrihet nga skuadra jonë kuqezi.

Nëse fitojmë me Danimarkën dhe një nga ndeshjet e tjera, kuqezinjtë janë të dytët çfarëdolloj gjëje të ndodhë në grup. Vetëm katër humbje rresht nuk na çojnë të tretët, por me kushtin që Armenia të fitojë tre ndeshjet e saj, kombinim i pamundur. Praktikisht jemi në play-off, por edhe sikur të jemi të tretët, gjasat që mund të shkojmë në europian si e treta më e mirë e grupeve është shumë i madh. Kuqezinjtë duhet të menaxhojnë sa më mirë 4 ndeshjet e mbetura. Mund të mjaftojnë për t’u kualifikuar, vetëm 4 pikë, në katër ndeshje.