Idrizi: Kupa, detyrim për Flamurtarin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sinan Idrizi kërkon që Flamurtari të jetë me "këmbë në tokë". Edhe pse kuqezinjtë u kualifikuan për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, për administratorin Idrizi ende nuk është arritur asgjë.
Në një bisedë telefonike për "Panorama Sport", nga Turqia, ku gjendet për arsye pune, administratori Idrizi është shprehur se Flamurtari i tij ka ende shumë punë për të bërë dhe se rruga është e gjatë. Ekipi, sipas tij, nuk duhet që të ekzaltohet, pasi nuk është arritur asgjë.
Kreu i klubit shikon nisje të suksesit vetëm fitimin e Kupës së Shqipërisë, ndërsa e cilëson kualifikimin për në gjysmëfinale si një detyrim që ekipi ka ndaj tifozëve dhe drejtuesve. "Fitorja dhe kalimi për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë është pozitiv. Por ekipi duhet që të jetë me 'këmbë në tokë.
Ishte një fitore e bukur, por çdo gjë duhet që ta kemi me limite. Kemi shumë rrugë të gjatë për të bërë përpara dhe ekipi nuk duhet që të ekzaltohet. Nëse ne e fitojmë Kupën e Shqipërisë, atëherë mund të themi se suksesi sapo ka nisur, por për momentin kualifikimi nuk do të thotë asgjë, është thjesht detyrim. Më pëlqeu ndeshja, ishte një ekip shumë korrekt në fushë dhe menjëherë pas ndeshjes telefonova trajnerin Ramadani dhe e urova. Pra, nuk ka vend për eufori, duhet që të jemi shumë të kujdesshëm, nuk është arritur ende asgjë", tha fillimisht Idrizi.
Kampionati - Pavarësisht situatës së vështirë dhe aspak komode në tabelën e klasifikimit, administratori Sinan Idrizi as që e mendon se Flamurtari rrezikon qëndrimin në Superligë. "Çfarë është kjo?! Nuk ka lidhje fare!". Janë futbollistë profesionistë dhe e dinë se çfarë bënë? Unë dua që ata të mos jenë euforikë, vetëm kaq!", tha Idrizi.
Takimi me Taren - Administratori i Klubit të Futbollit Flamurtari ka takuar në Turqi drejtorin e Lacios, Igli Taren, si dhe portierin Etrit Berisha, teksa ka publikuar edhe foto në faqen e tij zyrtare në "Facebook". Por në disa rrjete sociale u komentua se Idrizi mund të marrë ekipin e Lacios. Këtij fakti, nëpërmjet "Panorama Sport", administratori i përgjigjet me batutë: "Igli Tare është vlonjat dhe unë e kam mik. Çfarë janë këto që thuhen se unë do të blej Lacion? Po nesër kur të dal në fotografi me Obamën, çfarë do të thonë, që Sinani do të blejë Amerikën?!" (qesh...)", përfundon Idrizi.