'Italia si Anglia, ka mangesi ne mbrojtje'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjatë gjithë ndeshjes kundër Anglisë, sulmuesi uruguaian, Luis Suarez kishte vetëm dy raste para portës së portierit të “tre luanëve”, por i mjaftuan për të rikthyer ëndrrën e amerikano-jugorëve që të vazhdojnë aventurën në botëror. Uruguait i duhet që të fitojë, pasi barazimi i shkon për shtat vetëm kombëtares përtej “Adriatikut”. Sulmuesi i Liverpulit beson se “axurrët” nuk do të arrijnë të administrojnë ndeshjen si duhet dhe do përfitojnë nga hapësirat që do krijohen.
“Italia, ashtu sikurse Anglia, janë shumë të fortë në mesfushë dhe në sulm, por në mbrojtje kanë disa mangësi. Ne do përpiqemi që të përfitojmë nga hapësirat që mund të lënë për shkak të lodhjes dhe të nxehtit”, u shpreh “El Pistolero”. Suarez ka ritheksuar nevojën për të fituar këtë ndeshje dhe beson se këtë mund ta bëjnë me kundërsulme. “Është një tjetër finale ku ne jemi të detyruar që të fitojmë. Ne e dimë forcën e kundërshtarit, prandaj nuk mendojmë që ta dominojmë, por duke shfrytëzuar shpejtësinë e lojtarëve që luajnë para ne mund t’i ndëshkojmë”, tha ai.
Maradona i jep komplimente
Gjatë kësaj interviste me Suarez, ka asistuar edhe legjenda argjentinase, Diego Armando Maradona. Ai i ka dhënë komplimente sulmuesit duke e quajtur një fenomen. “Ju jeni një fenomen, bëni pjesë në treshen e futbollistëve më të mirë të botës. Keni një zemër të madhe dhe treguat karakter të fortë që u rikthyet në fushë pas atij operimi”, ka thënë Maradona.