Inter, ja plani i Manços për të vjedhur Berardin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
E ardhmja e Domeniko Berardit është shndërruar në një intrigë të vërtetë.
Pavarësisht faktit se Juventusi ka të drejtën e blerjes së tij në fund të këtij sezoni, kjo nuk e pengon Interin të futet në garë për shërbimet e sulmuesit të Sasuolos.
Ditën e djeshme, mediat italiane kanë raportuar se Roberto Mançini do të merret vetë personalisht me këtë çështje për ta bindur Sasuolon, por mbi të gjitha futbollistin.
Avantazhi i Interit
Zikaltrit janë të gatshëm t'i ofrojnë një vend si titullar 21-vjeçarit dhe diçka e tillë është shumë e rëndësishme për futbollistin.
Vendi në formacion mund ta shtyjë atë të zgjedhë skuadrën e Interit sepse Mançini do t'i garantonte një vend të përhershëm në 11-shen startuese. Juventusi nuk mund ta bëjë diçka të tillë, pavarësisht se Berardi është një lojtar me shumë cilësi.
"Zonja e Vjetër" është në kërkim të emrave të afirmuar edhe në arenën europiane dhe ka ende dyshime për transferimin e Berardit në Torino. Megjithatë, Interi ka edhe disavantazhe. Fakti që pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve nuk është e sigurt i frenon drejtuesit, por edhe lojtarin për të bërë hapa përpara në këtë marrëveshje. Kartoni i tij është 25 milionë euro dhe Tohir nuk garanton diçka të tillë në rast se skuadra s'arrin vendin e tretë.
Situata
Domeniko Berardi është lojtar i Sasuolos dhe kartonin e plotë të tij e zotërojnë këta të fundit. Juventusi ka vetëm të drejtën e blerjes së tij në fund të sezonit, por në rast se lojtari dhe bardhezinjtë nuk bien dakord, atëherë Berardi është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij.
Sasuolo shpreson që sulmuesi 21-vjeçar të qëndrojë edhe për këtë sezon, por për momentin asgjë nuk është vendosur. Presidenti i Sasuolos thotë se fillimisht do të flasin me lojtarin dhe, më pas, do të marrin vendimin për të biseduar me ekipet që janë të interesuara për të.
"Shpresojmë që Berardi të qëndrojë me ne. Është një lojtar me shumë vlera, por nuk kemi vendosur asgjë për të ardhmen. Është ende herët për të folur", ka thënë Skuinci. Për Berardin, edhe Milani është duke qëndruar në pritje, për të përfituar nga çdo dyshim që mund të ketë Interi dhe Juventusi.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI