e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Hoxhson: Me Runin nuk e llogaris Ukrainen

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hoxhson: Me Runin nuk e llogaris Ukrainen

Ka konfirmuar vetëm një futbollist, i cili do të jetë titullar kundër Ukrainës, ndërsa ka rikuperuar edhe Teo Uollkotin, heroin e ndeshjes me Suedinë. Roi Hoxhson mezi po pret të shohë Uejn Runin në aksion. Ai është i sigurt se me sulmuesin e Mançester Junajtid në Donetsk, sot Anglia nuk do ta ndjejë aspak presionin e vendit organizator. “Tre Luanëve” u duhet vetëm një pikë për të prerë biletën në ¼-at, por menaxheri i ishullorëve nuk do të hyjë në fushë për një barazim. “Nuk shqetësohem për formën e Runit. Ai është një sulmues klasi, të cilit ia kemi ndjerë mungesën në dy ndeshjet e para kundër Francës dhe Suedisë.

Nuk kam asnjë dyshim që nesër (sot) do të shkëlqejë”, – tha tekniku 64-vjeçar. Lidhur me aktivizimin e Uollkotit që nga minuta e parë në vend të Milnerit, Hoxhson nuk dha asnjë garanci: “Nuk mund ta konfirmoj nëse do të jetë titullar, por pres që të marrë garancinë e fundit nga mjekët. Nuk dua që të rrezikojmë dhe ta nxjerr nga loja të dëmtuar pas 5 minutash”. Roi ka paralajmëruar kujdes të madh kundër skuadrës së Shevçenkos, e cila është ende në valle për t’u kualifikuar në çerekfinale për të parën herë në historinë e saj. “Ndeshja do të jetë shumë e vështirë. Kemi parë të eliminohen skuadra favorite që në grup.

Prandaj kemi shansin që të mësojmë prej të tjerëve. Garancitë nuk ekzistojnë, prandaj skuadra është e motivuar. Në ekipin e Bllohin ka lojtarë që janë jashtëzakonisht të fortë fizikisht dhe teknikisht”, – shtoi trajner anglez. Gjithsesi, ai nuk i trembet kurrsesi atmosferës që i pret në “Donbass Arena”. “Lojtarët tanë janë mësuar të luajnë në klubet kryesore të Ligës së Kampioneve dhe kanë eksperiencë për të përballuar situata të tilla. E dimë që stadiumi do të jetë nën ngjyrat e Ukrainës, por për anglezët kjo nuk do të ndihet aspak. Ne do të hyjmë në fushë për të arritur qëllimin tonë”, – përfundoi Roi Hoxhson.