e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Januzi: Shqiperia ka mundesi te kualifikohet ne Boteror

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Januzi: Shqiperia ka mundesi te kualifikohet ne Boteror
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, kosovari Ahmed Januzi, që militon në skuadrën ukrainase, Vorskla, gjatë një bisede për “Kosovapress” ka thënë se, Shqipërinë e pret një e ardhme e ndritshme. Pavarësisht humbjes së kuqezinjve në miqësoren ndaj Gjeorgjisë 2-1, Januzi ka thënë se ekipi shqiptar me në krye trajnerin Xhani De Biazi do të bëhet një skuadër cilësore. Ai ka lavdëruar punën që bën tekniku italian.

“Shqipëria ka lojtar cilësor. 55-vjeçari është një trajner shumë i mirë dhe jam i bindur se me punën që po bën ai do të krijojmë një kombëtare shumë të fortë dhe cilësore”, - ka thënë Januzi. Ndërkaq, duke folur për humbjen në miqësoren ndaj Gjeorgjisë, lojtari kosovar tha se gjyqtari i ndeshjes vendosi takimin. Sipas tij, Shqipëria ka treguar lojë mjaft të mirë, sidomos në pjesën e parë të lojës.

“Me Gjeorgjinë, gjyqtari vendosi ndeshjen. Megjithatë, ne kemi treguar lojë mjaft të mirë, sidomos në pjesën e parë. Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme. Pavarësisht humbjes, jam i kënaqur me lojën që kemi treguar”, - është shprehur ai. Ish-sulmuesi i Kosovës së Vushtrrisë thotë se, Shqipëria ka shumë mundësi që të kualifikohet për në botërorin “Brazili 2014”. “Shpresojmë shumë në eliminatoret e ardhshme. Kemi gjasa të mëdha që të realizojmë ëndrrën tonë, kualifikimin për në botëror. Na mbetet të punojmë shumë. Qysh nga fillimi i eliminatoreve të ardhshme duhet të japim maksimumin.

Çdo ndeshje për ne do të jetë e rëndësishme dhe duhet të përqendrohemi maksimalisht në çdo takim në mënyrë që të arrijmë objektivat tanë, kualifikimin në botërorin e ardhshëm”, - theksoi Jonuzi. Shqipëria, miqësoren e radhës duket se do ta luajë ndaj kampionit të botës, Spanjës. Sipas lojtarit kosovar, Shqipëria nuk i frikësohet asnjë skuadre, e as Spanjës. “Deri te miqësorja kundër kampionëve të Botës dhe Europës, në ekipin kombëtar do të kthehen lojtarët me përvojë si Cana, Bogdani e Salihi. Do të kemi një skuadër cilësore dhe nuk kemi frikë nga asnjë skuadër”, - ka pohuar Januzi. Në vitin 2007, 23-vjeçari luajti për Besën e Kavajës, ku në 30 ndeshje të luajtura realizoi shtatë gola.

Nga viti 2007 e në vazhdim aktivizohet në Ukrainë, ku luan me Vorskla Poltava. Ka zhvilluar 115 ndeshje me këtë fanellë dhe ka shënuar 19 gola. Me këtë skuadër ai ka bërë debutimin më 07.03.2007 kundër skuadrës së Shaktarit. Në këtë ndeshje hyri në fushë në minutën e 59-të dhe në të 90-n shënoi golin për Vorskla Poltavën. Në sezonin 2008-2009 Januzi ka luajtur një rol me ndikim në skuadër. Në sezonin 2009-2010, 23-vjeçari ka qenë pjesë e Kombëtares së Shqipëri U-21, ku në shtatë takime shënoi vetëm një gol. Dhe nga viti 2010 luan për ekipin e parë, ku ka luajtur pesë ndeshje dhe nuk ka shënuar asnjë gol.