Junajtid e Borusia duan revansh ne Europe
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gigs - Nëse uellsiani aktivizohet sot ndaj Olimpiakos, do të bëhet futbollisti më i vjetër që ka luajtur në Ligën e Kampioneve, me moshën 40 vjeç e 88 ditë
Katër ndeshjet e dyta të fazës me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve fillojnë sot me dy sfida revanshi, të skuadrave që nëpërmjet këtij turneu ndërkombëtar duan t’i japin kuptim sezonit të tyre. Borusia Dortmund dhe Mançester Junajtid luajnë shanset për të ecur përpara në këtë turne, por edhe për të lënë pas dështimet që po përjetojnë në aktivitetet futbollistike në vendet respektive. Të mërkurën, në fushë zbresin edhe Çelsi dhe Real Madrid, dy pretendentë për fitoren e trofeut, me të katër këto ekipe që shpresojnë në suksesin e skuadrave udhëtuese, ashtu siç ndodhi me 4 ndeshjet e para të kësaj faze.
Gjermanët e Borusia Dortmund nuk po arrijnë të shfaqen në formën e sezonit të kaluar, ku ishin më të qëndrueshëm në Gjermani, ndërsa shkuan me një lehtësi të admirueshme deri në finalen e Ligës së Kampioneve. Dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve kryesorë si Bender, Humels, Gundogan apo Blazhçzikovski, kanë penalizuar ekipin, që për momentin ka besuar thuajse gjithçka te aftësitë individuale të Levandovskit dhe Aubamejang. Por vizita e tyre në fushën e Zenit Shën Petersburg nuk do të jetë e thjeshtë, edhe pse ekipi rus regjistroi një rekord negativ duke u kualifikuar në këtë fazë me vetëm 6 pikë dhe 5 gola të shënuar. Skuadra e Spaletit ka si pikë më të fortë fushën e saj, ku nuk mundet që nga tetori i vitit 2012, ndaj Borusia duhet të jetë e vëmendshme që sot nëse synon çerekfinalet.
Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Mançester Junajtid do të kërkojë të ruajë statistikën e shkëlqyer që ka ndaj skuadrave greke, me të cilat në turnetë ndërkombëtarë regjistron 8 fitore e 2 barazime. Por Olimpiakos do të kërkojë nga ana e vet që të thyejë tabunë ndaj “djajve të kuq”, me të cilët regjistron 4 humbje në po aq ndeshje të luajtura mes dy klubeve. Fakti se skuadra greke thuajse ka siguruar kampionatin vendas dhe mund të përqendrohet plotësisht te Liga e Kampioneve, mund ta bëjë këtë sfidë mjaft të paparashikueshme. Që nga momenti kur drejtimin e skuadrës së Olimpiakos e mori Mishel, ajo regjistron 41 fitore e 6 barazime në fushën e saj, duke vërtetuar se në Athinë, do të jetë shumë e vështirë për t’u mundur, ndonëse përballë do të jenë emra si Runi, Van Persi apo Mata.
Mesjava e Ligës së Kampioneve vazhdon të mërkurën me një sfidë shumë interesante mes Gallatasarajit dhe Çelsit. Didier Drogba do të vihet përballë skuadrës që ndihmoi të fitonte Ligën e Kampioneve dy vite më parë, ashtu si edhe trajnerit që ai e cilëson një “njeri të familjes”, Zhoze Murinjo. Ekipi turk mbërriti në çerekfinalet e turneut një vit më parë, ndonëse këtë radhë pritet ta ketë më të vështirë kalimin e turit përballë ekipit që aktualisht kryeson kampionatin anglez. Nga ana e tyre, londinezët që drejtohen nga Zhoze Murinjo, duan të kthehen protagonistë në atë që cilësohet si trofeu i preferuar i pronarit Abramoviç. Edhe ëndrra e teknikut portugez për t’u bërë trajneri i parë në histori që fiton turneun me tri skuadra të ndryshme, mund të jetë një armë më shumë në këtë pikë të turneut për blutë.
Ndeshja e katërt e kësaj mesjave të Ligës së Kampioneve regjistron përballjen e parë në aktivitete zyrtare mes Shalkes dhe Real Madrid, ndonëse dy ekipet janë vazhdimisht pjesë e turneve ndërkombëtare. Megjithëse ekipi spanjoll shihet si favorit për kalimin e turit, e pse jo, fitoren e Ligës së Kampioneve, ajo që bie në sy në historikun e tij është statistika krejtësisht negative në udhëtimet drejt Gjermanisë. Në 25 ndeshje të luajtura në transfertë ndaj ekipeve gjermane, Real Madrid ka humbur 18, barazuar 6 dhe fituar vetëm 1, në sezonin 2000-2001 ndaj Bajern Leverkusen me rezultatin 3-2. Megjithatë, madrilenët kanë në anën e tyre statistikën e shënimit të golave në 21 ndeshjet e fundit radhazi në këtë turne, që mund t’i ndihmojë për të kaluar në turin tjetër të aktivitetit.
Liga e Kampioneve
Sot
Zenit-B. Dortmund
Olimpiakos-M. Junajtid
Të mërkurën
Gallatasaraj-Çelsi
Shalke-Real Madrid
18.02.2014
M. Siti-Barcelona 0-2
B. Leverkusen-PSG 0-4
19.02.2014
Arsenal-B. Mynih 0-2
Milan-A. Madrid 0-1