Juve, lutju Nënë Terezës pas dëmtimit të Dibalës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga KARLO GARGANEZE
Në ditën që u lajmërua se Nënë Tereza do të bëhet shenjtore, Juve është lutur për bekimet e saj ndaj Bajernit në Ligën e Kampioneve. Sikur detyra e tyre në ndeshjen e kthimit në Gjermani të mos ishte mjaftueshëm e vështirë, virtualisht është bërë edhe e pamundur tani që Dibala dhe Markizio nuk do jenë të gatshëm. Ata i bashkohen mungesës së Kielinit dhe Kaseresit.
Ndërsa me Manxukiçin në dyshim, Khedirën larg formës më të mirë dhe me Moratën e humbur, do të ishte një shok i madh sikur Juventusi ta mbante makinerinë gjermane në gjysmëfushën e saj. Djemtë e Guardiolës mburren me rekordin në tokën e tyre. Këtë sezon, në të gjitha kompeticionet, ata kanë luajtur 17 ndeshje në "Allianz Arena", ku kanë fituar 16 dhe shënuar 63 herë (3.7 gola për ndeshje).
Në Champions, këtë sezon, kanë shënuar 14 gola në 3 ndeshjet në shtëpi, përfshirë 5-1 ndaj Arsenalit. Sezonin e shkuar realizuan 7 gola në portën e Shahtjorit dhe 6 në të Portos në fazën me eliminim direkt. Skuadra e fundit kontinentale që ka fituar në Mynih ishte Reali, 2 vite më parë. Por nëse ka një klub që mund të sfidojë logjikën, ai është Juventusi.
Bajerni dhe kampionët e Europës, Barcelona, mund të jenë dy ekipet më të forta të kontinentit, por pas tyre nuk ka asnjë skuadër më superiore se Juve. Nënkampionët e Europës kanë fituar 18 nga 19 ndeshjet e fundit të Serisë A, ndërsa Bufon ka 923 minuta pa pësuar gol në kampionat. Ai është vetëm 4 minuta larg rekordit të pathyeshmërisë në Serinë A.
"Zonja e Vjetër" e tregoi në pjesën e dytë ndaj Bajernit në Torino se çfarë karakteri ka. Me dy gola në disavantazh, çdo ekip do ishte dorë- zuar, por karakteri i Juves, për të mos u dorëzuar kurrë, u dhuroi atyre një tjetër shans në ndeshjen e dytë. Megjithatë, lajmi i dëmtimeve të së martës, veçanërisht ai i Dibalës, është një goditje fatale.
Argjentinasi, i cili përshkruhet nga Kapelo si 22-vjeçari më i mirë në botë, është një fitues i klasit botëror, pa të cilin Juventusi nuk mund të bëjë. Manxukiç do shtrëngojë dhëmbët, por nëse nuk ia del forca sulmuese me Moratën dhe Zazën nuk përhap dot panik në mbrojtjen e sakatuar të Bajernit. Natyrisht që duhen ngritur pyetje për laboratorët mjekësorë të Juventusit. Madje, dikush duhet të marrë përgjegjësi dhe japë shpjegime.
Trajnerët e fitnesit të Alegrit janë të njëjtët që ai kishte te Milani dhe është e dokumentuar sa e tejmbushur ishte infermieria e kuqezinjve gjatë viteve 2010-2014. A është rastësi që Juven e prek e njëjta epidemi?
Një muaj më parë, lista e dëmtimeve të bardhezinjve këtë sezon arriti në 43, 29 prej të cilave muskulore. Dëmtimet në fillim të sezonit rrezikuan mbrojtjen e titullit, por skuadra ka bërë një rikuperim në kufijtë e mrekullisë për t'u rikthyer e para. Sidoqoftë, atyre do t'u duhet një tjetër mrekulli e Nënë Terezës sot për të kaluar gjithë pengesat e tyre dhe mundur Bajernin e fortë.