e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Haradinaj: Une kryeminister? Do punoj per t’u bere sa me pare

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Haradinaj: Une kryeminister? Do punoj per t’u bere sa me pare
Më bëri shumë përshtypje pritja në aeroportin e Prishtinës. Është konsideruar dinjitoze… A kishe mundur ta përfytyroje përpara se do të bëhej një pritje shtetërore e atyre përmasave?

Ka qenë një pritje e mirë, po them e mirë shumë. Jam kënaqur duke parë ato elemente të protokollit shtetëror. Po të më pyesësh mua nëse duhej, unë them që po. Ajo është një diçka e zakonshme që është dashur të bëhej për shkak se po bëhet fjalë për një temë me peshë ose për një zhvillim me peshë, për një lajm me peshë dhe është dashtë me ndodhë. Në momentin kur kryeministri Thaçi dhe institucionet e vendit janë ofruar, unë kam thënë “Po”, sepse është një zhvillim i mirë.

Mbajtët një fjalim shumë të shkurtër…

Kisha kujdes të takoja njerëzit e të çmallesha me ta. Të gjitha fjalët që  them ndoshta nuk e kanë çdo herë peshën e vet, por ajo që është me rëndësi, – iu thashë “jam i lirë dhe mundem të punoj dhe Kosovës po i shtohet një njeri që mundet të punojë me duar të lira”.

Është njohur publikisht se nuk ka ekzistuar një raport i shkëlqyer mes dy personaliteteve Haradinaj e Thaçi dhe është spekuluar shumë që jo vetëm pritja, por edhe qasja që kryeministri ka patur karshi ardhjes së Haradinajt, tregon diçka më shumë…

Ka ndryshuar shumëçka në raporte. Ka të bëjë edhe me faktin që një debat i vazhdueshëm shoqëror do të kultivohet, do të mbetet, por jo një debat që na pengon për të realizuar punë ose momente ose veprime që janë në të mirën e vendit. Pra, duke qenë se si vend jemi para sfidave, se jemi shtet i ri, shoqëri e re, demokraci e re, mendoj se ka një avancim në nivelin e marrëdhënieve mes nesh dhe besoj edhe mes politikanëve të tjerë në Kosovë e spektrin politik. Pra mendoj se do të kemi një kualitet të ri të marrëdhënieve mes liderëve, mes politikës në vend.

Unë kam patur fatin që të flas me ju miqësisht edhe në vetën e parë. A mund t’ju pyes, cili ishte ndryshimi midis periudhës së parë dhe të dytë të burgut? Në të dytën ju ndiheshit më i pasigurt, më i sigurt, më i qetë, më i paqetë? A ndiheshit vetëm? Vetminë e kishit mik apo armik?

Duket pak e çuditshme, por gjithçka që ka ndodhur rreth meje në njëfarë mënyre e kam kuptuar ose e kam lexuar dhe afërsisht e kam ditur se në cilën periudhë të asaj që po ndodh me mua jam. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, ndonjë pasiguri personale ose ndonjë marrëzi, ose ndonjë zhgënjim. Në fakt e kam ditur se ku jam. Unë e njoh Kosovën. E kam kuptuar gjendjen e njerëzve tanë, rrethanat. S’kam pasur ndonjë zhgënjim të kësaj natyre. I jam mërzitur ndonjë humbjeje të vendit, ose ndonjë situatë të caktuar në vend, por jo të kësaj natyre. Në fakt të gjithë janë befasuar me kurajën tonë atje dhe të gjithë që na kanë vizituar më thoshin: “…ne po vijmë te ty të mërzitur e ty po të gjejmë mirë…”  dhe në disa raste më thoshin se mos dija ndonjë gjë që ata nuk e dinin.

Jam kureshtar të të pyes, ti që je një natyrë sportive dhe një burrë me personalitet të fortë, ish-kryeministër i një vendi dhe njeri me mbështetje të madhe, në atë çast çfarë ndjeve?

