e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

IRONIA/ Luftetari bleu ndeshjen? 'Ne jemi gjirokastrite, nuk japim para'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
IRONIA/ Luftetari bleu ndeshjen? 'Ne jemi gjirokastrite, nuk japim para'

Të qetë dhe me ironi të hollë. Klubi i Luftëtarit shijon fitoren ndaj Sopotit, në një kohë që u kundërpërgjigjet akuzave të administratorit të Sopotit, Iridion Bahiti. Ky i fundit deklaroi pas takimit të së shtunës se arbitri Sokol Çekaj ishte paguar nga skuadra kundërshtare që të favorizohej.

Klubi bluzi përgjigjet dhe duket se nuk shqetësohen aspak nga fjalë të tilla. Aq sa ata bëjnë edhe batuta duke thënë: “Për sa i përket akuzës për dhënien e parave arbitrit, ne gjirokastritët dallohemi si kursimtarë dhe teoria e librazhdasve rrëzohet”, thuhet ndër të tjera në reagimin e djeshëm të klubit bluzi.

Reagimi


“Klubi Sportiv Luftëtari i mirëpret me sportivitet akuzat që bëhen në drejtim të tij dhe përgjigjet me seriozitet për atë pjesë ku cenohet. Prandaj, lidhur me akuzat që kemi lexuar në ‘Panorama Sport’, deklarojmë se në Gjirokastër janë të gjithë të bashkuar, tifozë, lojtarë dhe drejtues. Punohet në çdo moment dhe kjo është mënyra për të kapur atë pozicion në renditje. Shumë klube nuk i kanë të bashkuar këta tre faktorë. Janë të lutur që të gjithë ndjekësit të mos hedhin poshtë mundin e KS Luftëtarit, ekip që fiton edhe në ndeshje në të cilat nuk ka siguri për jetën si ajo në Pezë. Në Gjirokastër kur Sopoti ka fituar, e kemi duartrokitur dhe të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në ndeshjen e kthimit”, thuhet fillimisht në deklaratën e Luftëtarit.

Më pas, klubi bluzi lëshon edhe sfidën për takimin e fazës së dytë. “Jemi aq të bindur në forcën tonë si ekip, saqë jemi të gatshëm ta luajmë ndeshjen tjetër në fushë asnjanëse dhe me arbitër ndërkombëtar”.

Në fund të reagimit të Luftëtarit, bluzinjtë bëjnë batutë duke hedhur poshtë aludimin e librazhdasve se arbitri ka marrë para prej tyre. “Sporti na bashkon dhe nuk mund të lëmë pa përmendur me humor, sepse nuk na duket serioze për sa i përket akuzës për dhënien e parave nga ne arbitrit. Ne gjirokastritët dallohemi si kursimtarë dhe teoria e librazhdasve rrëzohet!”, përfundon reagimi i klubit bluzi pas akuzave të djeshme të Sopotit.

Sfida e së shtunës ndërmjet këtyre dy skuadrave prodhoi shumë tension dhe ndërhyrje të rënda. Tifozët e Sopotit kontestuan gjatë të gjithë lojës vendimet e gjyqtarëve dhe kulmi arriti në fund të takimit kur administratori i librazhdasve, Iridion Bahiti, hyri në fushë duke pështyrë dhe sulmuar arbitrin Sokol Çekaj.