Jetmir Sefa nuk ia del, Vllaznia e përgjysmuar në kryeqytet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Probleme pa fund për Vllazninë në pragndeshjen me Partizanin. Sikur të mos mjaftonin tri mungesat për arsye kartonësh të Cicmilit, Bardullës dhe Krymit, stafi teknik do të ketë një tjetër mungesë të rëndësishme, mesfushorin Jetmir Sefa.
Përpos lojtarit kryeqytetas për arsye dëmtimesh shkodranët më herët kanë humbur edhe Arbrin me Gurishtën. Jetmir Sefa dhe Endri kanë shfaqur probleme shëndetësore gjatë ditëve të para stërvitore të kësaj jave, pas problemeve që lindën pas ndeshjes me Teutën.
Stafi mjekësor po merret intensivisht me ata, por deri tani garanci ka vetëm për rikthimin e Vrapit. Sefa u dëmtua në takimin e fundit me Teutën, por ende ka probleme që e mbajnë larg përballjes me Partizanin. Mesfushori kryeqytetas është një nga lojtarët bazë të ekipit shkodran dhe me paraqitjen e tij ka qenë një ndër më të mirët në takimet e fundit.
Në këto kushte, Vllaznia është e detyruar që të luajë ndaj Partizanit me gjashtë mungesa. Mungesat më të mëdha janë në repartin mbrojtës, kur dihet se më parë janë dëmtuar edhe Arbri me Gurishtën.
Lëvizjet në formacion - Duke parë kontingjentin e limituar që trajneri Cungu ka në dispozicion, për kuqeblutë do të jetë shumë e vështirë për të marrë pikë, ndonëse skuadra nuk heq dorë nga një gjë e tillë. Ashtu si ndaj Skënderbeut, skuadra shkodrane duket se shkon e dorëzuar në Tiranë.
Megjithatë, me një formacion thuajse të përgjysmuar, Vllaznia udhëtoi edhe në takimin e fazës së dytë në kryeqytet përballë Partizanit dhe u mposhtën vetëm në minutën e fundit. Mungesat kanë bërë që trajneri Cungu të shikojë lëvizjet më të mira të mundshme në formacion.
Ai është duke i menduar të gjitha mundësitë, ndonëse nuk ka shumë alternativa për formacionin. Nga sa po shikohet deri në këto momente, më të mundshmit për të qenë titullarë janë Tafili në qendër të mesfushës, ku pranë tij mendohet të jetë dyshja Rudoviç-Kapaklija.
Mesfushori malazez do të jetë para mbrojtjes për të zëvendësuar Krymin, ndërsa në vendin e Sefës pritet që të luajë Kapaklija. Një tjetër lojtar që do të aktivizohet nga minuta e parë, ndryshe nga takimi me Teutën, do të jetë sulmuesi Arenc Dibra. Deri tani, këto priten të jenë lëvizjet që trajneri Cungu po bën për të përballuar Partizanin.