Greva: Klubi gënjen, mua dhe vajzave na kanë borxhe
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓Pas denoncimit të shefit të klubit shumësportësh "Apolonia", Astrit Muka, se në të kaluarën janë shpenzuar miliona lekë për ekipin e basketbollit të femrave, fantazmë sipas tij, ka reaguar për gazetën "Panorama Sport" ish-trajneri Astrit Greva.
Në replikën e tij, ky i fundit hedh poshtë çdo pretendim të shefit të klubit fierak. Greva sqaron se Apoloninë e gjeti në një gjendje të shkatërruar dhe se personalisht ka mbuluar jo pak shpenzime për ekipin.
"Asgjë nuk është e vërtetë në atë që është përmendur. E para nuk kam shkuar unë tek Apolonia për të qenë trajner i saj, por ka ardhur klubi tek unë. E dyta, në kohën kur Apolonia ishte në një gjendje pothuajse e shkatërruar, dy-tre lojtare kishin mbetur nga koha që e mora unë, u përpoqa të afroj 4-5 lojtare të tjera për ta riorganizuar skuadrën dhe arritëm atje ku dihet tashmë. Për dijeni Fieri nuk ka bërë asnjë pagesë për pallatin e sportit ku janë bërë stërvitjet në Tiranë. Asnjë lek, asnjëherë.
Të gjitha këto i kam paguar vetë privatisht. Tjetër, asnjë lek nuk është dhënë për udhëtimet që kemi bërë nëpër rrethe. Edhe këto të mbuluara të gjitha prej meje.
Asnjë lek për materialet sportive, absolutisht asgjë. Me përjashtim të rrogave të vajzave ku secilës i shkonte në llogaritë bankare.
Atëherë unë bëra një përforcim, lojtaren amerikane. Unë këtë e zgjidha me miqtë e mi, të cilët e sponsorizuan dhe me familjen time. Pra, për çdo shpenzim në këtë rast nuk i është rënë fare në qafë klubit të Apolonisë.
Në vend që të prisja një falënderim nga klubi për gjithçka që kam dhënë, për çudinë e madhe, lexoj ato në gazetë", shprehet i indinjuar ish-trajneri i skuadrës fierake. Mes të tjerash, ai pranon se paguhej nga klubi, por që asnjëherë nuk e ka marrë rrogën e plotë. "Personalisht kam marrë pagesa nga Apolonia, por jo me emrin tim. Kisha një pagesë prej 400 mijë lekësh në muaj dhe nuk e kam marrë asnjëherë të plotë. Sikundër edhe skuadra. Gjithsej skuadra ka marrë për gjithë vitin shtatë muaj rrogë, ndërsa dy muajt e fundit vajzave u mbetën borxh. Përveç asaj, klubi është shumë borxhli karshi meje".
Përgatiti: OLGERT SERANI
