e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Grupi i vdekjes' ne kerkim te dy cerekfinalisteve te vet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Grupi i vdekjes' ne kerkim te dy cerekfinalisteve te vet
Grupi B, ose i ashtuquajturi “grupi i vdekjes” luan sonte ndeshjet e treta, nga të cilat do të mësohen edhe dy skuadrat që kalojnë në cerekfinale dhe dy të tjerat që kthehen në shtëpi. Kryesuesja, Gjermania, me 6 pikë të plota, ka nevojë për një barazim, që të mos tundet nga vendi I parë, duke gjetur si kundërshtar në cerekfinale Greqinë, ndërsa Holanda ka fare pak shpresa, duhet të mundë vetë Portugalinë dhe të shpresojë te një “dorë” e gjermanëve, që të heqin qafe Danimarkën.

Pa asnjë pikë në dy ndeshjet e para, portokallinjtë luajnë shansin minimal për të vazhduar më tej, teksa përballë do të kenë një kundërshtar mjaft potencial dhe të vështirë, luzitanët e Kristiano Ronaldos. Në fakt, Portugalia është “macja e zezë” e Holandës, e cila vazhdon të qëndrojë e pamposhtur përballë “tulipanëve” prej më shumë se 20 vitesh.

Duke konsideruar forcën e kundërshtarit, luzitanët kanë një diferencë pozitive në bilancin e përgjithshëm të përballjeve direkte; 6 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Të dyja këto skuadra nuk kanë shënuar kurrë më shumë se dy gola në sfidat mes tyre, e vetmja herë që bën përjashtim është barazimi 2-2 në Oporto, më 28 mars 2001 (kualifikimet për Botërorin). Sfida e parë zyrtare mes këtyre dy përfaqësueseve është ajo e 17 tetorit 1990, në eliminatoret për Evropianin, takim i fituar 1-0 nga Portugalia.

Holanda arriti të fitojë me të njëjtin rezultat në ndeshjen e kthimit në Roterdam (16 tetor 1991), por që nga kjo periudhë portokallinjtë nuk i kanë mundur më kurrë iberikasit në tetë takimet që pasojnë (3 barazime dhe 5 humbje për Holandën). Precedentët mes tyre në kompeticionet zyrtare janë: ai i Botërorit 2006 dhe në Euro 2004. Në të dyja këto raste Portugalia ka fituar kundër tyre, respektivisht 2-1 dhe 1-0.

Nga ana e saj, Gjermania është paralajmëruar nga rivalët e fundit në grup, Danimarka. Teksa “pancerat” kanë 16 vite pa fituar një trofe, aq vite kanë pa fituar edhe ndaj kampionëve surprizë të vitit 1992, Danimarkës, ndërsa për sa u përket dueleve Lëv-Olsen, “plakushi” ka fituar 1-0. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Joakim Lëv e kishte harruar këtë bilanc me homologun e tij dhe e ka kërcënuar me disfatë. Gjithashtu, Lëv nënvizoi se do të bënte çmos të siguronte kualifikimin dhe vendin e pare në grup, për cka i mjafton vetëm një pikë.