Interi e bën festë ndaj Palermos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Interi nuk ndalet më dhe kalon edhe provimin "e maturës" që vinte menjëherë pas provës së forcës të treguar në mesjavë përballë Juves. Ljajiç, Ikardi dhe Perisiç i dhuruan dje Mançinit tri pikët duke shënuar tri herë në portën e Palermos.
I padobishëm ishte goli i Vazkezit, i cili nuk ia doli që ta nxirrte nga telashet ekipin sicilian që tashmë është zyrtarisht në luftë për mbijetesën. Ndërsa për Interin, kjo fitore do të thotë shumë. Roma është vetëm 5 pikë larg dhe dueli i 19 marsit në "Olimpico" do të jetë një "finale" e vërtetë për vendin e tretë.
Zgjedhjet - Sa u përket zgjedhjeve që bënë teknikët respektivë spikati Mançini, i cili kishte ulur në stol Brozoviçin, më i miri në takimin Inter-Juve. Tekniku preferoi që të luante me vetëm dy mesfushorë. Në sulm u aktivizua Ikardi, i cili u "asistua" prej tre lojtarësh (Palasio, Ljajiç e Perisiç). Ndërkohë në portë Karrizo zëvendësoi Handën (nuk u aktivizua për shkak të gjendjes gripale). Nga ana tjetër, Iakini e rreshtoi ekipin e tij me një skemë mbrojtëse duke zgjedhur që t'i sulmonte vendësit vetëm me dy lojtarë.
Asgjë e sigurt - Sa i përket takimit, Interi e nisi menjëherë fort garën duke marrë kontrollin e topit. Skuadra e Mançinit presoi kundërshtarët dhe, pas vetëm pak minutash lojë, gjeti avantazhin falë një inkursioni të Ljajiçit, i cili, në hyrje të zonës, devijoi në të djathtë për të goditur mirë sferën që pushoi në rrjetën e Sorrentinos.
Më pas Interi rrezikoi të pësonte gol po të mos ishte për Nagatomon që korrigjoi gabimin e Kondogbias. Pak minuta më vonë, zikaltrit gjetën edhe golin që të gjithë menduan se do të "mbyllte" takimin. Palasio futi një top në zonë, ndërsa Ikardi si një bomber i vërtetë i parapriu Gonzalesit për ta dërguar sferën pas shpinës së Sorrentinos.
Për t'i dhënë kuptim mbrëmjes mendoi Vazkez, i cili në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë "shigjetoi" Karrizon pas një harkimi të Rispolit nga e djathta. Portieri argjentinas, edhe pse e kishte topin në dorë, nuk mundi që ta frenonte pasi argjentinasi në momentin e devijimit ishte shumë pranë tij.
Perisiç deciziv - Goli i Palermos i shtoi pasiguritë ekipit vendës që pjesën e dytë e nisi garën me mjaft frikë. Nga situata e krijuar nuk përfitoi siç duhet Palermo. Formacioni mik jo vetëm që nuk shënoi, por mori edhe golin e tretë. Interi përfitoi nga mbrojtja e brishtë e ekipit të Jakinit dhe në minutën 54 bëri tris me Perisiçin.
Ikardi nga e djathta i serviri një top mjaft të mirë kroatit, i cili me kokë mbylli ndeshjen duke çliruar tifozët vendës. Kjo fitore ishte "historike" për zikaltrit, të cilët kishin që prej janarit të 2012 që nuk shënonin tre a më shumë gola në dy takimet radhazi në shtëpi.