e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Jashanica: Luajmë pastër, Mynih 1860 më kërkon ende

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Jashanica: Luajmë pastër, Mynih 1860 më kërkon ende

Pesë vite kampion, megjithatë Skënderbeu ende nuk ka fituar Kupën e Shqipërisë, trofe që i mungon. Në gjysmëfinale korçarët do të kenë përballë fituesin në fuqi, Laçi. Bajram Jashanica beson se skuadra e tij do të arrijë në finale. jashanicaNë një intervistë për "Panorama Sport" mbrojtësi flet për objektivat me korçarët, por edhe të ardhmen e tij, e cila pritet të jetë larg Skënderbeut, pasi ofertat s'i kanë munguar. Ecuria e skuadrës në javët e fundit ka qenë mjaft e mirë.

Mendoni se ndërprerja e kampionatit mund ta dëmtojë skuadrën?

Është shumë e vërtetë që kemi bërë një ecuri të mirë dhe javët e fundit kemi gjetur ritmin e duhur sidomos në sfidën ndaj Flamurtarit. Nuk besoj se do të na dëmtojë një ndalesë e kampionatit, aq më tepër që ne kemi mbushur me miqësore këtë fazë. Madje mendoj se do të na shërbejë, pasi kishim kohë pa bërë pushim dhe gjendja fizike e të gjithë lojtarëve do të rritet.

Jeni në garë si në Kupë edhe në kampionat. Do të jetë ky viti që Skënderbeu do të fitojë dy trofetë?

Ashtu si çdo vit jemi në luftë për të fituar edhe Kupën, edhe kampionatin. Normalisht për ne kampionati është më i rëndësishëm, pasi është objektivi ynë primar, por edhe Kupa këtë vit do të ketë rëndësi të veçantë. Nuk e kemi fituar asnjëherë dhe është i vetmi trofe që na mungon. Ndaj mund të them se do kërkojmë të marrim dy titujt këtë sezon.

Sa e vështirë do të jetë një gjë e tillë?

Normalisht që është e vështirë, pasi kërkon impenjim të madh dhe duhet të jemi më shumë të përqendruar. Besoj se, duke i marrë takimet me radhë, do ta kemi disi më të lehtë dhe do të mund ta menaxhojmë më mirë situatën.

Laçi është një kundërshtar i favorshëm, apo që duhej shmangur?

Besoj se të gjithë jemi të bindur se Laçi është një mjeshtër i Kupës, për vetë faktin se ka bërë mjaft mirë vitet e fundit. Por nuk mund të themi nëse shorti ishte i favorshëm apo jo, pasi të gjithë kundërshtarët ishin të fortë dhe situata mund të vështirësohej në çdo moment. Gjithsesi do të luajmë ndaj Laçit me objektivin e vetëm për të qenë në finale. Shpeshherë Kupa ka qenë mjet kompensimi për kampionatin.

Shihni ndonjë aleancë të mundshme në këtë sezon?

Nuk mendoj se këtë vit do të ketë situata të tilla. Besoj se gjithçka do të luhet drejt dhe pa qëndrime të tjera. Kjo për vetë faktin se çdo ekip e kërkon Kupën dhe e ka objektiv sezonal një gjë të tillë.

Muaji i ardhshëm do të jetë shumë i ngarkuar me takime.Jua vështirëson garën një gjë e tillë?

Ne kemi pasur ngarkesë të madhe gjatë gjithë sezonit edhe për vetë faktin se luanim në Europa Ligë dhe u më- suam me një ritëm të lartë. Nuk mendoj se do ta kemi problem që do të luajmë çdo katër ditë një takim. Pastaj është e qartë që mund t'i përballojmë, pasi Skënderbeu ka një organikë të pasur me lojtarë dhe kjo na bën që të mos stepemi nga ngarkesa e ndeshjeve.

Ju jep qetësi diferenca prej katër pikësh me Partizanin?

Nuk mund të themi se kjo diferencë na jep qetësi, pasi nuk është shumë e madhe. Janë përmbysur shumë pikë dhe për këtë duhet të jemi të kujdesshëm. Partizani ka një ekip të mirë dhe asnjëherë nuk mendoj se do të na japë mundësi për të qenë të qetë. Është mirë për ne që presioni është mbi ta, pasi duhet të rikuperojnë pikë. Ne duhet të shohim vetëm punën tonë dhe të llogarisim sikur Partizani do t'i fitojë të gjitha takimet. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe t'i mendojmë ndeshjet një e nga një.

Kur besoni se do të mbyllet çështja e titullit kampion?

Ky kampionat ka qenë shumë i luftuar dhe mendoj se do të vijojë të jetë kështu deri në javët e fundit. Besoj se titulli do të mbyllet në tri javët e fundit të sezonit dhe deri atëherë do të jetë gjithçka luftë e hapur për të fituar kampionatin.

Sa e vështirë është për Jashanicën që të luftojë për një vend në formacion, duke parë se gara është me Osmanin dhe Radasin?

Keni të drejtë, janë dy nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit tonë dhe duke qenë në një ekip me ta kam fituar shumë dhe kam mësuar shumë. Kjo konkurrencë nuk më tremb, por më shtyn të jap më të mirën time. Konkurrenca gjithmonë të bën mirë kur ke ambicie, prandaj edhe unë kam përfituar shumë nga këta dy kampionë për të rritur nivelin tim. Mundohem të jap më të mirën dhe në fund vendos trajneri se kush luan e kush jo.

Në merkato ka pasur shumë zëra për oferta nga klube të ndryshme në drejtimin tuaj. Mund të na thoni nëse ka zhvillime konkrete?

Kam pasur oferta të shumta dhe jam i lumtur. Është një tjetër faktor që më jep stimul të madh. Mund të them se Mynih 1860 vijon të shfaqë ende interes për mua, si në merkaton e janarit dhe bisedimet vijojnë. Por ka edhe disa ekipe të tjera që kanë treguar interes. Besoj se do të kem mundësi të luaj në një kampionat të madh brenda pak kohësh dhe kjo më bën të ndihem krenar. Mirëpo një gjë të tillë ua kam lënë në dorë drejtuesve të klubit dhe presidentit Takaj, pasi unë jam i përqendruar vetëm te kampionati dhe kupa deri në fund të sezonit. Të fitojmë dy trofetë, pastaj shohim se çdo ndodhë.

Përgatiti: LLAZI SARO