e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Josip Kuzhe: Per te ardhmen flas ne fund te Euro 2012

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Josip Kuzhe: Per te ardhmen flas ne fund te Euro 2012
Josip Kuzhe flet në 360 gradë, në prag të dy ndeshjeve të fundit që Shqipëria do të luajë në kualifikueset e Euro 2012. Për “SuperSport”, drejtuesi i stolit kuqezi analizon edicionin e Kombëtares në eliminatoret e aktivitetit kontinental, tregon momentet e mira dhe të këqija në krye të skuadrës, shpjegon zgjedhjen përse i ka besuar deri në fund “veteranëve”, nënvijëzon çfarë mund të pritet nga Botërori 2014, ndërsa flet edhe për të ardhmen e tij. Përpara ndeshjeve të muajit shtator, 58-vjeçari dukej pranë konfirmimit në krye të stolit, megjithatë humbja me Francën, e mbi të gjitha ajo me Luksemburgun, ndryshuan gjithçka. “Deri në ndeshjen me Luksemburgun nuk kam pranuar të flas me askënd për kontratën, për atë që do të ndodhte pas janarit 2012.

 Por aty ndjeva nevojën të flisja, pasi ajo disfatë nuk ishte e lehtë për t’u kapërdirë. Gjithsesi, të gjithë njerëzit me të cilët kam biseduar, qoftë edhe presidenti Duka, më kanë këshilluar të mos flas për kontratën, pasi ky nuk është një moment i mirë”, deklaroi trajneri. “Për këtë arsye kam vendosur të jap maksimumin në dy ndeshjet e mbetura dhe më pas do të ulemi e të bisedojmë, të analizojmë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ka disa specifika: mandati i dytë është shumë më i vështirë për trajnerin, duhet të jesh 100 për qind rigoroz, ndërsa atmosfera që krijohet mund të të vërë disi në gjumë. Por, mendoj se kam për të mësuar nga eksperienca e mandatit të parë. nuk është e lehtë të njohësh realitetin e futbollit shqiptar, futbollistët shqiptarë, të ndërtosh një skuadër dhe të krijosh një atmosferë të mirë.

Shqipëria i ka mundësitë për të ndërtuar një ekip të mirë edhe në të ardhmen. Në kushtet aktuale, një trajner mendon nëse do të qëndrojë, apo t’i hapë rrugën dikujt tjetër. Nëse më pyesni se çfarë do të bëj në këto momente, përgjigjja ime është që realisht nuk e di”. Kuzhe analizoi edicionin e kuqezinjve në Euro 2012, duke shtuar se: “Kur fillojnë eliminatoret, një trajner nuk është edhe aq realist. Shpeshherë bëhet më optimist nga sa duhet, edhe unë fillova të besoja se mund të bënim mrekullinë. Shqipëria u rendit sërish e parafundit? Donim të arrinim diçka më shumë. Edhe pse në krahasim me kundërshtarët nuk jemi më të mirë, synonim të linim pas edhe një skuadër tjetër. Për mendimin tim mund të kishim bërë diçka më shumë”. Trajneri shpjegon përse zgjodhi të mbështetej te garda e vjetër dhe tregon problemin e Shqipërisë: “Mund t’i kisha besuar të rinjve, por nuk ishte koha e përshtatshme, pasi sapo ishte larguar trajneri i mëparshëm. Zgjodha lojtarët më të mirë dhe vazhdova me ata. Pas eliminatoreve, Shqipëria do të ketë pothuajse një vit kohë për t’u përgatitur për Botërorin 2014, të zhvillojë miqësore, të gjejë lojtarë të rinj dhe një frymë të re.

Kombëtarja luan gjithmonë me entuziazëm, ajo që mungon është përqendrimi”. Kuzhe ka mohuar që brenda ekipit të ketë pasur ndonjë çështje për shiritin, ndërsa theksoi se marrëdhëniet me kreun e FSHF-së, Armand Duka, mbeten pozitive. Sipas tij, ndeshja më e mirë në Euro 2012 ishte fitorja 1-0 me Bjellorusinë, ndërsa më e keqja padyshim humbja në Luksemburg (“Gjithçka shkoi keq, nuk kishte asgjë të mirë në atë sfidë”). Për sa i takon shortit në Botërorin 2014, tekniku tha: “E rëndësishme është t’i japësh një kuptim gjërave dhe jo vetëm të marrësh pjesë. Mendoj se ky është një grup i favorshëm, ku Shqipëria mund të marrë diçka më shumë. Kundërshtarët janë disi më cilësorë dhe pak me më shumë përvojë, por gjithçka nis nga 0-0, pra të gjithë janë të barabartë”.