e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Interi kalon Kluzhin me cmim te shtrenjte

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Interi kalon Kluzhin me cmim te shtrenjte
Interi ka përmbysur me lehtësi misionin për të siguruar kualifikimin në Rumani. Zikaltrit kanë fituar 3-0 ndaj vendësve të Kluzhit dhe kalojnë kështu në raundin tjetër të Ligës së Europës, ku do përballen me Totenhemin. Edhe pse kishin fituar 2-0 në ndeshjen e parë, Andrea Stramaçoni nuk i kurseu të gjithë yjet e ekipit. Përballë një kundërshtari me shumë grinte, por pa kualitet, italianët arritën të bëjnë diferencën pa shpenzuar shumë energji. Ishte Guarin, ai që i kaloi në avantazh miqtë, pas një asisti të Palasios në minutën e 22-të.

Ndërkohë, në limitet e pjesës së parë, pas një gafe të portierit të Kluzhit, Guarin shënoi edhe golin e dytë. Pjesa tjetër e lojës i shërbeu Interit për të aktivizuar tre lojtarë nën 20 vjeç dhe kursyer energji për derbin me Milanin, ditën e diel. Në fakt, edhe pse nxori Guarinin, Palasion dhe Alavarezin (në formë të shkëlqyer), i sapofuturi Benasi vulosi edhe golin e tretë në të 88-ën. Një fitore 5-0 në total për Interin, por që i ka kushtuar shtrenjtë. Ndërsa në ndeshjen e parë u dëmtua Diego Milito, këtë herë ka qenë Andrea Ranokia që u dëmtua në gjurin e djathtë dhe doli nga fusha e lojës. Mbrojtësi rrezikon minimalisht që të humbasë supersfidën e fundjavës, duke vënë jo pak në vështirësi trajnerin.

Totenhemi - Një gol i Musa Dembeles në kohën shtesë u dhuroi anglezëve barazimin 1-1 në transfertë ndaj Lionit dhe mbi të gjitha kualifikimin për në raundin tjetër. Skuadra e Andres Vilas-Boasit tashmë do përballet me Interin, duke duruar një përballje spektakolare në 1/8-at. “Besuam shumë te kualifikimi dhe ia dolëm mbanë që të shënojmë në fund. Jam shumë i kënaqur, pasi kishim përballë një skuadër mjaft të fortë”, – deklaroi Vilas Boas. Në ndeshjen e parë, anglezët kishin fituar 2-1 ndaj Lionit.

“Dëmtimi i Ranokias prish shumë punë”

Andrea Stramaçoni pranon se një mungesë e Ranokias në derbi do ishte një problem i madh për skuadrën e tij. “Jam i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, pasi u treguam të zgjuar dhe të saktë në fushë. Fituam pa shpenzuar shumë energji dhe ky ishte misioni ynë. Gjithsesi, jam i shqetësuar për Ranokian. Ende nuk e di se sa do të mungojë, por nëse nuk do jetë në derbi, kemi të bëjmë me një problem jo të vogël. Ai është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen, duke ditur edhe faktin që kemi edhe mungesa të tjera në këtë repart. Gjithsesi, ne ndaj Milanit do luajmë vetëm për fitore”, – tha Stramaçoni