Idrizi bën homazhe, babai i viktimës: Si më frenonte djali kur shaja në stadium
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sinan Idrizi, i shoqëruar edhe nga drejtues të klubit, ka bërë dje homazhe në vendin ku gjeti vdekjen tifozi Mikel Selmanaj. Administratori Idrizi ka kërkuar shpjegime nga drejtori Behari për mënyrën se si mund të ketë ndodhur ngjarja, ndërsa mbajti një minutë heshtje përpara vendit të ngjarjes ku janë vendosur buqeta me lule.
Më pas, rreth orës 13:00, Idrizi i shoqëruar nga zëvendëspresidenti i klubit Kreshnik Çipi, drejtori Ardi Behari, Vasil Ruci dhe Albert Deliaj kanë vizituar në Radhimë familjen Selmanaj për të shprehur ngushëllimet e rastit për humbjen e Mikelit. Idrizi ka kërkuar që të gjithë bashkë të punojnë për ta çuar deri në fund këtë çështje dhe të zbardhin të vërtetën, si dhe ka siguruar mbështetjen financiare për dy fëmijët e mitur.
"Jam shumë i shokuar nga kjo ngjarje e rëndë. Nuk kam fjalë, jam i prekur. Kërkoj nga ju që të bëhemi bashkë dhe ta çojmë deri në fund këtë ngjarje. Duhet që të punojmë për zbardhjen e saj dhe ta kërkojmë me forcë këtë. Unë ju siguroj se deri në moshën 18-vjeçare do të siguroj pensionin për dy fëmijët.
Gjithçka është vetëm çështje procedurash ligjore. Paratë do të hidhen në bankë nga kompanitë turke. Ju ftoj që të bëjmë bashkë të gjitha procedurat, pasi në Shqipëri nuk ka ligj për sigurimin e fëmijëve, por do ta zgjidhim këtë ngërç", është shprehur Idrizi.
Babai i viktimës - Babai i Mikel Selmanajt ka falënderuar Idrizin për gjithçka që po bën, ndërsa i ka treguar bisedën e fundit me të birin. "Unë së bashku me Mikelin shkonim gjithmonë në stadium, nuk linim ndeshje pa parë. Para se të ikte në stadium, më tha që të shkoja dhe unë.
Jo, i thashë, pasi më duhet që të paguaj 7 mijë lekë biletë plus edhe karburantin. Unë shkoja gjithmonë me Mikelin për të ndjekur Flamurtarin. Madje unë shaja, ai jo, dhe më thoshte që të frenohesha. Djali im ishte i rregullt", u shpreh babai i viktimës.
Familjarët - Sabri Xhelilaj, daja i viktimës, shprehet se po dëgjojnë shumë fjalë të paqena, ndaj duhet që të zbardhet ngjarja. "Nëse mjeku ligjor ka bërë ekspertizën, kanë diktuar diçka. Ta thonë dhe ta dokumentojnë. Mund të ketë pasur edhe ndonjë fatkeqësi nga vetja e tij, atak, gjëra që ndodhin.
Por po dëgjojmë shumë llafe të paqena. Ne nuk po arrijmë të gjejmë një njeri të drejtë, që ka qenë në shkallët e stadiumit dhe ta ketë parë. Mënyra si u la ky djalë aty shtrirë është për t'u tmerruar. Edhe unë jam i bindur se është një dorë që e ka shtyrë atë njeri. Edhe polici mund ta shtyjë tifozin dhe fatkeqësisht mund të bjerë dhe të vdesë", shprehet Xhelilaj.