e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Italia me zemer ndaj Spanjes (VIDEO)

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Italia me zemer ndaj Spanjes (VIDEO)
Shumë më mirë nga ç’kishim parashikuar. Kjo, pasi barazimi 1-1 i Italisë me Spanjën mund të shihet edhe si një avantazh i menaxhuar keqazi, duke qenë se skuadra i kishte të gjitha kartat në rregull për të mbrojtur golin e Di Natales. Gjithsesi, është goxha shpresëdhënëse kur mendon se përpara ishin kampionët e botës dhe situata, deri para këtij Evropiani, nuk ka qenë më e mira që ka pasur kjo Itali.

Skuadra e Prandelit ishte “e gazuar” në maksimum, plot grinte dhe në asnjë rast nuk tregoi frikë përballë “furive të kuqe”. Nga ana tjetër, kemi një Spanjë që mundohet të kopjojë tërësisht Barcelonën, përderisa edhe Del Boske preferon të luajë pa një sulmues të mirëfilltë. Ndryshim i vetëm, por esencial ama është se Barça ka një si Mesi, ndërsa te Spanja argjentinasin duhej ta bënte Fabregas. “Axurrët” i besuan më shumë dyshes Baloteli- Kasano, por ja që më rezultativë ishin ata që u futën si zëvendësues, Di Natale dhe Xhiovinko. Teksa duhet thënë se, nëse Torres nuk do të kishte gabuar një rast të jashtëzakonshëm përballë Bufonit, gjithë lëvizjet e Prandelit në këtë përballje do të kishin një kuptim tjetër dhe kritika do binte më së shumti mbi repartin difensiv, të bërë nga e para pas dëmtimit të Barxalit.

Taktika - Në pjesën e parë, Italia provoi më shumë te porta e spanjollëve. Kasano tregoi qartë se nuk është jashtë forme, sikundër është folur për të; Baloteli tenton të bëjë liderin, paçka se gabon në një rast fatal përballë me Kasijasin; Pirlo si gjithnjë vendosi ekuilibrat në fushë, ndërsa Tiago Mota gjendet gjithnjë në kohën dhe vendin e duhur në takimin me topin. Mbrojtja eksperimentale me De Rosin në qendër nuk duket se ka shumë probleme, ndërsa bëjnë një punë të admirueshme Bonuçi dhe Kielini nga krahët. Sakaq, spanjollët mundohen që t’i shfrytëzojnë në maksimum idetë e Iniestës dhe të Ksavit, por është David Silva, ai që gabon në dy raste dhe Fabregas që mbyllet mirë nga De Rosi në dy momente problematikë në zonën “axurre”. Në pak fjalë, një pjesë e parë me Spanjën që kontrollon gjerësisht topin, por me Italinë që ka rastet më të mira për shënim.

Golat - Fraksioni i dytë i lojës është gati i njëllojtë me të parin, pasi të dyja skuadrat mundohen të mos lëshojnë shumë në mesfushë.

Por, Prandeli gjen “xholin” e tij në minutën e 56-të duke nxjerrë jashtë Balotelin dhe hedhur në fushë Di Natalen, i cili ia shpërblen shumë shpejt. Asist perfekt në diagonale i Andre Pirlos që gjen të lirë në hyrje të zonës sulmuesin e Udinezes, i cili nuk gabon, sikundër bëri Baloteli në të njëjtin pozicion në pjesën e parë, por gjuan me saktësi në cepin e majtë të Kasijasit. Italia në avantazh, përkundrejt të gjitha parashikimeve. Gjithsesi, Spanja nuk demoralizohet dhe nis inkursionet drejt portës së Bufonit. Pa kaluar as tre minuta dhe një vertikalizim në zonë i David Silvës gjen Fabregasin, i cili përballë portierit barazon. Gjithçka në baraspeshë, por që mund të ishte prishur nga Torres, nëse parabola e sulmuesit nuk do kishte kaluar pak centimetra mbi tra, kjo për shkak të një dalje të gabuar të Bufonit. Në fund një barazim në një sfidë, ku që të dyja skuadrat treguan një lloj frike nga një humbje e mundshme, ndaj edhe vërshëllima e arbitrit hungarez nuk solli “turinj varur”, por përqafime mes lojtarëve, me sytë dhe shpresën tashmë nga dy ndeshjet e radhës ndaj dy ekipeve të konsideruara teorikisht më të dobëta në Grupin C: Irlanda dhe Kroacia.

ANALIZA E NDESHJES NJERIU I NDESHJES

Daniele De Rosi ka qenë lojtari më i mirë në fushën e lojës. Futbollisti i Romës luajti në një pozicion tërësisht ndryshe, në qendër të mbrojtjes, por diti të jetë deciziv në mjaft sulme të skuadrës spanjolle. MË I DOBËTI Mario Baloteli ishte lojtari më i dobët në fushë. Edhe pse gjithë Italia i kishte sytë tek ai, sulmuesi i Mançester Sitit tregoi se nuk e ka eksperiencën dhe qetësinë e duhur për të qenë një lider në fushën e lojës.

ÇELËSI I PËRBALLJES Grinta dhe dëshira e italianëve për të ndalur një Spanjë e konsideruar si superfavorite. Lojë e kujdesshme në mbrojtje dhe me një mesfushë të ngjeshur kundër taktikës që kishte parashikuar tekniku i Spanjës, Del Boske. Hero në pjesën e parë është Kasijas, i cili zgjidhi dy sulme mjaft të rrezikshme. Nga ana tjetër, u duk sikur Spanja e kishte nënvlerësuar Italinë, kjo pasi vetëm në pjesën e dytë u fut realisht në lojë.

TAKTIKA E NDESHJES Spanja tenton të bëjë Barcelonën, duke mos hedhur në fushë një sulmues tipik, të mirëfilltë, dhe duke lëvizur vazhdimisht pozicionet mes Iniestës, Silvës dhe Fabregasit. Sakaq, ndryshon gjithçka me futjen e Torresit, pasi skuadra bëhet edhe më e rrezikshme. Ndërsa Italia luan me një mesfushë mjaft të ngjeshur dhe me një modul 3-5-2, që në fazë defensive bëhej 5-3-2. Stonoi loja e Balotelit dhe vetëm me futjen e Di Natales sulmi mori më shumë gjallëri. Pirlo është “truri” i ekipit dhe me zgjuarsi arrin të gjejë në limitin e pozicionit jashtë loje Di Natalen në rastin e golit.

MOVIOLA I drejtë kartoni i verdhë dhënë Balotelit. E meritonte një të tillë edhe Kasano, në momentin kur pengoi në zonë me qëllim Kasijasin. Ndërkaq arbitri kurseu edhe Buskets në një sparkatë ndaj Kielinit. Kasai nuk shikon edhe një goditje këndi për Spanjën në minutën e 50-të, si dhe nuk dha një faull të qartë për Arbeloan pas bllokut që i bëri Kasano. Në fund u kursye edhe një karton i verdhë për Bonuçin te faulli ndaj Iniestës.

TOP/FLOP Xhiakerini krejt jashtë roli, Baloteli gabon gjithçka, Di Natale është ai që ndryshon lojën e Italisë. Te Spanja, Fabregas dhe Iniesta ndër më të mirët, ndërsa Jordi Alba nuk është ai i kampionatit spanjoll.

Prandeli: Sa e bukur Italia ime!

Trajneri i Italisë e ka konsideruar gati si fitore barazimin e arritur me Spanjën, Kampione e Botës. Sipas tij, “axurrët” zhvilluan një ndeshje plot grintë dhe dëshirë, duke mos u mbyllur në mbrojtje, por duke kërkuar fitoren, edhe pse përballë kishin skuadrën më të mirë të momentit. “Kjo është Italia që unë kam dashur. Ndeshje e mirë dhe lojë e kujdesshme”, – ka pohuar fillimisht Prandeli duke përgëzuar kështu “armatën” e tij. Sigurisht që tekniku i italianëve do kishte pëlqyer që të dilte me pikë të plota nga kjo ndeshje, por nisur nga dëmtimet në skuadër dhe problematikën pa fund para këtij Evropiani në Itali me skandalin e trukimeve, Prandeli e shikon si një rezultat të mirë. “Bëmë një ndeshje të kujdesshme në mbrojtje dhe ku mesfusha bëri një paraqitje të mirë. Duhet ta pranojmë se përballë kishim Spanjën, Kampione e Botës, ndaj ky barazim duhet marrë si një ogur i mirë. Baloteli dhe Kasano?

Sipas meje luajtën mirë. E gjetën disa herë njëri-tjetrin, edhe pse luajtën më shumë me topa në vertikale. Nuk arritën të shënonin as njëri dhe as tjetri, por e rëndësishme është që ata bënë pikërisht atë çfarë u pata kërkuar para se të niste kjo sfidë. Baloteli, sakaq duhej t’ia kishte pasuar atë top Kasanos (trajneri i referohej rastit kur sulmuesi doli përballë Kasijasit). Ashtu siç ju thashë, jam i kënaqur me lojën që zhvilluam dhe personalisht dua t’i përgëzoj të gjithë lojtarët për shpirtin e garës dhe grintën që treguan në fushë. Pësimi i golit? Mund të ishte evituar, ashtu sikundër edhe ne mund të kishim shënuar edhe një tjetër, por ky është futbolli”, – ka pohuar Prandeli. Pas problematikës me skandalin e trukimeve, tekniku u detyrua të hiqte dot nga Krishito, ndërsa pak ditë më parë u dëmtua edhe Barzalji. Në këto kushte, Italia u paraqit krejt ndryshe në takimin me Spanjën, me De Rosin në qendër të mbrojtjes dhe me Kielinin e Bonuçin nga krahët, gjetje kjo e Prandelit, e cila pas 90 minutave lojë rezultoi pozitive.

Di Natale: S’e prisja të shënoja pas 5′

Antonio Di Natale ka shprehur gjithë gëzimin e tij jo shumë për barazimin me Spanjën sesa për golin e shënuar vetëm 5 minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës. “Jam shumë i lumtur që e nisa ndeshjen me gol pesë minuta pasi kisha hyrë në fushë. As vetëm nuk e kisha imagjinuar kështu, ndaj ky është maksimumi që mund të kërkoja. Hakmarrje për penalltinë e humbur para 4 vitesh? Edhe deri para se të hyja në fushë më vinte ndër mend ai gabim, ndaj edhe fakti që shënova, më bëri që të isha edhe më i lumtur dhe i çliruar”, – ka pohuar sulmuesi i Udinezes. 34-vjeçari zëvendësoi Balotelin, i cili edhe një herë stonoi me lojën e tij.

Pirlo: Grintë e zemër, kjo është Italia!

Mesfushori i Juventusit ka vlerësuar shpirtin e garës së “axurrëve”. “Vlerësim maksimal për këtë Itali, pasi ishte një ndeshje mjaft e vështirë për ne. Siç duket, humbja me rusët na bëri që të rregullonim disa gjëra në skuadër. Të gjithë sakrifikuan dhe vrapuan pa pushim. Duke parë edhe një mungesë trajneri u detyrua të ndryshonte disi edhe modulin e lojës, por gjithçka shkoi mirë. Kur pashë në fillim formacionin e kundërshtarit u surprizova që ata po luanin pa një sulmues të mirëfilltë, por ata shpesh luajnë kështu. Baloteli dhe Kasano? Luajtën mirë dhe u munduan të fitojnë hapësira në mbrojtjen spanjolle”, – tha Pirlo.

Del Boske: Lojë e mirë, më pëlqeu edhe Torres

Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, e ka parë pozitive si lojën dhe rezultatin e arritur ndaj Italisë. “Bëmë një ndeshje të mirë dhe jam goxha i kënaqur me rezultatin e arritur. Mendova për Fabregasin nga minuta e parë, pasi gjatë stërvitjeve pashë se ai me Silvën dhe Iniestën po kuptoheshin mjaft mirë. Mendoj se me atë që dhanë në fushë nuk mund të jem veçse i kënaqur. Fakti që lashë Torresin jashtë? E shpjegova arsyen, por gjithsesi duhet ta pranoj se me futjen e Torresit në lojë ne patëm më shumë rrezikshmëri, sepse ai arrin të krijojë më tepër hapësira në sulm. Pati një rast mjaft të mirë për të shënuar, por mos harrojmë se edhe Italia mund të na kishte ndëshkuar. E dija që Italia do luante me forca të shumta në mbrojtje dhe më pas do dilte po me shumë lojtarë në sulm, ndaj i pata këshilluar djemtë që të ishin të kujdesshëm sidomos në mesfushë, ku nuk duhej të gabonin topa. Mendoj se deri diku jam i kënaqur nga reagimi i skuadrës. tani le të mendojmë për dy ndeshjet e tjera”, – përfundoi Del Boske.

Çesk: Barazimi? S’është edhe aq keq

Fabregas e shikon si një rezultat të pranueshëm barazimin me Italinë. “Duke parë se shkuam në disavantazh, qoftë edhe për pak minuta, duhet ta pranojmë se nuk është një rezultat i keq të barazosh me Italinë. Luajtëm mirë dhe treguam se jemi një skuadër me karakter. Sigurisht, ndonjëherë nuk arrin të jesh konkret në të gjitha rastet, kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Ishte realisht një ndeshje e fortë dhe mund të them pa frikë se ishte sfida më e vështirë që kemi pasur kohët e fundit. Personalisht jam shumë i kënaqur që shënova dhe që dhashë kontributin tim për kombëtaren”, – tha Fabregas.

Ksavi: Meritonim fitoren, por gaboi Torres

Mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, nuk ka qenë i kënaqur me barazimin e marrë me Italinë. Në ndryshim nga pjesa tjetër e skuadrës, ai pohoi se me rastet e krijuara, Spanja duhej të kishte fituar. “Meritonim më shumë, sidomos në pjesën e dytë, gjatë të cilës patëm disa raste për shënim. Fernando Torres pati një rast mjaft të mirë, por fatkeqësisht nuk e shfrytëzoi. Kështu që, me atë çka dhamë në fushë, mendoj se nëse do të fitonim nuk do kishte qenë mëkat. Lojën e dominuam ne, por Italia i shfrytëzoi mirë atë pak raste që arriti të krijonte, kjo edhe për shkak të gabimeve tona. Tani duhet të fitojmë me patjetër në dy ndeshjet e tjera”, – tha ai.

Torres: Bufon më lexoi mendjen, ja pse nuk shënova

Në total pati tri raste për të shënuar, por në njërin prej tyre i bëri tifozët të mendonin se Torresit i janë kthyer makthet e vjetra para portës. “El Ninjo” e pranon se në rastin kur ishte vetëm me Bufonin, duhej të kishte shënuar patjetër. “Ndodhi diçka e pashpjegueshme përballë Bufonit. Normalisht 99 për qind e portierëve nuk do ta bënin atë që bëri ai por, prandaj është edhe një ndër më të mirët në botë. Tentova ta dribloja me idenë se ai do të shtrihej për të më bllokuar rrezen, por ai nuk e bëri këtë. Për një moment m’u duk sikur më lexoi mendjen”, – ka thënë sulmuesi spanjoll pas ndeshjes. Gjithsesi, ai është shprehur i kënaqur me performancën e bërë, duke thënë se një barazim kundër Italisë nuk është aspak keq. Iniesta Një nga më të mirët në fushë për skuadrën spanjolle, Iniesta, është ankuar pas ndeshjes për gjendjen e fushës. “Terreni ishte shumë i thatë. Kishim frikë kur rrëzoheshim, sepse vriteshim shumë. Përveç kësaj, edhe topin nuk mund ta përdorje në mënyrën e duhur. Unë gjykoj se duhet pasur më shumë kujdes në kompeticione të tilla me cilësinë e fushave”, – ka thënë mesfushori i Barcelonës. Më tej ai ka pohuar se Spanja ishte superiore ndaj Italisë, por u ka njohur edhe meritat kundërshtarëve. “Të dominosh lojën, nuk do të thotë të fitosh. Unë e di mirë këtë, sepse e kam ende të freskët ndeshjen kundër Çelsit. Italia luajti mirë dhe na vuri në vështirësi të mëdha, edhe pse e dinim se nuk do të ishte e lehtë”, – ka deklaruar ai.

“Gjetja” e De Rosit dhe mungesa e Vilës
Nga PAOLO ZILIANI

Kishte të drejtë trajneri i Italisë kur guxoi të luante me tre mbrojtës ndaj Spanjës. Tre teorikisht, sepse shpesh ata shndërroheshin në pesë të tillë… Me fat apo jo, De Rosi në qendër i dha një tjetër marsh Italisë, sepse ndoshta një tjetër në vend të tij nuk do të kishte ditur të ndërtonte po aq mirë dhe ta mbante mbrojtjen italiane larg zonës së përhershme. I mësuar të luajë topin dhe të ndërtojë aksione si mesfushor shkatërrues, ai i dha skuadrës së Prandelit jo vetëm siguri në prapavijë, por ishte shpeshherë edhe një partner i mirë i Pirlos. Kujtoni se kur ky i fundit kishte te Milani një si Gatuzo (në këtë rast De Rosi) që i mbulonte mirë krahët, ose i hiqte qafe ata që e bezdisnin, mund të bënte mrekulli. Dhe e bëri një kundër Spanjës, në të paktat raste që iu dhanë.

De Rosi mund të jetë njeriukyç edhe për t’i dhënë qetësi një Bonuçi tejet të tensionuar, porse Mota duhet të punojë më shumë që mesfushori roman të mos konsumohet aq shumë sa dje. Nga ana tjetër, Spanja vuajti mungesën e një finalizuesi dhe këtu i referohemi bomberit klasik të saj: Vilës. Fabregas bëri aq sa mundi, por atij s’mund t’i kërkohet shpejtësi, sepse ai nuk është një lojtar zone. Spanja vuajti edhe moskoordinimin mes Alonsos dhe Busketsit duke vënë në situata alarmante Ramosin. E megjithatë, kjo vjen edhe sepse Spanja krijon shumë, por nuk finalizon. Kjo ndodh edhe sepse Torresi vazhdon të tregohet bujar në zonë…