e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Italia me e bukur e te gjitha koherave

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Italia me e bukur e te gjitha koherave
Ekziston një teori, që shpeshherë dikush e përmend, sipas së cilës, “trajnerët në futboll vlejnë pak. Më i miri, thuhet, është ai që bën më pak dëme. Ata që vlejnë vërtet janë lojtarët”. Që pa kampionë nuk shkohet asgjëkundi, është aq e qartë, dhe nuk ia vlen të humbasësh asnjë sekondë për të diskutuar. Për sa i përket klishesë në lidhje me trajnerët, historia e futbollit ka demonstruar saktësisht të kundërtën. Në të mirë apo në të keq, trajneri është fondamental.

Përse po mbahet ky leksion, mund të pyesë dikush nga ju? Është e thjeshtë: në njëfarë mënyre, me synimin për të nënvizuar atë që po bën Çezare Prandeli. Për të tentuar të masim shifrën e një revolucioni, që rrezikon të kalojë në një plan të dytë. Për të vënë në dukje si një veçanti përtej golave dhe muskujve të Balotelit, “cucchiaio”-s dhe gjenialitetit të Pirlos, përtej shpikjeve të Kasanos, përtej fluturimeve të Bufonit apo edhe të tjera.

Debati është i hapur, por duket se janë të shumtë ata që mendojë se asnjë kombëtare italiane, nuk ka luajtur më mirë se sa kjo e këtij Europiani. Ajo ka zhvilluar një lojë të mirë në ndeshjen debutuese ndaj Spanjës, ka bërë një ndeshje të brishtë me Kroacinë, është treguar efikase me Irlandën për t’u bërë e mrekullueshme ndaj Anglisë dhe Gjermanisë. Italia e dy ndeshjeve të fundit jo vetëm nuk i frikësohet përballjes me të asnjë Italie të së kaluarës, por as nuk mund të hiqen vija paralele mes tyre. As me ato që kanë fituar disa tituj botërorë. Nuk flitet për atë që ato tituj kanë përfaqësuar, për emocionet që kanë dhuruar, për krenarinë me të cilat i ka arritur ato trofe, për faktin se kanë qenë të merituar dhe shumë të bukur. Flitet vetëm për kualitetin e lojës. Italia e Prandelit është Italia më e bukur e të gjitha kohërave.

Trajneri është nisur në punën e tij të rindërtimit mbi gërmadhat e Botërorit afrikanojugor pa zhurmë, pa deklarata, pa sfiduar botën, duke predikuar përulësi, duke kërkuar durim dhe pak bashkëpunim. Që më pas ia kanë dhënë. Flitet për klubet, të impenjuara për të çuar përpara programet e tyre, duke marrë në konsideratë kombëtaren si një të keqe të domosdoshme. Ia kanë vënë në dispozicion lojtarët si për miqësore ashtu edhe për grumbullime didaktike.

Revolucioni i Prandelit është pikërisht ky. Ai mëson futboll, gjithnjë ka qenë kështu, të gjitha skuadrat e tij kanë pasur vetëm një ide bazë: të krijojnë lojë, të përpiqen t’i imponojnë idetë dhe personalitetin e tyre kundërshtarit. Ka qenë kredoja e një tjetër trajneri të madh të futbollit italian, Arrigo Saki, i cili ia doli me Milanin të arrinte nivelin e lartë të lojës dhe të rezultateve të kontestueshme, por kombëtarja e tij ishte inferiore ndaj kësaj të Prandelit.

Ndeshja me Gjermaninë ka konfirmuar atë që të gjithë kishin parë, dhe që tashmë ia shfaq qartësisht së gjithë botës: ekziston një stil loje italian. Të kaltrit nuk janë më ata të mbrojtjes dhe të kundërsulmit, ata që shfrytëzojnë gabimet e kundërshtarëve, ata që tentojnë të fitojmë me çdo mjet. Sot të gjithë po fillojnë ta njohin Italinë për atë që është shndërruar: një skuadër, që luan shumë mirë, pa i vjedhur askujt asgjë, por me një stil të sajin, që është një miks klasi, qarkullim topi, shpejtësi, forcë fizike, shpirt grupi.

