Ikardi në delir: Shënova gol si të Ronaldos
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vigjilent dhe i pash pirt përpara portës kundërshtare. Jo më kot ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave më të mira të Europës. Ndeshja Inter-Sampdoria ishte një tjetër shans i mirë për Mauro Ikardin që të tregonte se është një lojtar ndryshe nga të tjerët.
Kësaj here ai shkëlqeu në sytë e njërit prej sulmuesve më të mëdhenj që ka pasur Interi në historinë e saj. "Shkoi gjithçka mirë. Ne donim që të fitonim dhe në fund ia dolëm që të merrnim të tri pikët. Shënova një gol të bukur.
Ishte një zbritje e mirë dhe kur u paraqita përballë portierit topi më mbeti pak prapa. Por unë e godita lehtë me anën e brendshme të këmbës dhe shënova. Ronaldo më solli shumë fat, bëra një prej zbritjeve të tij", tha Maurito.
Për Mançon - Gjatë fjalës së tij, Ikardi kishte një mesazh edhe për trajnerin. "Njerëzit mendojnë se me grumbullimin njëjavor në qendrën stërvitore zgjidhet gjithçka. Fitohen ndeshje. Por kjo nuk është aspak e vërtetë.
Takimet fitohen duke luajtur të përqendruar. Ne ishim të qetë, pasi e dinim fare mirë se çfarë duhet të bënim në këtë situatë të vështirë. E dinim që duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë", tha argjentinasi, i cili me këtë deklaratë doli kundër trajnerit.
Mançini kur e argumentoi vendimin që kishte marrë për të grumbulluar ekipin sqaroi se bënte diçka të tillë, pasi kërkonte që të kthente qetësinë mes lojtarëve. Sipërmarrja - Mes të tjerash, Maurito foli edhe për objektivat sezonalë të Interit.
"Tani do të na duhet të përballemi dy herë me Juventusin. Në të dy takimet do të futemi me kokën lart. Dhe për duelin e Kupës (ndeshja e parë u fitua 3-0 nga Juventusi), ne shkojmë për t'u kualifikuar. Në futboll asnjëherë nuk mund të thuash kurrë", tha Ikardi, i cili ka shënuar në Serinë A 11 gola në 19 goditje në kuadrat.