Je suis Albanie

'Je suis Albanie'

Mavraj dhe Gashi, Shqipëria “gjen” 4 minutat e lavdisë. Kuqezinjtë përmbysin një ndeshje të nisur mos më keq, pas autogolit të Mavrajt dhe shkojnë në 7 pikë. Endrra drejt Francës vazhdon

 

Për të shkuar në Francë si turist, të duhet një biletë avioni dhe disa euro me vete… Për të shkuar si pjesë e kampionatit Europian të pas një viti, mjafton të dalësh i pari, apo i dyti në grup dhe të fitosh një ndeshje si ajo e mbrëmshmja në “Elbasan Arena”. Zemra, dëshira, motivimi, besimi dhe në fund, vendosmëria për të mos u dorëzuar edhe kur fati ndoshta të kthen krahët. Kombëtarja sot është një ëndërr që vazhdon dhe dita ditës po bën krenarë miliona shqiptarë në botë.

 

E ndërsa u duk sikur në minutën e 4-ërt për një moment shpresa u zbeh, kur Mërgim Mavraj devijoi topin në rrjetën e portës së tij, ishte po mbrojtësi kuqezi ai që rikthehu besimin tek të gjithë, duke shënuar në atë portë që dukej e mallkuar dhe që më pas u bë “mike” për të gjithë ne. Një gol që ndezi tifozët, ambientin dhe ëndrrën për të shkruar historinë. E pa u mbushur mirë 4 minuta, Shkëlzen Gashi, i shumëkërkuari dhe prituri nga tifozët, realizoi edhe golin e dytë, duke na dhënë një fitore të madhe, të rëndësishme dhe duke na provuar edhe zemrën se sa të fortë e kemi… Por, janë pikërisht këto gjëra në jetë ato që të bëjnë të ndihesh edhe më i plotësuar. Me apo pa Platini, ne do të provojmë të shkojmë aty ku s’kemi shkuar kurrë, në një Europian. Rruga është e duhura, tani s’duhet të ndalemi më.

Risitë – Në formacionin kuqezi rikuperon Mërgim Mavraj, që s’kishte hequr dorë nga shpresa për të qenë në dispozicion të trajnerit De Biazi. Mbrojtësi i Këlnit ka kryer vetëm fizioterapi dhe ushtrime individuale dhe momenti kur ka dalë i pari në nxemje ishte një shpërthim euforie nga tifozët në “Elbasan Arena”. Ndërkaq, pjesa tjetër e formacionit pa Roshin nga minuta e parë, në krah të djathtë, dhe Xhakën si të majtë, në mesfushën me pesë. Në qendër, Memushaj, Kukeli dhe Abrashi. Ndërsa, në sulm, Sokol Cikalleshi i vetëm për të vënë nën presion armenët. Ndërkaq, Shaland konfirmon thuajse gjithçka dhe paraqitet me një formacion më mbrojtës duke i besuar fantazisë së Mikitarian dhe shpejtësisë së Movsisian, pa harruar edhe Gazharian, një lojtar kyç në këtë Kombëtare.

Ndeshja – Edhe skenaristi më i mirë i filmave “horror” apo “thriller” s’do mund të mendonte një start më të hidhur për 12 500 tifozët në “Elbasan Arena” dhe milionat e tjerë që ndodhet kudo në botë. Hysaj bën një pasim të gabuar dhe Mikitarian merr top, duke depërtuar brenda zonës kuqezi, pasi Cana nuk e pengon për të mos rrezikuar penalltinë. Fantazisti i Dortmundit pason për në qendër, aty ku Mavraj në tentativë për të larguar topin e devijon në portën e tij, duke shtangur Berishën. Një goditje e fortë psikologjike, një grusht i rëndë për kuqezinjtë, që duan disa minuta sa të marrin veten. Pikërisht në atë moment, ngjitet në katedër “profesor Agolli”, i cili krahun e djathtë të mbrojtjes e kthen në një “pistë personale”. Dhe, nga ai krah, vijnë saktësisht pesë krosime të rrezikshme të gjitha në pjesën e parë. Në fillim Xhaka nuk gjen kuadratin. Lojtarin e Bazelit e imiton ai i Grasshoper, Abrashi, që konfirmon se centimetrat ndonjëhëerë bëjnë punë… Provon edhe Cikalleshi, por shtylla i thotë “jo”, ndërsa edhe Cana përpiqet me armën më të fortë, kokën, por pa fat. Pjesa e parë mbyllet po me Cikalleshin që kërcen më shumë se kushdo në zonën armene, por goditja me kokë është qendrore dhe portieri Berezovski e ka të lehtë ta bllokojë. Eshtë pjesa e dytë ajo që i ndërron “fytyrën” Shqipërisë, kur De Biazi aktivizon Gashin në vend të Abrashit dhe Lenjanin në vend të Memushajt.

 

Kuqezinjtë janë më kërkues dhe marrin në dorë frerët e lojës, ndërsa miqtë kthehen mbrapa në ruajtje të rezultatit. Tashmë De Biazi kërkon më shumë pasime dhe hapje loje, ajo që skuadra e tij bën. Lenjani është më i rrezikshmi dhe dy herë krijon rreziqe në krah, ndrësa Gashi jep shkëndijën që mungonte, ndërsa Armenia me Pizelin provon nga 40 metra të befasojë portierin Berisha, që e ndjek me sy topin teksa kalon mbi tra. Mes minutës së 71 dhe 73 është fati ai që na pengon të barazojmë, kur Mavraj godet shtyllën dhe topi i kthehet portierit, ndërsa gjuajtja e fortë jashtë zone nga Cikalleshi përplas sferën në shtyllën pingule të portierit armen…

 

Ndërkohë, miqtë kanë mbetur me dhjetë pas daljes me të kuq (dy të verdha) të Hambardzumian. Presingu kuqezi shtohet, ndërsa tifozët vazhdojnë të mbështesin me kore dhe brohoritje. Dhe, pikërisht atëhëerë kur shpresa po zbehej, njeriu i fatit, ai që rikuperoi në kohë dhe na ngjalli besimin, Mavraj, realizon me kokë, pas krosimit perfekt të Xhakës. Një barazim që i jep linfë të re Shqipërisë, e cila e detyron Armeninë të kthehet në hapësirë prej 25 metrash katror. Kalojnë vetëm katër minuta dhe Gashi, po me kokë, realizon golin e dytë me kokë, pas një krosimi perfekt të Lenjanit. Eshtë goli që ngre në këmbë çdo shqiptar, ndërsa në fund, Armenia godet shtyllën, por këtë herë, fati vishet kuqezi… Gjyqtari vërshëllen fundin, ndërsa Shqipëria merr fitoren e dytë në grup dhe shkon 7 pikë. E nëse KAS-i do të tregohet “i drejtë”, ëndrra do të certifikohej në mundësi reale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama