Ibra kundër Blankut: Humbëm prej taktikës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të dësh tojë në Ligën e Kampioneve. Kompeticioni më i dëshiruar prej tij nuk ka rezultuar kurrë fatsjellës.
Edhe sivjet, suedezi i dha fund para kohe aventurës, duke u eliminuar në çerekfinale. Gjithsesi, shtatlarti ka shënjestruar trajnerin Loran Blank, si shkaktarin e humbjes kundër Mançester Sitit.
"Në pjesën e parë, ne luajtëm me një skemë, të cilën nuk e kishim provuar kurrë më parë. Sigurisht që patëm probleme dhe nuk arritëm të japim atë që mundemi të bëjmë në fushë. Nuk e di nëse është vendimi i duhur për të bërë eksperimente në ndeshje të një rëndësie të tillë. Gjithsesi, në pjesën e dytë u paraqitëm më mirë", tha Ibra.
Blank, që ka përdorur gjithnjë modulin 4-3-3, vendosi të bëjë ndryshime, për shkak se mungonin tre futbollistë të rëndë- sishëm si Verrati, Matuidi dhe David Luiz. Francezët zbritën në fushë me skemën 3-5-2, ku në prapavijë luanin Orie, Tiago Silva dhe Markuinjos, ndërsa si mesfushorë krahu ishin Van der Vil dhe Maksuell. Dyshja Kavani-Ibrahimoviç ishte në qendër të sulmit.
"Sigurisht që nuk mund të kuptoheshim aq mirë, si me modulin 4-3-3. Gjithsesi, nuk duhet të tregohemi drastikë. Nëse moduli i pjesës së parë do kishte funksionuar, do kishim folur ndryshe tani", shtoi Zlatan. Në fakt, raporti i trajnerit me sulmuesin duket se ka pësuar krisje. Menjëherë pas ndeshjes, Blank cilësoi repartin e avancuar si një nga arsyet e eliminimit:
"Duhet të kishim qenë më të saktë në finalizim. Nuk e bëmë një gjë të tillë në asnjë prej ndeshjeve. Në kompeticione të tilla, s'mund të shpërdorosh".
Një bashkëpunim që në fund të edicionit pritet të përfundojë, pasi si kreu i pankinës, ashtu edhe sulmuesi suedez janë përfolur për një largim të mundshëm. Dështimi në Europë edhe këtë edicion ka bërë që Blank të mendojë para kohe për një klub tjetër. Media franceze bën me dije se kualifikimi për në gjysmëfinale ishte kusht për të ardhmen e tij në krye të ekipit, pavarësisht se rinovoi vetëm pak kohë më parë, deri në vitin 2018.