Ajo është më e lehtë sesa pjesa paraprake. Lexon, lexon, lexon dhe ti thua çfarë po ndodh. Kur të thotë “Çohu në këmbë”, ti thua “le të vijë ç’ka ndër mend me ardhë”. Nuk është se m’u drodhën këmbët, por e ke një lloj rrënqethje të caktuar. Domethënë e ke një ndjenjë, ndryshe me thënë si para provimit, ndoshta edhe ke mësuar shumë, por derisa nuk e ke marrë…Është një lloj stresi.

Në momentin që ata shqiptuan ato fjalë që ti i prisje, kishe një lloj çlirimi final?

Të them të drejtën, gjatë gjithë kohës e kam pasur një lloj irritimi, përse po ndodhin këto gjëra. Dhe në fund në fundit ata nuk më kanë dhënë mua një status që nuk e kam pasë. Ata vetëm pranuan atë që unë e kam thënë gjithë kohës, që “jeni gabim”. Por ç’lidhje ka kjo kur të mori tetë vjet, të bëri shumë dëme, shumë ndërprerje. Shkalla e sadisfaksionit, si me thënë, është jo edhe aq e madhe. Më shumë jam gëzuar për historinë tonë, sesi ngjarje që munden me e zbehë apo me e nxi atë që ne kemi bërë si popull, që s’i kemi bërë kujt keq…Ai ish derti im i madh. Ndërsa në planin personal, ata nuk më bënë ndonjë nder. Ata realisht vërtetuan atë që unë kam qenë. Nuk më bën ndonjë nder, ndonjë favor. Në fund të fundit, ata më kanë borxh gjithë ato vjet. M’i humbën dhe na munduan për diçka  që unë  e kam ditur që është kështu. Jam i pafajshëm, në bazë të ligjeve, të rregullave të luftës…

Përtej qasjes teknike, ndjen ti personalisht një urrejtje nga ana e Carla del Pontes për ne shqiptarët dhe ty personalisht?

Meqenëse jam përballur me ligjin në nivel ndërkombëtar, mendoj që është me rëndësi, ashtu sikurse është me rëndësi edhe për ligjin vendor, që tek njerëz që janë në pozitë vendimmarrëse në kuadër të ligjit e sidomos koka të vendimmarrjes, duhet në radhë të parë të mbizotërojë integriteti profesional.  Pas përvojës sime mund të them se  ky është çka  ka munguar te zonja Del Ponte – integriteti profesional.

Në bazë të materialeve që ne kemi shqyrtuar, lëndës që jemi përballë me të, në bazë të informatave që kemi, është se ajo udhëhiqet edhe prej argumenteve apo aspekteve të tjera që nuk i parasheh ligji, që nuk janë ligjore. Ndryshe thënë, kushdo mund të akuzohet për vepra që i ka bërë në rast se sigurohen dëshmi, por jo kur vetëm dikush do me akuzue dikë. Akuza të tjera, verbale, publike, janë një realitet tjetër, por në bazë të ligjit nuk mund të akuzosh askënd as në ligjin vendor e as në atë ndërkombëtar pa siguruar dëshmi të vlefshme. Kjo është pjesa që asaj i shkakton një dëm profesional realisht, në integritetin e saj profesional. Për sa i përket aspekteve të tjera njerëzore, personalisht nuk e njoh. Kemi pasur njëherë një ballafaqim, por nuk di të them shumë për të në anën personale. Nuk  kam raporte personale  jo vetëm me të por me askënd tjetër për shkak se kjo përballje ka pasur një karakter ligjor dhe ne përgjigjen ua kemi dhënë me ligj.

Ndërkohë bëhet e njohur, spekulohet, dëgjohet se ju dhe partia që ju drejtoni, do të keni një koalicion politik me partinë që drejton sot mazhorancën. Është kështu apo jo?

Po, është e vërtetë. Ka një projekt të tillë. Është ende në fazë ideore por ekziston si projekt.

