Jahmir Hyka mund te rikthehet te Tirana
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas afrimit të Kahatës, duket se Tirana mund të bëjë të vetin edhe një tjetër “ish”. Bëhet fjalë për Jahmir Hykën, i cili mund të jetë përforcimi i radhës për bardheblutë. Mesfushori shtatshkurtër, i cili është pjesë e Luzernit në kampionatin zviceran duket se mund të ndërpresë marrëdhëniet me klubin aktual, duke parë edhe aktivizimet e limituara gjatë këtij sezoni. Në këtë rast është Tirana ajo që e pret krahëhapur një rikthim të Hykës, që do të ishte i treti për të në radhët e bardhebluve gjatë karrierës së tij. Edhe lajmet nga Zvicra bëjnë me dije se mesfushori 26 vjeçar duket se është i pakënaqur nga minutat e pakta në dispozicion te Luzerni dhe po mendon largimin.
Hyka do të ishte një alternativë mjaft cilësore për Tiranën, e cila gjatë këtyre javëve të Superligës e ka vuajtur disi mungesën e një lojtari të shpejtë nga krahët, i cili mund të luajë shumë mirë disa role në mesfushë. Një element polivalent si Hyka do të ishte “qershia mbi tortë” për stafin teknik të Tiranës, ndërsa duke ditur vlerat e mesfushorit shtatshkurtër, kryeqytetasit do të shtonin cilësinë në ekip dhe do të përforcoheshin më tepër në repartin e mesfushës.