Ibrën do ta sillja në Milano, edhe sikur të luante me karrocë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Me një gol dhe një asist i mundësoi PSG-së që të priste biletën për turin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve. Zlatan Ibrahimoviç tregoi edhe një herë tjetër "dhëmbët" në Europë, teksa ishte protagonist i fitores 2-1 të francezëve kundër Çelsit.
Rendimenti i sulmuesit suedez shton gjithnjë e më shumë pengun për ishklubin e tij, Milanin, që e largoi para tre sezonesh. Mirëpo, kujtojmë se kontrata e futbollistit me PSG-në përfundon në fund të këtij viti dhe, pavarësisht moshës së madhe, janë të shumta klubet që interesohen për të siguruar shërbimet e lojtarit, ku një prej tyre është edhe Milani.
"Djalli", siç ka deklaruar në disa raste edhe Ibrahimoviç, është një klub që ka mbetur në zemrën e suedezit, i cili nuk e ka mohuar kurrë dëshirën për t'u rikthyer një ditë. Ideja e ribashkimit i pëlqen shumë edhe ish-mbrojtësit të Milanit, Alesandro Kostakurtës, i cili theksoi se lojtari është akoma në gjendje të bëjë diferencën në Serinë A:
"Nëse Milanit i krijohet mundësia për të rikthyer Ibrahimoviçin, nuk duhet të hezitojë. Zlatanin do ta sillja në Milano, edhe sikur të luante me karrocë. Ai është një futbollist i përkryer dhe mendoj se është akoma në gjendje për të bërë diferencën në çdo skuadër".
Në fund, italiani shtoi: "Kuqezinjtë gabuan me largimin e Ibrës. Ai donte të qëndronte me çdo kusht dhe mendoj se do të ishte më mirë të kishin kursyer rrogën e katër lojtarëve vetëm për të mbajtur në skuadër Zlatan, që është nga të paktët futbollistë në gjendje për të fituar i vetëm kampionatin".