e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Iniesta: 'Topin e Arte' nuk do ta fitoj kurre

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Iniesta: 'Topin e Arte' nuk do ta fitoj kurre
Në fshatin La Mança, me një popullsi prej 1.864 personash, është një bar. Quhet “Lujan” dhe në zonë njihet si muzeu i vogël i Andres Iniestës, pasi aty janë të ekspozuar trofetë e kampionit të Barcelonës. Po çlidhje ka kjo me Iniestën? Sepse bari menaxhohet nga gjyshi i tij. “Lujan” është shndërruar në vendtakimin e tifozëve të fantazistit katalanas, por që të mërkurën ra heshtja. Humbja e parë kundër kampionëve të Skocisë në Champions ishte e hidhur për Barcelonën.

“Gjyshi im organizon festë atje sa herë që luan Spanja apo Barcelona. Ekspozuar në muret e ‘Lujan’ janë edhe këpucët e finales së Romës në vitin 2009. Është edhe fanella e Pol Skollsit, të cilën e shkëmbeva pas finales, por edhe ajo e finales së Kupës së Botës”, – nis rrëfimin e tij Iniesta. Ishte 12 vjeç kur u largua nga Fuentealbija drejt Barcelonës dhe sot ndihet edhe pak katalanas. Megjithatë, “ylli” i Kombëtares spanjolle rikthehet shpesh në vendlindje.

“Sa të vështirë e kisha të ambientohesha në ‘La Masia’. Ishin ditët më të vështira të jetës sime. Vija nga një vend i vogël në akademinë e klubit më të madh të Spanjës, por sakrificat m’u shpërblyen. Kur fituam Botërorin në vitin 2010 unë po kaloja sezonin më të vështirë në karrierën time. Më kujtohet dhe finalja e Romës. Kisha pësuar një tërheqje muskulore deri në 3 cm dhe nuk mund të godisja me këmbën e djathtë, por duhet të isha në fushë”, – shton 28- vjeçari, të cilin doktorët e kishin këshilluar të mos godiste në atë ndeshje. Dikush e quan “trurin” e ekipit së bashku me Ksavin: “Ne ndihemi pjesë e diçkaje të madhe. Ne luajmë futboll. Njerëzit thonë se jemi të mërzitshëm, por jemi fitues. Ne nuk bëjmë gjeometri në fushë dhe nuk e shohim futbollin si shkencë.

Përkundrazi, duam të fitojmë, por e bëjmë me stilin tonë”. Guardiola i thoshte shpesh ekipit: “Andres nuk i lyen flokët, nuk mban vathë dhe nuk ka tatuazhe. Ai nuk është në vëmendjen e medias, por është më i miri nga ju”. Dhe kjo modesti e Iniestës përkthehet me një buzëqeshje edhe kur e pyesin për “Topin e Artë”: “Sa do doja ta fitoja, por jam i sigurt se e fiton një mes Mesit dhe Ronaldos. Sa të jenë ata në qarkullim vështirë ta fitojë dikush tjetër”.