Hyshmeri do të rikthehet titullar ndaj Vllaznisë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një nga futbollistët më të mirë të Bylisit të këtij sezoni ka qenë mesfushori Renato Hyshmeri, i cili u afrua në merkaton e verës te mallakastriotët.
Me ardhjen e Zildzoviç, atij iu besua akoma më shumë nga ana e teknikut boshnjak, duke e kthyer në liderin e skuadrës.
Mirëpo, në dy sfidat e fundit futbollisti nuk ka qenë pjesë e lojtarëve të thërritur nga boshnjaku Zildzoviç, duke hedhur në këtë mënyrë aludimet se midis lojtarit dhe drejtuesve të klubit ka diçka që nuk shkon.
Vetë klubi s'e ka Hyshmerin në listën e një futbollisti të dëmtuar, madje as nuk ka qenë i ndëshkuar me karton në dy sfidat e fundit, por nuk ka qenë as në pankinë ndaj Partizanit dhe Flamurtarit. Burime të "Panorama Sport" pranë kampit mallakastriot pohojnë se ka një "ftohje" mes palëve, ndaj edhe futbollisti nuk është grumbulluar në këto dy sfida të fundit.
Megjithatë, duke parë emergjencën që ka për lojtarë, tekniku Zildzoviç këtë fundjavë pritet që në ndeshjen delikate me Vllazninë ta thërrasë elbasanasin nën urdhrat e tij dhe t'i japë sërish një rol të rëndësishëm në skuadër.
Mund të thuhet se Bylisi luan një pjesë të sezonit në këtë ndeshje, pasi në rast të një humbjeje me shkodranët, atëherë ky rival do të largohej shumë dhe praktikisht do të bëhej i pamundur për t'u arritur.