Ja si trukohen ndeshjet, Apolonia ia la Dinamos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Skandali i trukimeve në kampionatin e Kategorisë së Parë nuk ka të ndalur. Madje, këtë radhë, përveçse denoncohen ndeshje të lëna, po shkohet edhe aty sa parashikohet se si do të dalin takimet që do të luhen këtë fundjavë.
Trajneri i Butrintit, Flamur Shehu, në një rrëfim për gazetën "Panorama Sport", fillimisht u përgjigjet akuzave të zv.ministrit të Brendshëm, Stefan Çipa, duke e konsideruar si diçka personale.
Më tej, tekniku sarandjot denoncon Apoloninë që ka toleruar ndaj Dinamos dhe lëshon sfidën duke thënë se Lushnja do t'ia lërë ndeshjen Elbasanit këtë fundjavë.
Një ditë më parë, ishkryebashkiaku i Sarandës dhe aktualisht zv/ministër i Brendshëm, Stefan Çipa, akuzoi Butrintin për tolerim në sfidën me Luftëtarin duke e konsideruar si "pazar" të mbyllur. Komenti juaj për këtë akuzë?
Mendoj se është turp që të deklarosh se Butrinti ia la ndeshjen Luftëtarit dhe për më tepër që kjo akuzë vjen nga një zv/ministër. Të thuash se ka dritëhije për sfidën Apolonia-Dinamo, pranohet, por të hedhësh dyshime për ne, nuk më duket normale. Sigurisht, nuk shkuam në Gjirokastër me ekipin e plotë. Dy ishin të sëmurë me temperaturë, ndërsa dy të tjerë janë me kartonë të verdhë dhe i ruajta për sfidën e radhës me Turbinën. Ne nuk mund të krahasohemi me Luftëtarin, objektivi ynë është me ekipet që luftojmë për mbijetesë. Mendoj se e gjithë kjo akuzë bëhet për arsye personale, por më vjen keq që në këtë mes përfshihet edhe skuadra e futbollit.
Në akuzën e tij, Çipa thotë se u hoqën nga fusha dy lojtarë më të mirë dhe kjo bie drejtpërdrejt mbi ju që jeni trajner...
Sokol Xhuvani më kërkoi zëvendësim që në pjesën e parë, duke qenë se i vinte për të vjellë pas një goditjeje. Ndërsa lojtarin tjetër e zëvendësova pasi ashtu e mendova. Unë ndërrimet i bëra kur ndeshja ishte 3-1 dhe 4- 1, por gjithçka kishte mbaruar deri në ato momente.
Prej disa ditësh kanë shpërthyer akuzat për tolerime dhe trukime në Kategorinë e Parë. Ju jeni vetë pjesë e garës. Si e komentoni këtë situatë?
Akuzat që hidhen, janë totalisht të vërteta, pasi unë e vuaj vetë në kurriz. Shikoni turpin që ndodhi në Apolonia-Dinamo ku fierakët toleruan ndaj dinamovitëve. Turp i madh ishte edhe ndeshja e kaluar ElbasaniSopoti, ku librazhdasit toleruan hapur. Madje, ju sfidoj dhe do ta shihni javën e ardhshme turpin e radhës kur Elbasani do të fitojë në Lushnjë. Unë jam marrë me futboll dhe kam luajtur edhe vetë. I di marrëdhëniet, rrethin shoqëror dhe gjithçka ndodh në këtë kampionat. Ne si klub jemi shumë korrekt me pagesat e lojtarëve dhe ndaj FSHF-së gjithashtu. Por, po sulmohemi padrejtësisht, në një kohë që gara nuk është e pastër. Shikoni se si Sopoti shkon dhe luan në Elbasan, në një kohë që logjika e kampionatit është që takimet të luhen brenda dhe jashtë.
Si mund të dilet nga kjo situatë?
Mendoj se problemi është në sistem. Nuk mund të bëhet një kampionat me dhjetë skuadra, në një kohë që ekipet lart shkëputen që në fillim dhe, më pas, bëjnë ndere dhe tolerime. Madje, tashmë është futur edhe politika. Ekipet e Qarkut të Elbasanit janë të mbrojtura. Nuk mundet që të krijosh një skuadër private, të stërvitesh në Tiranë dhe t'i luash ndeshjet ku të gjesh fushë. E kam fjalën për Sopotin. Thonë se përfaqëson Librazhdin, por në realitet ai është një ekip privat. Elbasani nuk ka paguar lojtarët prej një viti, në një kohë që ne jemi shumë korrekt në këtë pjesë. Kërkojmë ndershmëri dhe të mos ndëshkohemi. Mendoj se duhet ndryshuar edhe formula dhe struktura e kampionatit.