Hasi: Jam i lumtur per kontraten e re
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besnik Hasi zgjati me një vit, deri në 2017, kontratën e tij si trajner i Anderlecht, me klubin nga Brukseli që zyrtarizoi lajmin. Në këtë mënyrë 43 vjeçari që mori detyrën si trajner i parë i skuadrës belge në mars të vitit 2014 pas pushimit të teknikut holandez John Van den Brom dhe e udhëhoqi Anderlechtin drejt titullit të 33 kampion në Belgjikë merr një tjetër vlerësimin nga drejtuesit që konfirmojnë besimin ndaj ish mbrojtësit të kombëtares shqiptare.
Pas hedhjes së firmës, Hasi deklaroi për faqen zyrtare të klubit:
“Jam shumë i kënaqur për zgjatjen e kontratës. Është një shenjë respekti si dhe shenjë se klubi është i kënaqur me punën time. Duhet të mbetemi të përqëndruar dhe të fitojmë më shumë tituj. Bashkëpunimi mes meje dhe klubit ka qenë gjithmonë i shkëlqyer dhe do të vazhdojë të jetë i tillë”.
Këtë sezon nën drejtimin e Hasit, Anderlecht ndodhet në vendin e dytë në kampionat me 7 pikë diferencë nga kryesuesit e Fc Bryzh, por ka shanse reale për ta mbrojtur titullin në sajë të formatit të veçantë të kampionatit belg. Anderlecht veç të tjerash është dhe pranë finales së Kupës ku ka mposhtur 2-0 në gjysmëfinalen e parë Gent ndërsa pasi u rendit në vendin e 3-të në grupet e Champions, pas Dortmundit dhe Arsenalit do të përballet me Dinamon e Moskës në 1/16 e Europa League.