e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Josa me pushime: Dervishit i përgjigjem kur të vij nga Greqia

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Josa me pushime: Dervishit i përgjigjem kur të vij nga Greqia

Ashtu sikundër është bërë zakon tashmë, fjalët e trajnerit të Skënderbeut, Mirel Josa, të thëna pas ndeshjes, nuk kishte si të mos komentoheshin edhe nga drejtori i Partizanit, Dervishi, i cili këtë herë ka zgjedhur të hedhë kunja dhe ngacmime kundrejt trajnerit kryeqytetas të Skënderbeut.josa1

Deklarata e Josës, e dhënë pas ndeshjes me Flamurtarin, se Partizani do t'i fitojë të gjitha takimet deri në fund të sezonit, përveç atij me Skënderbeun, ka sjellë sërish reagimin e drejtorit të të kuqve që nuk humbet rastin e vetëm për të sulmuar gjithkënd që gjen përpara.

I kontaktuar me telefon nga "Panorama Sport", trajneri i Skënderbeut, i ndodhur në Greqi për dy ditë pushime, ka vendosur të shijojë më mirë rehatinë e tij, sesa të replikojë me Dervishin. Shkurtimisht, Josa ka pohuar se për atë e rëndësishme është që Skënderbeu të jetë i përqendruar dhe asgjë tjetër.

"Për mua e rëndësishme është që ekipin ta kem të karikuar për ndeshjen e radhës dhe të përqendruar deri në fund të sezonit. Kjo është ajo që mua më pëlqen më shumë dhe për këtë jam i fokusuar deri në fund të sezonit.

Për sa i përket deklaratës së Dervishit, do të jap një reagim timin vetëm pasi të kthehem nga pushimet në Greqi", theksoi trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, duke mos vijuar me replika. Ndonëse duhen edhe 9 ndeshje që të mbyllet sezoni, replikat në distancë mes Partizanit dhe Skënderbeut nuk kanë të sosur.