e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Hamren: Ndaj Frances luajme per respekt ndaj vetes

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Hamren: Ndaj Frances luajme per respekt ndaj vetes
Trajneri i Suedisë, Erik Hamren, tha se skuadra duhet ta fitojë sfidën e fundit me Francën për respekt ndaj vetes. Nordikët duhet ta injorojnë faktin që tashmë janë eliminuar nga “Euro 2012″. “Ne do të përpiqemi që ta fitojmë këtë ndeshje. Nëse kjo do të ishte një sfidë vendimtare, tek lojtarët do të kishte shumë presion. ne s’kemi gjë për të humbur, por në fushë mund të futemi të luftojmë fort. E kemi marrë këtë gjë tepër seriozisht. Kjo fitore nuk është vetëm për ne, por edhe për tifozët tanë. Mbi të gjitha ka të bëjë me respektin ndaj vetes”, – nënvizoi numri një i stolit suedez.

Trajneri tha se ekipi i tij luajti futboll të bukur ndaj Ukrainës dhe Anglisë dhe falënderoi tifozët për përkrahjen e dhënë. “Shikoj shumë motivim tek lojtarët që të mund të bëjnë një paraqitje të mirë. Jemi të trishtuar që po largohemi nga Kievi dhe Ukraina. Kemi kaluar shumë mirë këtu. Mund të rrinim edhe disa javë, prandaj jemi të trishtuar që do ikim”, – vazhdoi ai. Trajneri tha se Johan Elmander dhe Rasmus Elm nuk do të jenë në takimin ndaj francezëve.

“Kemi dy mungesa. Elmander nuk është në 100% të aftësive të tij dhe kjo sfidë nuk është vendimtare për ne. Nga klubi i tij kërkuan të mos rrezikohej. Edhe Rasmus Elm nuk ndihet mirë, pasi gjatë mëngjesit kishte shqetësime në këmbë. Por pjesa tjetër e lojtarëve janë shumë mirë dhe janë gati për këtë sfidë”. Anglia është e shqetësuar, pasi Suedia mund të hedhë në fushë një formacion dytësor, por Hamren përgjigjet: “Ata duhet të fitojnë për veten e tyre. Të jenë të përqendruar në takimin që kanë, ndërsa ne në tonin. Nuk mund të bëjmë asnjë gjë më shumë se kaq”.