e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Juventusi nis sulmin per Januzajn, Mojes e planifikon si titullar

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventusi nis sulmin per Januzajn, Mojes e planifikon si titullar

Adnan Januzaj ka përpara disa zgjedhje shumë interesante për vazhdimin e karrierës së tij, pasi futbollisti 18-vjeçar konfirmohet si një nga yjet e mundshëm të merkatos së verës në Europë. Sipas asaj që konfirmojnë mediat britanike, për futbollistin po interesohet fuqimisht Juventus, që ka zhvilluar bisedimet e para me përfaqësuesit e lojtarit, duke i vënë para një ofertë të ngjashme me atë të Pol Pogba, futbollist që ia ka vjedhur në fillimin e sezonit të kaluar pikërisht “djajve të kuq”.

E përditshmja britanike “Daily Mail” bën të ditur për interesimin e ekipit italian për futbollistin dhe ka treguar se si bardhezinjtë janë gati të bëjnë hapat e parë me një ofertë zyrtare që në muajin janar. Sipas saj, menaxheri i futbollistit është lajmëruar për këtë interesim dhe faktin që bardhezinjtë janë gati të ulen në tavolinën e bisedimeve për të bërë një ofertë të ngjashme me atë që mundësoi transferimin e francezit te kampionët e Italisë.

Lajmi ka shqetësuar jashtë mase trajnerin David Mojes, i cili e sheh talentin shqiptar si të ardhmen e skuadrës që ai drejton. Për këtë arsye, trajneri ka kërkuar nga klubi të bëjë gati një kontratë të re për Januzajn, për të evituar “arratisjen” e lojtarit, për të cilin përflitet se interesohen edhe Barcelona e Mançester Siti. “Daily Mail” insiston se rinovimi i kontratës deri tani është shtyrë nga një kërkesë e lojtarit, i cili nuk do të pranojë të hedhë firmën në letër pa pasur më parë garancinë për një rol protagonisti në skuadër dhe jo vetëm pak minuta aktivizim si zëvendësues herë pas here.

Kjo është arsyeja pse Mojes po mendon seriozisht që ta aktivizojë që sot si titullar mesfushorin me tipare ofensive, në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Liverpulit. Ndonëse kjo është një nga ato që cilësohen si klasiket e futbollit anglez, trajneri mendon se ka ardhur koha që t’i jepet më shumë hapësirë Januzajt, i cili ka shkëlqyer sa herë që ka hyrë në fushën e lojës. Pritet që lojtari shqiptar të zërë vendin e futbollistit të kombëtares angleze, Eshli Jang, i cili nuk po kalon një formë të mirë në këtë fillimsezoni.

Ndërkohë, të reja mjaft interesante mund të vijnë edhe për sa i përket të ardhmes “ndërkombëtare” të Januzajt. Mediat belge, gjatë ditës së fundit, flasin për një vendim të marrë nga futbollisti rreth kombëtares që do të përfaqësojë dhe presin që ai ta bëjë publik gjatë kësaj jave. Për momentin, askush nuk mund të thotë me siguri se cili është ky vendim, pasi Januzaj, familja dhe përfaqësuesit e tij, kanë kërkuar që futbollisti të lihet i qetë në këtë pikë të karrierës dhe të mos vihet nën trysninë e një zgjedhjeje që tani.