Hënes del nga burgu, pritet me muzikë rock-u
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Më 13 mars 2014, Gjykata e Mynihut mori vendimin e fajësisë për ish-presidentin e Bajernit, Ulrih Hënes. Ai u dënua me 3.5 vjet heqje lirie, për shkak se i shkaktoi shtetit gjerman një dëm prej 28.5 milionë euro nga fshehja e taksave.
Në respekt të personalitetit, kontributit dhe emrit të tij në futbollin gjerman, Gjykata e Augsburgut ka bërë një përjashtim dhe lehtësim për 64-vjeçarin gjerman duke i ndryshuar masën e arrestit nga "gjysmë lirie" në dënim me kusht.
Neni i këtij ndryshimi vlen kur i dënuari ka vuajtur 2/3-at e dënimit, por ka edhe përjashtime duke marrë në konsideratë gjysmën e dënimit.
Hënes lirohet - Për shkak të vitit të brishtë, ish-presidenti i Bajernit kryen një ditë burg më shumë, pasi muaji shkurt ishte me 29 ditë. Saktësisht pas 637 ditëve për legjendën e Bajernit hapen dyert e burgut dhe në orën 3 të mëngjesit të së hënës më 29 shkurt, Uli Hënes fiton lirinë zyrtarisht. Ish-kreu bavarez ka shmangur me delikatesë mediat dhe "spiunët".
Juristi i burgut ka kryer veprimet në orët e para të mëngjesit dhe Hënes është marrë nga djali i tij, Juliani. Pritja e babait të tij është organizuar jashtë kamerave dhe paparacëve në vilën gjigante në Bad Wiessee am Tegernsee. "Im at ndodhet prej disa orësh këtu në Tegernsee.
Më vjen keq që iu shpëtoi nga kamerat", konfirmon Julian Hënes me humor, i cili dëshmon se të hënën babai i tij nuk do të dalë nga shtëpia dhe nuk pret vizita,- "Këtu nuk do vijë për urim as Tënies (presidenti i Shalkes) dhe as Bekenbauer". Sipas informacioneve të gazetës "Welt", në vilën e Hënesit dëgjohej muzikë e legjendës së rock-ut, Rod Stjuart.
Djali i tij kishte ftuar një bandë me 6 muzikantë. Gazetarët zbuluan se në vilë u dërguan edhe tri arka me birra për të festuar lirimin e legjendës. Në orën 11:36 në vilë futet edhe vajza e Hënesit, Zabine, për të festuar me familjen. Ndërkohë, "Bild" konfirmon se Uli Hënes do të jetë në stadium në vendin e tij në tribunë ndaj Maincit ditën e mërkurë