Alarm te Partizani, Mentor Marzekaj rrezikon operacionin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nën drejtimin e trajnerit Agostineli, Partizani në asnjë ndeshje nuk ka qenë i plotë, por në dy sfidat e fundit i ka munguar mesfushori Mentor Mazrekaj. 27-vjeçari është një nga shtyllat e skuadrës dhe mosprania e tij në fushë sikur i mohon oksigjenin e duhur fazës sulmuese të kryeqytetasve.
Mësohet se shkak për mungesën e Mazrekajt, në seancat e fundit stërvitore dhe në dy sfidat e fundit, është bërë një dëmtim që lojtari e mbart prej kohësh. Që pas ndeshjes së javës së 20-të me Flamurtarin, Mazrekaj ka qëndruar larg terrenit stërvitor, duke iu nënshtruar një terapie speciale riaftësuese.
Pas sfidës me Laçin, drejtues të klubit bënë me dije se lojtari ka nevojë për një periudhë pushimi dhe po mbahet në monitorimin e stafit mjekësor. Nëse gjendja nuk përmirësohet gjatë këtyre ditëve, nuk përjashtohet mundësia e një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Mazrekaj po zhvillon sezonin e tretë me Partizanin, por këtë edicion mesfushori ka kaluar disa probleme fizike. Situata e dëmtimit të lojtarit ka qenë alarmante në kampin e kuq që në mesin e muajt nëntor, pikërisht para ndeshjes së fazës së dytë me Flamurtarin.
Përsëritjet e shpeshta të lëndimeve e vunë në lëvizje stafin e kuq para tre muajsh, të cilët u konsultuan edhe me ekspertë nga Italia. Në mesin e muajt nëntor përgatitësi atletik, Kristiano Xhanoti, diskutoi me ish-trajnerin Starova, të cilit i këshilloi që ta linte Mazrekajn 8 ditë pushim absolut, në mënyrë që të shikohej se nga i vinte kontraktimi.
"Bobi" ishte dakord që të mos e përfshinte në transfertën e Vlorës, dhe më pas ata u konsultuan edhe me lojtarin. Por Mazrekaj nuk e pranoi këtë propozim, pasi ai ndihej i gatshëm dhe donte të kontribuonte. Atë që 27-vjeçari duhet ta bënte para tre muajsh, por e praktikon tani, gjë e cila lë të kuptosh se kosovari ka sakrifikuar duke luajtur me të kuqtë.
Ndikimi- Për pjesën dërrmuese të dashamirësve të Partizanit, por edhe specialistëve të futbollit, rolin e Mazrekajt nuk mund ta bëjë askush në skuadër dhe mungesa e tij ka ndikim edhe te rendimenti i ekipit.
Falë cilësive të tij, Mazrekaj i jep më shumë siguri ekipit në fazën sulmuese, ndonëse trajneri Agostineli ka qenë kritik ndaj tij për mbajtjen e tepruar të topit. Në ndeshjen me Laçin, stafi provoi disa alternativa, por mungesa e 27-vjeçarit mbeti e parikuperueshme.