Josa teston ekipin para Vllaznisë, kërkon impulse nga krahët
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bardhekuqtë kanë vijuar dje me seancën e radhës, duke përgatitur kështu ndeshjen e fundjavës kundër Vllaznisë. Seanca ka zgjatur gati 90 minuta, ku trajneri Josa e ka mbajtur ekipin të karikuar në kushte loje.
Pak a shumë me skemat e ndryshme stafi ka praktikuar vendosjen në fushë të ekipit, por edhe daljen në aksione zinxhir, si dhe goditjen e kuadratit.
Seanca ka filluar me streçing dhe ushtrime të ndryshme për qarkullimin e topit. Pas mbarimit të kuadratit, trajneri e ka ndarë ekipin në dy pjesë.
Një grup lojtarësh punonin nën drejtimin e përgatitësit atletik, ndërsa pjesa tjetër nën drejtimin e Mirel Josës, i cili është marrë kryesisht me skema të ndryshme sulmuese.
Trajneri kryeqytetas ka kërkuar nga të tijtë që të dublojnë mirë pozicionet në krahët e fushës, duke aplikuar ushtrime të tilla.
Progni dhe Latifi në krah dubloheshin nga Arapi majtas dhe Vangjeli djathtas, për të krijuar superioritet numerik mbi kundërshtarin, por edhe mundësi zgjedhjeje për lojtarin që kishte topin në këmbë.
Vazhdimisht trajneri bardhekuq ka kërkuar shpejtësi në veprimin e lojtarëve me topin në zotërim duke kërkuar vertikalizime pas shpinës së mbrojtësve, me qëllim për të përfituar nga shpejtësia e dy sulmuesve, Xhejms dhe Renatinjo.
Në fund gjithçka është mbyllur me goditjet drejt portës, por edhe me ndeshjen brenda ekipit, ku është provuar edhe një herë formacioni dhe dyshimet e trajnerit ishin më të pakta.
Josa pritet që edhe pas mungesës së Salihit t'i qëndrojë besnik skemës 4-4-2, duke krijuar një mesfushë të fortë në qendër me Lilajn dhe Orelesin, por edhe një sulm të shpejtë me dyshen e sulmit të mbështetur nga Progni dhe Latifi.
Kjo do të jetë pak a shumë pa asnjë ndryshim pjesa e sipërme e fushës, ndërsa në prapavijë dilema e vetme e trajnerit është qendra e mbrojtjes, nëse do të jetë Jashanica apo Radas kolegu i Osmanit.
Orges Shehi pas grumbullimit me Kombëtaren është vënë në dispozicion të trajnerit duke bërë kështu që ekipi të jetë më i plotë.
Nga ana tjetër, infermieria sjell lajme të mira për korçarët. Teksa Salihi, Abilaliaj, Plaku, Shkëmbi dhe Nimaga nuk ia dalin për Vllazninë, Eskuerdinja është i vetmi që arrin të rikuperohet në kohë dhe të jetë në dispozicion të Josës.
Ll. Saro