Ju prezantojme kundershtarin e Skenderbeut ne Champions

Ju prezantojme kundershtarin e Skenderbeut ne Champions

Skënderbeu ka rastin e artë për të hyrë në histori si i pari ekip shqiptar që kualifikohet në grupet e Ligës së Evropës.

Sipas rregullores, në rast se skuadra korçare eliminon moldavët e Milsamit në raundin e tretë eliminator të Ligës së Kampionëve, kalon playoff. Nëse triumfon edhe aty shkon në grupet e Championsit, kurse po u eliminua e ka të sigurt pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

Përballjen e parë me kampionët e Moldavisë ekipi i Mirel Josës do ta ketë të martën e 28 korrikut jashtë fushe, kurse të kthimit një javë më pas (4 gusht) me shumë gjasa në “Elbasan Arena”.

Po cili është rivali i kampionëve të Superligës?

FC Milsami Orhei është një klub me bazë në Orhei, qytezë rreth 40 kilometra nga kryeqyteti i Moldavisë Kishiniev. Është themeluar në vitin 2005 me emrin Vitorul Orhei. Në verën e 2010-ës, biznesmeni asokohe 23-vjeçar Ilan Shor mori në pronësi klubin duke i ndryshuar emrin në Milsami, bashkim i germave të para të investitorëve kryesorë. “Shqiponjat” luajnë në një stadium me kapacitet prej 2539 vendesh.

Sezonin e kaluar Milsami u shpall kampion i Moldavisë për herë të parë në histori, kurse në 2011/2012-ën fitoi Kupën dhe Superkupën. Ndërkohë në vitrinën e vet klubi moldav ka edhe një titull kampioni të “Moldovan “A” Division” (2008-2009).

Në Evropë është përfaqësuar për herë të parë në vitin 2012, ku u eliminua me rezultatin e përgjithshëm 5-1 nga gjeorgjianët e Dinamo Tbilisit në turin e parë eliminator të Ligës së Evropës. Një vit më pas ishte sërish pjesëmarrëse në këtë garë, në raundin e dytë kualifikues, ku u mposht 5-4 nga FC Aktobe. I suksesshëm ishte përfaqësimi në Ligën e Evropës 2013-2014, kur shkoi deri në fazën e tretë eliminatore duke kaluar F91 Dudelanzhin e Luksemburgut (1-0) dhe Shakhtior Salihorskin me penallti (2-2 rezultati i rregullt). Në turin e tretë u eliminua nga francezët e Sent Etienit me rezultatin e përgjithshëm 6-0.

Pjesa më e madhe e lojtarëve janë vendas, sikurse trajneri 41-vjeçar Iurie Osipenko. Skuadra luan një futboll tërheqës, me mbrojtje të disiplinuar e kundërsulme të shpejta, si dhe shumë e rrezikshme në lojën në ajër. Zakonisht përdor rreshtimin 4-5-1, ndërsa ylli i skuadrës është kapiteni 31-vjeçar Romeu Surdu, ish-sulmues i Steauas së Bukureshtit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama