e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Baka-Adriano, rinisja e Milanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Baka-Adriano, rinisja e Milanit

Gjysmë ore lojë kundër Kievos mjaftuan për të bindur trajnerin Mihajloviç se Luiz Adriano është ende i vlefshëm për Milanin. baka adriano milanBarazimi 0-0 i arritur në transfertë dëshmoi se reparti i sulmit në radhët e kuqezinjve është i brishtë dhe ka shumë pak alternativa. Liga e Kampionëve duket një mision i pamundur, pavarësisht se Milani do të provojë deri në fund.

Kthesa e Milanit

Gjatë ndeshjeve të mbetura, Mihajloviç duhet të tregojë se është trajneri i duhur për Milanin edhe në sezonet e ardhshme. Ai duhet t'i dërgojë kuqezinjtë në një kompeticion europian, qoftë Champions, apo Europa Ligë. Milanin e pret një tjetër sfidë e vështirë ndaj Lacios dhe Miha do të rikthejë në dyshen e sulmit Bakën dhe Luiz Adrianon.

Diçka e tillë ishte parashikuar në fillimin e sezonit, por më vonë ecuria negative e Luiz Adrianos bëri që numri një i kuqezinjve të hiqte dorë nga ai, duke i besuar Niangut. Luiz Adriano u transferua edhe në Kinë, por diçka e tillë dështoi dhe braziliani u rikthye sërish nën urdhrat e Mihajloviçit.

Tani që është fundi i sezonit, Milani mund t'u besojë sërish atyre, që ishin planifikuar që në start si dyshja e repartit të sulmit. Menez dhe Baloteli duhet të "luftojnë" fort për një fanellë titullari në këtë skuadër.

Formacioni

Sipas "Sky", trajneri i Milani do të rikthehet sërish te formacioni 4-4- 2, me të cilin pati një ecuri shumë të mirë. Diçka e tillë bie në kundërshtim me dëshirat e presidentit Berluskoni, i cili kërkon një Milan me 3 sulmues, ku mundësisht njëri prej tyre të jetë Menez.

Ndaj Kievos Milani luajti për shumë minuta me skemën 4-3-3, me Menez dhe Hondën në krahët e Bakës, por nuk rezultoi skemë e suksesshme. Këtë fundjavë, kuqezinjtë kanë një tjetër ndeshje delikate me Lacion, e cila do të shërbejë për të rikthyer moralin dhe besimin në radhët e skuadrës së Milanit.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI