e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

I bllokojne kartonin, Januzi larg Hanoverit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
I bllokojne kartonin, Januzi larg Hanoverit
Kosovari i kuqezinjve tregon tratativat mes ukrainasve e gjermanëve

“Vorskla nuk më lëshon, kërkon shumë parà për mua”

Ahmed Januzi ka pak shpresa se mund të transferohet te sku-adra e Hanoverit gjatë muajit janar. Pavarësisht interesimit të gjermanëve, Vorskla nuk dëshiron ta shesë 23-vjeçarin duke bllokuar kartonin e këtij të fundit. Ndërsa mësohet se drejtuesit e klubit gjerman i kanë bërë ofertë zyrtare ekipit ukrainas për të siguruar shërbimet e Januzit, por sipas lojtarit të Kombëtares shqiptare deri tani tratativa nuk ka avancuar aq sa duhet dhe me gjasa do mbetet te Vorskla edhe për këtë sezon.

“Nuk ka asgjë konkrete. S’ka kurrfarë marrëveshjeje as mes klubeve, por as mes meje me Hanoverin, sepse unë kam kontratë me Vorsklën. Tashmë i kemi nisur përgatitjet për sezonin e radhës dhe jam duke menduar vetëm se si të përgatitem sa më mirë për sezonin që po vjen”, ka thënë Januzi për mediat kosovare. Vorskla Poltava, ku luan edhe Armend Dallku, nuk dëshiron ta lëshojë sulmuesin, meqenëse për trajnerin ai është pika kyçe e repartit ofensiv të kësaj skuadre.

“Drejtuesit e klubit, e posaçërisht trajneri i skuadrës, kanë kërkuar që të paktën deri në verën e ardhshme të qëndrojë te Vorskla. Kështu që, vetëm me biseda intensive, me ndonjë presion më të madh të Hanoverit, ndoshta do kisha mundësi të shkoja në Bundesligë që këtë muaj”, ka vazhduar Januzi. Lojtari firmosi jo më larg se viti i shkuar rinovimin me Vorsklan për deri në 2015-n dhe me këtë rast kjo skuadër dëshiron që minimalisht të përfitojë financiarisht nga shitja e tij. Për momentin, kartoni i Januzit vlerësohet nga ukrainasit me 1.5 milionë euro, ndërsa Hanoveri ka ofruar vetëm 750 mijë euro.

“Gjithsesi, për të qenë i sinqertë, unë të Vorskla jam ndier gjithnjë mirë. Po përgatitem për sezonin e ri, gjatë të cilit dua të angazhohem dhe të punoj shumë. Qëllimi im është të vazhdoj me paraqitje sa më të mira dhe të shënoj sa më shumë gola, dhe në këtë mënyrë ta ndihmoj sa më shumë Kombëtaren e Shqipërisë”, përfundoi sulmuesi. Januzi ra në sytë e Hanoverit pas paraqitjeve të mira që bëri në ndeshjet e zhvilluara në fazën e grupeve për Ligën e Europës. Gjatë 2011-s, ai realizoi 11 gola, duke u bërë i pazëvendësueshëm në formacionin titullar të Vorskla Poltavës.