e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Igli Tare: Nje dite do te jem trajner i kombetares

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Igli Tare: Nje dite do te jem trajner i kombetares

“Dua të jap kontributin tim për futbollin shqiptar. Kaçe? Lojtar fantastik, por s’e kam kërkuar asnjëherë”

Të gjithë e mbajnë mend sulmuesin shtatlartë biond që tmerronte mbrojtjet kundërshtare me forcën dhe potencialin e tij. Ai që na bën krenar sa herë e shohim nëpër tribunat e stadiumeve italiane. Zotëron një post shumë të rëndësishëm siç është ai i drejtorit sportiv tek Lacio. Bëhet fjalë për Igli Taren, i cili eksluzivisht për “Gazeta e Sportit” ka zbuluar planet e tij për të ardhmen dhe ka folur për ambiciet e tij personale. Tare i përgjigjet shumë shkurt pyetjes nëse një ditë do ta shohim tek Interi apo jo, duke lënë të kuptohet gjithçka se një oferte të majme dhe joshëse nuk do t’i thoshte jo, edhe pse tashmë është në një ekip të madh në Itali si Lacio.

Këta të fundit janë në vështirësi, por Tare beson se shumë shpejt do ta kalojnë momentin e vështirë dhe do të gjejnë vazhdimësinë e munguar. Si gjithmonë, edhe këtë herë drejtori sportiv i Lacios ka shprehur dëshirën se një ditë do të japë kontributin për rritjen e nivelit të futbollit shqiptar, por edhe të kombëtares. Postin e kreut të Federatës nuk e ka menduar ndonjëherë, por nuk përjashton mundësinë e marrjes së drejtimit të ekipit kombëtar, si trajner. “Në një të ardhme, pse jo?”, tha Tare. Kjo është intervista e plotë që ish-sulmuesi kuqezi dha për gazetën tonë.

Igli, dita-ditës në Shqipëri por edhe në mediet italiane shkruhet se Ergys Kaçe ka arritur akordin me ekipin e Lacios dhe shumë shpejt do të transferohet aty…

Ergysi është një lojtar fantastik dhe ka një të ardhme shumë të ndritur përpara. E kam parë disa herë kur luan dhe duket sikur është lojtar me eksperiencë. Është lojtar shumë i mirë dhe me perspektivë.

Keni kontaktuar me të apo me drejtuesit e PAOK-ut?

Të them të vërtetën nuk e kam kërkuar asnjëherë. Dhe kjo për faktin se ne tek Lacio kemi edhe dy lojtarë të tjerë që e bëjnë shumë mirë atë rol dhe për më tepër janë të rinj si Kaçe.

Një tjetër çështje e nxehtë është transferimi i juaj tek Interi sepse thuhet që Tohir iu ka kërkuar. Është e vërtetë?

Nuk kam koment për këtë çështje.

Ne shqiptarët kemi një shprehje “ku ka zë, s’është pa gjë”…

(Qesh)… Për momentin nuk dua të them asgjë për këtë temë.

Por s’do t’ia mbyllnit derën një ditë një ekipi të madh si Interi…

Unë jam në një ekip të madh si Lacio…

Kemi mësuar se përpara disa javësh keni qenë në Shqipëri. Kishit ndonjë projekt, ndonjë plan?

Po është e vërtetë që kam qenë. Megjithatë nuk ishte për çështje pune, por për çështje personale.

Meqë erdhëm në Shqipëri… Keni thënë në një intervistë se një ditë doni të jepni kontributin tuaj për futbollin shqiptar…

Po e kam thënë. Vazhdoj ta mendoj këtë gjë dhe në një të ardhme do të rikthehem në Shqipëri për të kontribuar për futbollin.

Domethënë ju josh posti i kreut të Federatës?

Të them të drejtën nuk e kam parë asnjë herë me atë këndvështrim. Fakti që them se do të japë kontributin tim në lidhje me futbollin shqiptar jo domosdoshmërisht do të thotë se do të jem president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Do të jetë Igli një ditë në krye të institucionit më të lartë të futbollit tonë?

E thashë që nuk e kam menduar ndonjëherë. Dëshira është të jap kontribut për futbollin, të tjerat janë konseguenca të rrjedhshmërisë së ngjarjeve.

Që do të thotë trajner…

Ndoshta pse jo, në një të ardhme.

A ka vërtet shanse që kombëtarja jonë të arrijë në një kompeticion të rëndësishëm? Përpara kemi “Francë 2016”…

Meqë ishim në temën e shprehjeve popullore: “Ku ka dëshirë ka një rrugë për ta arritur atë”…

Por dëshira nuk mungoi as këtë herë. Çfarë mungoi?

Mungoi vazhdimësia. Ekipi bëri shumë mirë në ndeshjet e fillimit të eliminatoreve, ndërsa më vonë nuk po arrinin të gjenin rezultatin pozitiv.

Po mungon edhe një sulmues si ju apo si Bogdani…

E kompenson me forcën që ka skuadra si grup. Ky është kualiteti i ekipit kombëtar.

Kjo gjë po i mungon edhe Lacios tani…

Shumë e vërtetë.

Si shpjegohet kjo situatë?

Ka shumë shpjegime dhe shumë faktorë që po ndikojnë tek Lacio këtë periudhë. Jemi në një moment kur duhet të bëjmë ndryshimin e brezave. Kemi shumë lojtarë të rinj, dëmtime dhe skualifikime. Mbi të gjitha mungon dëshira për të arritur me çdo kusht rrugën e fitoreve. Duhet shumë punë dhe sakrificë për ta arritur. Kjo mungon. Kemi shumë kualitet, por në individualitet. Nuk ka forcë grupi.

Keni ndonjë emër në mendje për merkaton?

Për momentin jo. Ne jemi një ekip i kompletuar dhe duhet vetëm pak punë për t’u konsoliduar si në të shkuarën.

Kush e fiton Serinë A?

Juventusi!