e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Java e 27-të e Superiores, ja vlerësimi për skuadrat

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Java e 27-të e Superiores, ja vlerësimi për skuadrat

Skënderbeu ka marrë notën më të lartë bazuar në paraqitjen e tij në kuadër të javës së 27-të të Kategorisë Superiore. skenderbeu flamurtari 5-1Djemtë e Josës zhvilluan një ndeshje shumë të mirë ku triumfuan ndaj Flamurtarit 5-1. Notën më të ulët e marrin vlonjatët të cilët u shpërfytyruan nga korçarët.

Skënderbeu 7.5

Korçarët shpërthejnë me pesë gola ndaj Flamurtarit, duke treguar edhe një herë tjetër se janë skuadra për t'u mundur në Superiore. Nuk i bën aspak përshtypje barazimi provizor i vlonjatëve, pasi ka një super-Salihi, që arrin të realizojë nga çdo pozicion.

Partizani 7.5

Një skuadër me karakter, që i shkakton humbjen më të rëndë Teutës në Durrës gjatë këtij sezoni. Të kuqtë mendohej se do të vuanin barazimin ndaj Skënderbeut, por në "Niko Dovana" treguan një shpirt të lartë gare. Lojtarë si Batha, Vila, Trashi, Torasa etj., po kalojnë një formë të shkëlqyer, duke udhëhequr këtë Partizan.

Vllaznia 7.5

Ajo në Ballsh mund të quhet edhe si fitorja e muajit për kuqeblutë. Në "finalen" e mbijetesës shkodranët marrin një triumf që ka vlerën e 6 pikëve, pasi mposhtën rivalin direkt. Cungu ka rikthyer besimin dhe ndaj Bylisit skuadra hodhi një hap shumë të rëndësishëm në luftën për mbijetesë, që po bëhet edhe më e ashpër.

Kukësi 6

Barazon ndaj rivalit direkt në luftën për Europë, por me lojën e zhvilluar i kishte të gjitha mundësitë për të dalë me tri pikë. Transferta ndaj Tiranës tregoi edhe një herë tjetër se Kukësi i Duros është i frikshëm dhe duket se do ta blindojë vendin e tretë.

Tërbuni 5.5

Pukjanët po i japin bukuri kampionatit, duke luajtur ndershëm. Edhe këtë herë barazuan ndaj Laçit, teksa me pak kujdes mund të kishin marrë tri pikë. Lojtarët dhe stafi i Tërbunit po kthehen në heronj, pasi po motivohen edhe pa u paguar nga klubi.

Tirana 5

Çdo javë që kalon duket se thellon krizën e bardhebluve. Barazoi ndaj Kukësit, por rrezikoi deri në fund për të humbur, falë pritjeve të portierit Bakaj. Me këtë ecuri do ta ketë shumë të vështirë për të rivalizuar Kukësin dhe Teutën për vendin e tretë.

Laçi 4.5

Nuk është më ai ekip që frikësonte çdo kundërshtar. Kurbinasve u ka humbur agresiviteti dhe në Pukë shmangën humbjen vetëm në minutat e fundit. Shpërthimi i trajnerit Nica pas ndeshjes, shoqëruar me dorëheqje konfirmoi situatën e rëndë te bardhezinjtë.

Teuta 4

Durrsakët nuk mundën të rezistonin kundër një Partizani shumë agresiv. Edhe pse në pjesën më të madhe të lojës arritën të ishin si të barabartë ndaj të kuqve, u mungoi befasia dhe harmonizimi i veprimeve sulmuese. Edhe mbrojtja ka jo pak përgjegjësi në disa situata. Një ndeshje për t'u harruar.

Bylisi 3.5

Mungesat e shumta për një ekip si Bylisi normalisht që ndikojnë, aq më tepër në një ndeshje me ngarkesë të madhe psikologjike si ajo kundër Vllaznisë. Megjithatë, në fushë për 90 minuta ballshiotët bën shumë pak për të merituar qoftë edhe një pikë në "finalen" e mbijetesës.

Flamurtari 3

Një skuadër e shpërfytyruar. Jep shkëndija në pjesën e parë ndaj Skënderbeut, por më pas shthuret dhe bën gabime amatoreske. Vlonjatët po rrezikojnë seriozisht rënien nga Superiorja.