Italia nuk pushon as për Pashkë, dopio-stërvitje përpara Gjermanisë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Antonio Konte mund të ketë lajmëruar lamtumirën e tij nga Kombëtarja e Italisë në përfundim të
Europianit në Francë, por ndërkohë ai s'e lëshon dorën në mënyrën e tij të të stërviturit, përkundrazi është dhe do të mbetet një "gjeneral" i ashpër për futbollistët e tij.
Trajneri i Italisë, edhe pse dje ishin Pashkët, nuk ka toleruar askënd nga lojtarët që ka në dispozicion.
Në "Koverçiano" është punuar me të njëjtin ritëm në pritje të supersfidës kundër Gjermanisë, të martën në "Allianz Arena". Konte ka vazhduar me dopio-stërvitjet e tij, nuk ka reshtur së ulërituri në fushë, sidomos në mëngjes, kur ka provuar disa skema taktike për të vënë në zbatim në Mynih.
Pavarësisht drekës së shenjtë dhe atmosferës festive që shoqëroi grupin e lojtarëve, pasdite skuadra ka zbritur sërish në fushë, ndërsa ka marrë edhe lajmin e keq, atë të largimit të Xhakomo Bonaventurës.
Mesfushori i Milanit, i pushtuar prej dy ditësh nga temperatura e lartë, nuk ka shfaqur shenja përmirësimi, prandaj stafi mjekësor dhe trajneri kanë vendosur që ta lejojnë futbollistin që të largohet nga grumbullimi dhe të rikthehet në "Milanelo", ku kuqezinjtë janë rikthyer në stërvitje.
Sërish me 3-4-3 - Sinjalet pozitive që Italia tregoi kundër Spanjës kërkon t'i konfirmojë edhe ndaj Gjermanisë.
I gjithë grupi "axurr" ka ndjekur të shtunën në mbrëmje sfidën e "pancerave" me Anglinë, me këta të fundit që përmbysën Kombëtaren e Joakim Lëvit, edhe pse në disavantazh të dy golave. Pa dyshim që Antonio Konte ka mbajtur shënime, por ndërkohë në Mynih pritet t'i besojë sërish rreshtimit 3-4-3, ndonëse me disa ndryshime në repartin ofensiv.
Në vend të Ederit pritet të luajë Lorenco Insinje, por ndoshta edhe Simone Zaza në vend të Graciano Pelesë. Shanse për ta nisur titullar ka edhe Federiko Bernardeski, ndonëse dyshimet e tij, trajneri do t'i shuajë në stërvitjen e mëngjesit të sotëm, përpara se Italia të niset drejt Mynihut, pasdite.