e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ibrahimovic: Mesi ben gjera qe shihen vetem ne videolojera!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ibrahimovic: Mesi ben gjera qe shihen vetem ne videolojera!

Marrëdhënia mes Zlatan Ibrahimoviç dhe Lionel Mesit nuk ka qenë ndër më të mirat e mundshme gjatë periudhës kur suedezi gjendej te Barcelona. Sulmuesi suedez nuk ka ngurruar ta cilësojë shpesh argjentinasin si shkakun kryesor të dështimit të tij në radhët e katalanasve. Gjithsesi, i pyetur rreth numrit 10 të Barcelonës, edhe Ibra është dorëzuar, duke pranuar se ai ishte futbollisti që bënte gjërat më të pabesueshme në fushën e lojës.

“Mesi është i jashtëzakonshëm. Ai bën gjëra që i sheh vetëm në videolojëra. Kam parë golin e tij të dytë kundër Getafes dhe ishte i pabesueshëm, magjik. Është riaftësuar dhe shihet se ka shumë uri. Unë kënaqem kur e shoh të luajë”, ishin fjalët e suedezit për talentin argjentinas.

Megjithatë, Ibra shpjegon se idhulli i tij ishte një sulmues që luante një futboll më të ndryshëm nga ai i driblimeve pa fund të Mesit. Duke folur për lojtarin e preferuar të karrierës së tij, suedezi konfirmoi se një nga shkaqet që trishtohej për mungesën në Botërorin Brazil 2014, ishte se nuk do të ketë mundësi të luajë në atdheun e Ronaldos.

“Jam shumë i mërzitur që nuk do të luaj në Botëror. E gjithë bota dëshiron të luajë një turne të tillë. Më kujtohet kur luajta në Kore e Japoni në vitin 2002 dhe në Gjermani në vitin 2006. Është një dhembje e madhe për mua që nuk do të shkoj në Brazil, pasi për mua, futbolli më i mirë vjen pikërisht nga aty. Në Brazil filloi gjithçka. Samba, futbollistët, futbolli dhe futbollisti im i preferuar, Ronaldo… Cili Ronaldo? Braziliani, ‘Fenomeni’. Një legjendë. Në fakt, të dy Ronaldot janë legjenda”, tha ai duke iu referuar edhe portugezit Kristiano Ronaldo, që e la jashtë Botërorit duke e eliminuar me Portugalinë e tij.

Një tjetër legjendë, të cilën ai e ka pasur gjithmonë si pikë referimi, është Diego Armando Maradona, nga i cili ka lindur edhe dëshira për të mbajtur numrin 10 në fanellën e tij. “Numri 10 në futboll është një simbol i madh, pasi gjithçka filloi me Maradonën. Kur ai luante me numrin 10, të gjithë filluan të dëshironin numrin 10. Gjithmonë kam ëndërruar të mbaj numrin 10, por sa herë që ma jepnin mua, më shisnin në klube të tjera. Më në fund mund ta mbaj te PSG-ja dhe të qëndroj këtu. Maradona ka qenë një legjendë dhe do të vazhdojë të jetë e tillë. E gjithë bota e di. Ne futbollistët e dimë edhe më mirë rëndësinë që kishte ai për futbollin botëror. Ai fitoi me ekipe që nuk ishin shumë të forta, ishte një lojtar magjik”, vijoi Ibrahimoviç, i cili gjatë karrierës së tij ka bërë gjithashtu shumë gjëra “magjike”. Mes tyre gjendet edhe goli i shënuar në miqësoren ndaj Anglisë, një roveshatë nga jashtë zonës që i siguroi atij trofeun “Pushkash”, për golin më të bukur të vitit 2013.

“Shpresoj që askush tjetër të mos bëjë një gol me karakteristika të njëjta. Mënyra se si e realizova një gol të tillë, mendoj se e meritonte që ta fitonte këtë trofe. Çdo lojtar mundohet të shënojë gola të pamundur dhe është shumë e vështirë. Unë kisha fatin që e realizova një të tillë.”