Idrizi: Borxhet i paguam, tani bashkia të privatizojë klubin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sinan Idrizi kthehet urgjentisht nga Turqia. Situata e krijuar nga borxhet e prapambetura, pas ultimatumit të dhënë nga FIFA për Bajevskin (i shlyen 47884 euro) dhe Rajoviçin (të cilit i detyrohen 18204 euro) kanë detyruar administratorin që të kthehet në Vlorë.
Kreu i klubit pritet të takohet me stafin e tij të ngushtë, për të diskutuar për gjendjen e krijuar, si dhe për t'i dhënë një zgjidhje konkrete këtij ngërçi. Idrizi do të konsultohet me bashkëpunëtorët e tij, ndërsa mësohet se do të kalohet në "sitë" i gjithë dokumentacioni për borxhet që klubi ka ndaj ishlojtarëve, që nga koha kur administrohej nga bashkia.
Situata - Administratori, i kontaktuar dje nga "Panorama Sport", ka deklaruar se klubi pagoi detyrimet ndaj Bajevskit për të mos rrezikuar me heqjen e pikëve. Idrizi tha se do të vijojë projektin e tij në krye të Flamurtarit.
"Nuk donim që të penalizoheshim me heqje pikësh. Në këto kushte, unë urdhërova që në mënyrë urgjente të bëheshin pagesat për lojtarin në fjalë. Edhe pse nuk janë borxhet e mia, por të bashkisë, isha i detyruar ta likuidoja, pasi nuk doja që Flamurtari të rrezikonte heqje të tjera pikësh, të cilat do të na penalizonin në të ardhmen", tha fillimisht ai.
Zgjidhja - Numri një i Klubit të Futbollit Flamurtari do të takohet me kryebashkiakun Dritan Leli për të diskutuar në lidhje me një zgjidhje të mundshme të situatës. Por, Idrizi thekson se privatizimi është zgjidhja përfundimtare e kësaj situate.
"Në ditët në vazhdim do të takoj kryetarin e bashkisë, Dritan Leli. Do të përpiqem që nesër (sot) të kontaktoj me kryetarin e bashkisë për të lënë një takim. Duhet të diskutojmë për të mirën e Flamurtarit, pasi jemi të interesuar që të dy palët.
Por, unë e kam thënë edhe e përsëris që kjo situatë do të zgjidhet vetëm me privatizimin e klubit. Ndaj kam këmbëngulur dhe po këmbëngul që të bëhet sa më shpejt. Nuk kam për borxh që të paguaj parà që s'më takojnë", përfundon Idrizi.