e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ja kush eshte Legia, rivali i Kukesit ne Europa League

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ja kush eshte Legia, rivali i Kukesit ne Europa League

Me fitoren 4-2 ndaj Mladostit në transfertë Kukësi nuk siguroi vetëm kualifikimin në ruandin e tretë kualifikues të Europa League që i mbush arkat e verilindorëve dhe me 220 mijë Euro të tjera, por edhe dy përballje luksi ndaj polakëve të Legias së Varshavës. Nëse Mladosti i Podgoricës konsiderohej një kundërshtar mëse i kalueshëm për nënkampionët e Shqipërisë, nuk  ndodh e njëjta gjë edhe me rivalin e radhës. Legia e Varshavës është një nga klubet më të suksesshme të futbollit polak dhe ka një emër shumë më të madh se Kukësi në arenën europiane prandaj në këtë përballje verilindorët nuk shihen aspak si favoritë për të avancuar më tej.

Legia është themeluar nga ushtarakët vendas në vitin 1916 duke u shndërruar në një prej klubeve më të sukseshme të futbollit polak. Kryeqytetasit kanë fituar në 10 raste titullin kampion ndërsa numërojnë dhe 17 triumfe në Kupën e Polonisë më shumë se cdo skuadër tjetër. Në Europë Legia e Varshavës, suksesin më të madh e ka regjistruar në vitin e largët 1970 kur ka mbrritur deri në gjysmëfinalet e Kupës së Kampionëve. Ngjyrat e skuadrës janë e bardha dhe jeshilja. Sezonin e fundit Legia e përfundoi kampionatin polak në vendin e dytë, ekipi drejtohet nga trajneri norvegjez Henning Berg ndërsa ylli i skuadrës është sllovaku Ondrej Duda, një mesfushor 20-vjecar që kërkohet me ngulm nga Interi në merkato.

Sezonin e kaluar Legia spikati jo pak në Europë, por për një gabim teknik bardhejeshilëve iu hoq e drejta për të marrë pjesë në fazën play-off të Championsit edhe pse mposhtën me rezultatin e përgjithshëm 6-1 skocezët e Celtic, gjithsesi Legia u kualifikua në grupet e Europa League duke e kaluar edhe fazën e parë pasi e mbylli grupin në kuotën e 15 pikëve në vendin e parë, duke lënë pas ekipe të tilla si Trabzonspor, Lokeren dhe Metalist Kharkiv.

Në ruandin e 1/16-ave kryeqytetasit u dorëzuan përballë Ajaxit. Këtë vit aventurën në kompeticionet europiane Legia e nisi nga ruandi i dytë kualifikues i Europa League ku eliminoi me rezultatin e përgjithshëm 4-0 rumunët e Botosanit. Stadiumi në të cilin luan formacioni i drejtuar nga trajneri Berg ka një kapacitet prej 31 mijë e 103 vendesh dhe quhet “Polish Army Stadium” për shkak të origjinës ushtarake të klubit. Sfida e parë mes Kukësit dhe Legias do të zhvillohet të Enjten e 30 Korrikut në Qemal Stafa ndërsa takimi i kthimit një javë më pas në Varshavë./SuperSport