e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Hetim per policet greke qe grisin pasaportat shqiptare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Hetim per policet greke qe grisin pasaportat shqiptare
Për herë të parë qeveria shqiptare ka kërkuar nga ajo greke llogari mbi ndalimin e hyrjes së emigrantëve në shtetin helen dhe për grisjen e dokumenteve të tyre pa asnjë të drejtë. Shqetësimi është ngritur gjatë një takimi mes ministrit të Brendshëm me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Greqisë, i cili ka ardhur për një vizitë dyditore në vendin tonë. Nga ana tjetër, kreu i policisë greke, i pyetur nga gazetarët, nuk ka pranuar të japë asnjë koment në lidhje me çështjen çame.

Në një takim, që ministri i Brendshëm pati me kreun e policisë greke, Eleftherios Ikonomu, Nishani ka ngritur disa probleme shqetësuese për komunitetin shqiptar që jeton e punon në Greqi dhe për ata që shkojnë për turizëm. Duke nënvizuar se lëvizja e lirë e shqiptarëve që prej 15 dhjetorit 2010 në zonën Shengen nuk ka shfaqur deri më tani asnjë indikacion të karakterit kriminal dhe të kundërligjshëm, por është kryer në kushte mirëbesimi, respekti dhe disipline si të çdo qytetari europian, ministri Nishani ngriti në takim dy shqetësime për sa i takon lëvizjes së qytetarëve drejt Greqisë dhe anasjelltas. Ministri Nishani shprehu shqetësimin për dukurinë e vonesave që u krijohen qytetarëve shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar gjatë sezonit të pushimeve verore apo të festave të tjera tradicionale. Së dyti, ministri Nishani paraqiti shqetësimin mbi disa raste të evidentuara të qytetarëve shqiptarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në Greqi dhe veç kësaj u janë dëmtuar dokumentet e udhëtimit. Në përgjigje të shqetësimeve, Ikonomu deklaroi angazhimin e menjëhershëm për ngritjen sa më shpejt të një grupi të përbashkët pune për të marrë masat e nevojshme që të mos përsëritet më dukuria e vonesave të pajustifikuara për qytetarët shqiptarë në pikat greke të kalimit kufitar. Ndërkohë, Ikonomu e cilësoi të papranueshme një sjellje të atillë, siç është dëmtimi i pasaportave të udhëtimit, dhe kërkoi nga policia shqiptare të informojë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Greqisë, e cila do të marrë masat e duhura për çdo rast të një sjelljeje të tillë nga ana e policëve grekë.

Pas takimit edhe me kreun e Policisë shqiptare, Ikonomu iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me problemin e prishjes së kompjuterëve në kufi. Ai vuri në dukje se ky problem ka ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit dhe, sipas tij, e rëndësishme është vullneti i mirë i të dyja palëve për të zgjidhur këto situata. Nga ana tjetër, Ikonomu u pyet edhe për shtetasit shqiptarë, të cilët kthehen në pikat doganore të kufirit me Greqinë dhe rezultojnë me origjinë çame. “Mendoj që duhet të mbetemi te temat e programit që unë kisha në këtë vizitë, të theksojmë bashkëpunimin shumë të mirë dhe të ngushtë që kemi mes dy policive tona dhe jemi shumë të kënaqur, sepse ky lloj bashkëpunimi që kemi mes nesh mund të jetë një shembull për gjithë bashkëpunimet policore në Ballkan”, u shpreh ai, duke shmangur këtë shqetësim. Ndërkaq, gjatë takimit me kreun e Policisë shqiptare, dy palët ngritën problemin e bashkëpunimit për personat në kërkim dhe për trafiqet e paligjshme, sidomos për trafikun e drogës. Zyrtarisht u tha se u propozua dhe u diskutua në drejtim të bashkëpunimit me interes të përbashkët në fushën e krimit të organizuar dhe shkëmbimit të informacionit, duke krijuar një qendër të përbashkët të shkëmbimit të informacionit mbi aktivitetin kriminal në Shqipëri e Greqi, si dhe për organizimin e seminareve të përbashkëta trajnuese, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mes përfaqësuesve të policive të dy vendeve tona. Pas takimeve në Tiranë, kreu i policisë greke, bashkë me homologun shqiptar vizituan dhe inspektuan punën në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Ata morën kontakt me qytetarë dhe me punonjës policie të të dy shteteve fqinje. Tashmë, marrëveshjet mes policive të dy vendeve pritet të kalojnë në nivel teknik për luftën ndaj krimit të organizuar.