Një skuadër që di gjithnjë se çfarë duhet të bëjë në çdo zonë të fushës. Një skuadër që ka lojtarë të mrekullueshëm, por duket e telekomanduar nga një gjeni në këmbë përpara pankinës së tij. Një njeri i mirë, një trajner i madh, që e gjithë bota u ka zili italianëve dhe që e kërkon. Por askush s’ka ndërmend ta lërë të ikë.

Meritat - Luajnë futbollin më të bukur në krahasim me kombëtaret axurre të së kaluarës, që kanë fituar edhe trofe të rëndësishëm. Meritën nuk e kanë vetëm lojtarët, por edhe trajneri Prandeli

Finalja - Italiani: Nuk kemi fikë nga Spanja. Spanjolli: Nuk pendohemi që iu shpëtuam
Sfida, Del Boske e Prandeli ndezin finalen Spanjë-Itali

Visente Del Boske është shprehur për mediat spanjolle se nuk është penduar që ndihmoi Italinë në kalimin e grupit, duke mundur në ndeshjen e fundit Kroacinë e që tashmë do ta ketë përballë në finalen e madhe të Euro 2012. “Kurrë nuk pendohemi për ‘biskotën’. Bëmë atë që duhet të bënim duke luajtur në maksimum ndaj Kroacisë”, theksoi trajneri i Spanjës në lidhje me takimin që fitoi 1-0 ndaj Kroacisë. “Do të jetë një ndeshje pa favoritë.

Kemi dy ditë kohë për të dalë në përfundimet më të mira për të përballuar sfidën. Unë mendoj se Italia do të zbresë në fushë me formacionin që luajti ndaj Gjermanisë dhe nuk do të ndryshojë për ne”, shton Del Boske. Ndërsa Sesk Fabregas thekson se “Italia ka eksperiencë dhe lojtarë të mëdhenj”. Mesfushori i Spanjës, deklaroi në konferencën për shtyp të ditës së premte se Italia është një “skuadër shumë kompetitive.

Kanë eksperiencë dhe lojtarë të mëdhenj si Baloteli dhe Kasano. Ai që do të fitojë do ta meritojë trofeun, sepse Spanja dhe Italia kanë treguar se janë skuadrat më konsistente”. “Kemi luajtur një ndeshje të madhe edhe pse në fund u detyruam të mbroheshim në zonë, sepse nuk kishim më forca”. Këto janë fjalët e Çezare Prandeli pas fitores së Italisë së tij ndaj Gjermanisë 2-1 në gjysmëfinalen e Euro 2012. “Luajtëm në qendër dhe kërkuam gjithmonë që topi t’i shkonte Kasanos. Italia gjithmonë luan mirë ndeshjet e mëdha dhe kur flitet për të, duhet kujdes. Kemi dhënë shembullin e korrektësisë dhe përkushtimit ndaj fanellës”, shtoi tekniku italian, i cili vlerësoi edhe Balotelin, autorin e dy golave të ndeshjes.

“Nuk e di nëse është ndeshja e tij më e mirë që ka bërë në karrierë sepse karriera e tij, sapo ka nisur. Baloteli e ndihmoi shumë ekipin dhe e zëvendësova, sepse duhet të luajë edhe një ndeshje tjetër”. Më tej, Prandeli thekson se ëndrra e Italisë fillon tani: “Të dielën kemi ndeshjen më të rëndësishme të Euro 2012. Jemi të lodhur, por edhe Spanja nuk është më pak. Do të nisemi të barabartë të dielën, edhe pse Spanja është favorite, sepse është një skuadër brilante”.