 …Një ngjarje spektakolare, është pak ta quaj skandaloze, që është përgjimi i disa personazheve të rëndësishëm të jetës politike kosovare, kryeministri Thaçi, zotërinjtë  Grabovci e Lushtaku, çka tregon që  dhe këtu ngjasojmë si dy pika uji me Shqipërinë, pra një situatë politike krejtësisht jo e qëndrueshme. Si mund të hyni ju personalisht për të ndihmuar në një situatë të tillë dhe ta ruani nga shpërbërja totale?

E keni dëgjuar atë shprehjen “Pick one”? Kur ke disa situata që ndoshta asnjëra nuk është aq e mirë, atëherë merre një, fillo dikund. Në Kosovë ka vend për pakënaqësi e ka vend për irritim. Vjen jo vetëm për shkak të kualitetit qeverisës… Vjen edhe për shkak se Kosova ka shumë çështje të akumuluara. Është një shoqëri e re, shtet i ri, ekonomi e re, por edhe sistem shoqëror jo aq i gjallë. Ne festuam 100-vjetorin e shtetit shqiptar, vetvetiu tradita krijon një konstrukt, disa korniza. Ne jemi në fillim, në nisjen tonë. Më vjen keq, në disa raste kjo hapësira për shprehje të pakënaqësive ndoshta nuk shfaqet në mënyrën më të mirë të vet. Sepse demokracia ka paraparë që pakënaqësitë munden me u shprehë dhe ka gjetur forma e i ka dhënë hapësira asaj.

Kjo situata me përgjimet… tash ka shumë mënyra me e shpjegue këtë. Unë po i shoh edhe si po reagojnë në Prishtinë. Ama një gjë duhet ta dinë që nuk ka udhëheqës shteti në botë që nuk është i përgjuar. Kushdo qoftë, në fund të fundit përgjohet prej njerëzve të sigurisë së tij. Se po e zëmë, udhëheqësi i një shteti thërret një mik në kafe e ky i thotë “po”, dhe s’njofton sigurimin e vet e del. Kjo mund të jetë rrezik fizik për të. Dikush që është person i interesit të veçantë duhet ta kuptojë këtë, domethënë nuk është diçka që duhet menduar se nuk ndodh. Kalojmë tek pjesa tjetër, ç’ka ndodh më pas me ato përgjime, si përdoren, si shërbehen, këtu ka një degradim do ta quaja në një farë forme. Në rast se subjekti ligjor ose subjekti i drejtësisë, i rendit, ka krye një punë të përgjimit,  kjo është punë,  është detyrë e dikujt për dikënd, në bazë të një rregulli të caktuar.

Menaxhimi me të duhet të jetë me kujdes sepse është e parapame vetëm për përdorim ligjor. Përdorimi ligjor ndodh vetëm atëherë kur ofrohet si provë në gjyq, por nuk është e dedikume ta zëmë për një përdorim publik deri sa nuk është bërë provë gjyqi e deri sa nuk ka vendosur një gjykatë se a guxon kjo me dalë në publik. Pra kemi dy pjesë… E vërtetë që kanë një peshë në atë që fola, tronditje ,por megjithatë janë të kuptueshme këto situata që po na ndodhin, pra është diçka që nuk duhet me na habitë. Prej 1999 e tutje, të gjithë në Kosovë që janë persona të interesit janë të përgjuar jo vetëm nga një mekanizëm por edhe nga shumë të tjerë. Është diçka që në Kosovë dihet realisht, nuk është ndonjë risi, të paktën për bindjen time.

Të bën përshtypje rritja e nacionalizmit pan-shqiptar, e sheh këtë si një shenjë jo të mirë apo si një shenjë e faktit që shqiptarët nuk ndjehen më inferiorë ose nuk duket që ndjehen më inferiorë.

E kam të vështirë ta vlerësoj këtë. Shqiptarët kudo që jemi dhe dëshira për të qenë bashkë është e kuptueshme mendoj edhe prej qeverive, organizatave me peshë. Ndoshta, Ballkani është i ndjeshëm. Duhet kujdes në fjalor për shkak se Ballkani ka ndjeshmëritë e veta, duke qenë se disa popuj janë edhe shumë-etnikë.  Ka situata që nuk janë të lehta prandaj duhet  kujdes në fjalor, në shpjegimin e preokupimeve tona, ambicieve tona, dëshirave tona.

Ju keni një raport të veçantë me liderët, me udhëheqësit politikë në Shqipëri…Po cili është modeli prej tyre që ju tërheq më shumë apo pyetja është politikisht jo-korrekte?

E para, unë kam traditë kur vizitoj Shqipërinë t’i takoj çdoherë të gjithë. Kryeministri Berisha më telefonoi, më uroi e më ftoi me shkue. Kam marrë përshëndetje edhe nga z. Rama, znj. Topalli, presidenti Nishani, të natyrave të ndryshme; ose kam folur, ose përmes sms-ve. Z. Meta ishte në familjen time, takoi babën dhe familjen. Këto janë një gjë e mirë. Ne në fund të fundit jemi shqiptarë. Me kryeministrin Berisha kemi krijuar një marrëdhënie e cila është zhvillue, ka mbërritur në një nivel besimi dhe bashkëpunimi që është e mirë. Ai më bëri një nder të madh në kohën kur isha kryetar partie e ai ishte kryeministër në detyrë. Nënshkroi një marrëveshje mes dy partive, e cila në një mënyrë ishte një respekt për mua dhe për atë që unë përfaqësoj. Dëshiroj ta them edhe njëherë që njerëz që votojnë për partitë politike, votuesit e djathtë apo të majtë, janë bashkëkombësit e mi, jam bashkëqytetar i tyre dhe kjo është tepër me peshë e asnjëherë nuk do të harrohet. Shqiptarët që votojnë janë bashkëkombës. Kjo është e para, kjo është kryesorja.

8 vjet e gjysmë të vështirë, jam kureshtar t’ju pyes si t’u dukën fëmijët, domethënë çfarë t’u duk e veçantë në sjelljen e tyre gjatë këtyre 48 ose më shumë orëve?

Ata janë më qetë. Më ka ra me i pa kohë pas kohe, edhe ata e dinin edhe pse Anita u ka thënë se po kryeja një shkollë të ushtrisë, por e kanë jetuar. Realisht nuk reagojnë më me presion, me emocione.

Unë kam parë  një grua që jeton tanimë mrekullisht me bashkëshortin si me një shok, si  me një bashkëluftëtar; ajo vajzë ka marrë nga njerëzit gjithë respektin e duhur. Ç’mund të thoni?

Nuk e ka patur të lehtë. Ka qenë shumë e sfiduar gjatë gjithë kësaj kohe Anita. Të them të drejtën një situatë e tillë do të kishte sfiduar këdo, sado që mund të jesh i përgatitur, prapë mundesh të thyhesh. Më vjen mirë që nuk është thyer gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë gjithë këtyre sfidave, përkundrazi mendoj se i ka sjellë vetes ndoshta edhe kualitete që ndoshta nuk është menduar që do t’ia sjellë jeta, për shkak se ajo ka kaluar një jetë të një natyre tjetër. Kjo pjesa tjetër e jetës nuk ka qenë dhe aq përkëdhelëse. Tani ka shumë kualitete të cilat e ndihmojnë. Për mua është një situatë e mirë të kesh partnerin e jetës me kualitete që janë të mira, është ndihmesë, është ballafaqim i mirë.

Pyetja ime është: Kur do të bëheni Kryeministër?

Kjo është e vështirë. Do të punoj për t’u bërë sa më parë e sa më shpejt të jetë e mundur. Por mënyra për të marrë përgjegjësitë e vendit është një mënyrë me marrëveshje politike. Me një koalicion politik synoj të jem sërish në një periudhë sa më të afërt.